leoni

Ahmet Qeriqi: Njësitë e motorizuara të armikut depërtojnë në Krojmir (E diel 4 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Njësitë e motorizuara të armikut depërtojnë në Krojmir (E diel 4 prill, 1999)

Rreth orës pesë të mëngjesit  kam zgjuar Martinin, Nusretin dhe Nezirin.

Përnjëherë nisemi drejt rrugës së Kronit kah Lagja e Rizanëve dhe bëjmë tutje drejt Grykës.

Sot priten luftime të ashpra.

Rrugës këmbësore për në Grykë vërejmë popullatën e zhvendosur e cila është strehuar rrëzë lumit dhe rrëzë shpatijeve. Shumica syresh kanë depërtuar me traktorë dhe romorkio. Disa të tjerë janë vendosur nëpër qerre. Disa në qiell të hapur të mbështetur te njëri tjetri nga të ftohtit. Gjatë natës janë rregulluar qindra e ndoshta me mijëra tenda plastmasi e najloni. Të gjitha shtigjet dhe hyrjet nëpër grykat e vogla janë zënë me të zhvendosur. Është kjo një dyndje përmasash që nuk ka ndodhur ndonjëherë deri tani.

Edhe pse është herët, pothuajse të gjithë banorët e Grykës së Shpëtimit janë zgjuar. Ushtima e lumit përmbytet me zëra të thekshëm fëmijësh dhe tërë një babiloni tingujsh të pakuptueshëm që humbasin në gurgullimen magjepëse të ujit.

Bëjmë tutje drejt vendi ku është vendosur, djali im  Epiri, Isë Qeriqi, vëllai im Hasani, mjeku Naser Bytyçi me familje  dhe qindra të tjerë. Tendat janë ngritur në vendet e moçme ku kemi qenë vendosur gjatë verës së vitit të kaluar. Kësaj radhe Epiri ka  sajuar një tendë në trajtë kasolljeje dhe e ka izoluar shumë mirë.

Arrijmë në tendë. Gjithçka në dukje të parë është e jashtëzakonshme. Njerëzia janë zgjuar. Në sytë e secilit vëren lodhje, brengë por edhe një qëndresë të vetvetishme, e motivuar me lirinë dhe fitoren.

Martin Çuni dhe Nusret Pllana janë nisur në drejtim të Berishës, këmbë, nëpër Leshkë që tani e quajmë Lezhë,  e tutje kah Javori e Kleçka. Tanimë edhe këta  kanë mësuar të gjitha ecejakët e grykave dhe maleve tona. Berati me të tjerët ka mbetur në Karaçicë. Ai ka kërkuar nga Elez Dumishi që ta sigurojë përcjelljen dhe t iu ndihmojë të depërtojnë në Zonën e Neredimës. Elezi ka bërë me dije se shumë nga shtigjet që deri tani janë konsideruar të sigurta, serbët kanë vendosur mina këmbësorie dhe depërtimi është me rreziqe. Mu për këtë ka marrë vendim që të mos lejohet askush të depërtojnë në ato anë.

 Pasi kemi pushuar paksa në tendë dhe kemi ngrënë bukë, së bashku me Nezir Myrtajn jemi nisur në drejtim të Karaçicës. Beratit dhe të tjerëve iu bëj me dije se përpjekjet për të depërtuar tani në kohën kur ka filluar ofensiva dhe kur serbët iu kanë ofruar Krojmirit janë të kota. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë tjetrin. Iu tregoj po ashtu edhe urdhrin e komandës së Batalionit.

Pastaj me Nezirin kemi depërtuar  në Fushëmbifushë.

Në orën 12.00 ka filluar depërtimi i forcave armike në drejtim të Krojmirit.

Ata fillimisht kanë granatuar rreth rrugëve, ndërsa me mjete të motorizuara tanke e autoblinda kanë çarë përpara. Në Hyrje të fshatit, nga ana e Shalës, forcat armike  kanë hasur në rezistencë të fortë të forcave tona. Pas tri orë luftimesh, forcat serbe kanë hyrë në Krojmir dhe kanë filluar të djegin shtëpitë. Luftëtarët tanë janë pozicionuar në hyrje të Grykës së Shpëtimit. Tutje nuk mund të shkelë këmba e armikut.

Derisa po ecnim nëpër Rrafshnaltë së bashku me Nezir Myrtajn vërejmë disa ushtarë të cilët janë tërhequr nga Pjetërshtica nëpër Rrahin e Latifit dhe kanë depërtuar në Arat Haroze. Në mesin e tyre edhe ushtar Beli, i biri i Hysen Gashit nga Pjetërshtica dhe disa ushtarë të tjerë. Ata na tregojnë se serbët kanë filluar të djegin fshatin.

Krojmiri po digjet. Qysh prej fillimit të luftës kjo është hera e parë që forcat armike po shkelin në Krojmir.

Në fshat dëgjohen shpërthime dhe shprehje armësh. Tymi tanimë ka filluar të depërtojë në Grykë.

Të lodhur dhe të dërrmuar së bashku me Nezirin kthehemi në tendën tonë në luginë. Pasi hamë bukë, Arbana na shtron vendet te kthina ku është vendosur shporeti. Në tendën kryesore  janë strehuar  tërë familja ime dhe e Jakup Krasniqit.

Unë dhe Neza mbështejellemi me nga një batanije.

Në orët e vona të natës vjen, komandanti i Batalionit, Elez Durmishi. Ai më rrefen tërë rrjedhën e ngjarjeve. Tani për tani nuk ka humbje në radhët e ushtarëve të cilët e kanë fortifikuar Grykën në hyrje dhe në të dyja anët. Elezi është fare i sigurt se armiku me asnjë çmim nuk do të lejohet të depërtojë te popullata. Ai po ashtu më bën me dije se disa nga të plagosurit rëndë qysh nesër duhet të depërtohen në zonën e Neredimës, e prej andej ndoshta edhe në Shqipëri. Problem të veçantë shkakton caktimi i personave civilë që duhet t`i bartin të plagosurit, sepse ka shumë të tillë që duan me këtë pretekst me çdo kusht të largohen nga zona jonë tamimë e rrethuar nga të gjitha anët.

Nga gurgullima e ujit të lumit dhe nga  rrymimi i ajrit që krijohet në Grykë nuk dëgjohen goditjet që NATO-ja gjatë natës ndërmerr nëpër caqet serbe…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …