Osman Osmani: Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Osman Osmani: Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë

Shtypi shovinist serb dhe ai jugosllav mbi gjykimet e veprimtarëve shqiptar dhe organizatorëve të demonstratave të vitit 1981.

NACIONALSOCIALISMIT SERB NUK I KA PËLQYER E VËRTETA

Gazeta serbe «Politika», të hënë e 14 shkurtit 1983 sjell Reagimin e Gjeneral-kolonelit të aviacionit jugosllav Stevan Roglic në shkrimin raportues të Zejnel Zejnelit me titullin “Deri në fund në shërbim të armikut”, ku raportohet për gjykimin më të madh të kohës ndaj pjesëtarëve të Organizatës për Republikë – PKMLSHJ. Në vijim, të shqipëruar, po publikojmë të plotë reagimin me titullin “Shkrim i pa orientuar (i paudhë)”.

Osman Osmani, Zvicër, 1 prill 2024

“Me vëmendje e interesim kam lexuar shkrimin e Z. Zejnelit të publikuar në “Politikën”  ( e 9 shkurtit). Dhe, ta them menjëherë: Disa nga hollësitë dhe mënyra në të cilën kjo është bërë  nuk më kanë pëlqyer. Dhe ja se cilat dhe përse them këtë.

Në shkrimin e përmendur iu është kushtuar jo vetëm vëmendje e madhe sjelljes dhe asaj çka kanë thënë në momente të caktuara disa të akuzuarve gjatë dëgjimit në Gjykatën e qarkut të Prishtinës, të datës 7 të këtij muaji, porse kjo është bërë në atë mënyrë, që tek lexuesit shkakton efekt të kundërt, nga ai të cilin shoku Zejneli ka dëshiruar dhe ka pritur. Përveç kësaj, pas disa fjalëve të mëdha, të tjerat janë incognito (të panjohura) për individët të cilëve ato u referohen.

Këto që thashë do ti qartësojë.

Fillimisht e konsideroj, se është e parrugë dhe pasjellshme që (ato fjalë të mëdha, v. i.) tu përshkruhet tradhtarëve të atdheut tonë socialist.

Përsëri po e theksojë se të shkruarit në këtë mënyrë për ngjarje të tilla dhe të ngjashme, nuk është, sipas meje, aspak sugjeruese dhe edukuese – kuptohet se, në kuptimin pozitiv. Ndërsa në atë negativ po, pasi që do të ndikojë në nxitjen e të gjithë Enveristëve, të cilët nga thellësia e zemrës e urrejnë vendin tonë. Sa do ti bënin shërbim, sipas paramendimit tonë, nazistët gjermanë partive komuniste të vendeve të caktuara, sikur të shkruanin në këtë mënyrë për qëndrimin e Gjorgje Dimitrovit në procesin e Lajpcigut të vitit 1933, apo fjala bie Mbretëria e serbëve, kroatëve e sllovenëve mbi qëndrimin e shokut Tito, Krsto Popivodës dhe heronjve tjerë të partisë sonë.

Ndërsa shkas për të shkruar këto nuk ka qenë vetëm shkrimi i shokut Z. Zejneli, por e gjithë atyre autorëve, të cilët në mënyrë të ngjashme përshkruajnë ngjarjet analoge në shtypin ditor, në libra, në filma dhe publikime tjera. Ndërsa redaksitë e tyre nuk u kushtojnë vëmendje të mjaftueshme atyre.

Reagimi i Gjeneral-kolonelit të aviacionit jugosllav Stevan Roglic

///

Në vijim shkrimi i korrespodentit të gazetës serbe “Politika” –  Zejnel Zejnelit të datës 8 shkurt 1983, me titullin “Deri në fund në shërbim të armikut”, nga i cili  merr shkas për reagimin e publikuar më lartë të gjeneral-koloneli i aviacionit ushtarak jugosllav, Stevan Reglic, posaçërisht raportimi mbi fjalën mbrojtëse të Rexhep Maqedoncit, njërit nga udhëheqësit e Organizatës për Republikë – PKMLSHJ.

Para gjyqit 23 nacionalistë e irredentistë shqiptarë – u dëgjua i akuzuari i parë Rexhep Maqedonci, i cili tha se nuk pendohet dhe se qëndron pranë ideologjisë së tij

Prishtinë, me 7 shkurt

Në Gjykatën e qarkut në Prishtinë, para këshillit të pesëve, sot ka filluar gjykimi i 23 shqiptarëve nacionalistë e irredentistë – pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Parti Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi” (PKMLSHJ), të cilët përgjigjen për veprimtarinë armiqësore ndaj vendit tonë.

Sot, pas vërtetimit të identiteteve të nacionalistëve e irredentistëve dhe leximit të Aktakuzës, të cilën e kanë pranuar plotësisht të akuzuarit për veprimtari armiqësore ndaj RSFJ-së, është dëgjuar i akuzuari i parë Rexhep Maqedonci nga Prishtina, absolvent i drejtësisë dhe ish milic.  

Në gjyq ai është treguar si ideologu kryesor i kësaj organizate armiqësore. Ka thënë se kjo parti ekziston nga viti 1975, kur edhe është formuar, ndërsa synimet e saj janë përcaktuar qysh në verë të vitit 1977. Mbledhjen themeluese e kanë mbajtur në shtëpinë e Abdullah Prapashticës (ai ka ikur në Turqi së bashku me Osman Osmanin dhe Faton Topallin). Në këtë mbledhje kanë qenë prezent Skender Ibishi, Nysret Ahmeti, Osman Osmani, Faton Topalli, Adem Prapashtica, Kadri Cakiqi dhe i akuzuari i parë Rexhep Maqedonci.  “Ne kemi qenë nismëtarët e mbledhjes, pasi është dashur që të njihemi me punën e mëtejme, përgatitjen e materialeve dhe taktikën e veprimtarisë”.  

“Në këtë mbledhje është aprovuar platforma e partisë, statuti dhe programi. Me atë rast, thotë i akuzuari Maqedonci, kemi paraparë, natyrisht, që Kosova të bëhet republikë në kuadër të Jugosllavisë”. Sipas fjalëve të tij, kjo ka qenë “parti unike, e cila për nga programi dhe platforma dallon nga të tjerat që veprojnë”.

Në mbledhjen themeluese të kësaj organizate armiqësore është marrë vendimi që të shkruhet e dhe shpërndahet materiali. Kjo “parti” nga viti 1977 deri 1979, në ndërkohë ka ndërprerë veprimtarinë e saj, edhe pse ka punuar më tej në përfitimin e anëtarëve të rinj, për shkak se Abdullah Prapashtica  ka shkuar në shkollim në Shkollën e lartë të Punëve të Brendshme në Beograd, ndërsa disa nga anëtarët kanë shkuar në shërbim ushtarak.  Aktiviteti i mëtejmë intensiv ka vazhduar në mars të vitit 1979. Kur kjo organizatë armiqësore ka filluar punën në përpilimin e informatës, për të treguar se ajo ekziston, të cilën ia dërgon ish kryetarit të Kryesisë së KSA dhe ish kryetarit të Komitetit Krahinor e disa organizatave shoqëroro-politike dhe disa individëve.

— Ne i kemi dërguar këto informacione, ka thënë ai, dhe kemi pritur të shohim se si do të jetë reagimi, ne jemi trimëruar dhe kemi vazhduar të dërgojmë materiale, ka deklaruar në gjyq i akuzuari Maqedonci.

Punën në këtë “parti”  Maqedonci e ndërprenë në vitin 1980, kur shkon në shërbimit ushtarak dhe kthehet me 13 prill, domethënë, pas demonstratave kundërrevolucionare të nacionalistëve e irredentistëve shqiptar.

Me shprehjen e armikut të rryer dhe me  gishtin i ngritur lartë ai deklaron me qetësi:

— Me rastin e demonstratave nuk kam qenë aty, sepse po të isha aty do të kisha marrë gjithçka mbi veti.   

Pas demonstratave armiqësore, Maqedonci shkon në Vushtrri, ku qëndron një muaj ditë, e më pas në Prizren, ku për një kohë punon si milic. 

Kjo “parti” megjithatë nuk ka ndërprerë punën e saj dhe ka vepruar deri në arrestimin e anëtarëve të saj. Ata janë përpjekur që të njoftojnë edhe disa Ambasada në Beograd për “ekzistimin” e saj, edhe Ambasadën e Shqipërisë në Beograd me programin dhe ideologjinë, për të cilën ai ka thënë se është “diçka e veçantë dhe origjinale”.

Në pyetjen se a qëndron edhe më tej në ideologjinë e tij, se mos ndoshta është penduar, ai është përgjigjur:

— Nuk ndryshoj botëkuptimet e mija, përfaqësojë ideologjinë e njëjtë për të cilën jemi përcaktuar dhe të cilën e kemi ndërtuar.

Në fund të dëgjimit ka provuar të lexojë se për çka ka “luftuar kjo parti” dhe ai vet. Me ketë rast, disa herë e ka ndërprerë kryetari i këshillit gjyqësor. Megjithatë ai me dorën dhe një gisht të ngritur lartë, sikur të ishte para foltores e jo para gjyqit, ka thënë:

— Dua të flas, pasi këtu është edhe babai im, dhe dua ti them edhe atij, se përse jam këtu dhe për çka luftojë.

Sipas tij, demonstratat nuk kanë qenë kundërrevolucionare, ndërsa ideologjia e kësaj “partie” ka qenë aq e fuqishme sa që në drejtësinë e saj ka mund ta bindë çdo kë. Deri edhe, ka thënë, se po të takohej me Mahmut Bakallin , me siguri do ta bindte edhe atë.

I akuzuari i parë Rexhep Maqedonci nuk ka dashur që ta mbrojë avokati, i cili është përpjekur që të pyesë diçka. Ai paturpësisht i ka thënë se nuk donë të ketë mbrojtës dhe se nuk donë që ai të thotë as një fjalë të vetme për te.

Sot është dëgjuar edhe i akuzuari i dytë Adem Prapashtica, punëtor nga Prishtina. Ai ka thënë se nuk pranon shumicën e veprave të cilat i vihen si barrë. E vetmja që pranon është pjesëmarrja në demonstratat e 26 marsit dhe 2 prillit të vitit 1981.

— Me një rast kam brohoritur  “Kosova – Republikë” dhe kjo ka qenë e tëra, dhe kam shpërndarë disa pamflete.

— Kam bërë mirë që kam  qenë në demonstrata deh nuk ndihem fajtor, dhe nuk pendohem se nuk mendoj se kam vepruar keq , ka thënë Adem Prapashtica.

Ka theksuar se s’ka qenë drejtpërdrejtë anëtar “partie” dhe se për ketë nuk mund të fajësohet.

Prapashtica ka pranuar se ka shkruar letrën kongresit të 11-të të LKJ-së, që Kosovës ti pranohet statusi i “republikës”, por se letrën nuk ka arritur ta dërgojë.

Gjykimi vazhdon.

Z. Zejneli

Shkrimi i korrespodentit të gazetës serbe “Politika” të Beogradit, Zejnel Zejneli, ku raporton për gjykimin e 7 shkurtit

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …