Limak Kosovo J.S.C. që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës ka fituar çmim për mbrojtjen e mjedisit “Energy Globe Awards”, që në Kosovë organizohet nga Ambasada Austriake.
Energy Globe Awards e cila në Kosovë është organizuar nga Qendra e Tregtisë së Huaj e Austrisë ka për qëllim rritjen e vetëdijesimit të praktikave më të mira të cilat ruajnë mjedisin me implementimin e projekteve të ndryshme të vogla apo të mëdha.
Projektet paraqiten nga 177 shtete të botës, nga ato të vogla dhe të thjeshta deri te ato të mëdha dhe të avancuara, dhe më 5 qershor në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit të Botës të Kombeve të Bashkuara shpallen fituesit ndërkombëtar dhe kombëtar të cilët kanë zhvilluar apo implementuar projekte që mbrojnë mjedisin. Ka shumë zgjidhje të ndryshme që vetëm ekzistojnë në botë, për zgjidhjen e problemeve të resurseve të ndryshme si ndotja e ajrit dhe ujit, energjia diellore, erozioni, ndërrimi i klimës, të cilat nuk janë të njohura.
Me shpërblimin e implementimeve të projekteve që ofrojnë zgjidhje të këtyre problemeve, Energy Globe Awards synon që të rrit vetëdijesimin rreth këtyre problemeve dhe projekteve të ndryshme të personave dhe kompanive të cilat punojnë në mbrojtjen e mjedisit. Limak Kosovo J.S.C. ka ndërtuar një sistem për menaxhimin e ujërave në Aeroport, dhe ka reduktuar konsumimin e ujit të pijshëm për 47%.
Aeroporti i Prishtinës ka pasur një sistem të vjetërsuar dhe të rrënuar të ujit, dhe ka pasur humbje të mëdha.
Po ashtu, uji në aeroport ka qenë jo i pijshëm. Limak ka ndërtuar një sistem të ri të trajtimit të ujit, dhe ka ulur konsumin e ujit për 47%, dhe e ka bërë të mundur që fshatrat përreth të kenë qasje në ujë të ujësjellësit. Fshatrat afër aeroportit ujin e tyre e kishin marrë nga bunarët e ndryshëm, dhe kanë qenë në rrezik të infektimit, pasi që uji nga bunarët është i pa trajtuar. Aeroporti i ka mundësuar atyre të kenë qasje në ujësjellës. Po ashtu, me implementimin e këtij projekti, Limak ka ulur koston e konsumimit të ujit.
Ndërsa për ujitjen e fushave të gjelbra të aeroportit, është ndërtuar një sistem kur përdoret uji i shiut për ujitje, por vetëm kur ka nevojë për ujitje, diçka që rregullohet me sensorë të ndryshëm. Sistemi i ujit gjithashtu bën trajtimin e ujërave të zeza, të cilat para ndërtimit të sistemit janë hedhur si mbeturina industriale. Limak Kosovo J.S.C. është nderuar me çmimin Energy Globe të organizuar nga Ambasada Austriake, për punën që kanë bërë me sistemin e menaxhimit të ujërave të Aeroportit.