leoni

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për ta përvetësuar  të kaluarën heroike dhe revolucionare  prej LNDSH-së, LRBSH-së deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës,  në mos anakronike janë  përpjekje për deformimin i historisë, për rishkrimin e saj mbi baza partiake, për përvetësimin e  saj me qëllim për të marrë namin e lavdet, sidomos  nga ata që më së paku kanë dhënë kontribut, por kanë ditur dhe dinë të manipulojnë, sepse për këtë punë kanë treguar dhe po tregojnë zotësi, mirëpo nuk duhet harruar  se gjithsecili pjesëtar i një kombi  është i  detyruar t’ i shërbejë Atdheut të tij, pa shpërblim, nuk është për t u qortuar ai i cili i shërben atdheut edhe shpërblehet, sikur shumë syresh u shpërblyen dhe u vetëshpërblyen nga “Fondi Venëlindja Thërret” e fonde të tjera,  por nuk  ka gjë më të poshtër sesa ta deformosh dhe ta manipulosh të vërtetën, reale dhe objektive, për interesa subjektive, klanore e partiake.

Organizatat kryesore atdhetare  në Kosovës që nga LNDSH-ja e deri te LPK-ja

Prej LNDSH-së e deri te UÇK-ja në Kosovë e më gjerë, pastaj edhe në mërgatë kanë vepruar shumë organizata e grupe atdhetare, të cilat në vazhdimësi kanë ruajtur esencën e platformës të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri. Kjo vertebër e programit kombëtar të shqiptarëve ka qenë dhe ka mbetur synimi aspirata ende e pa realizuar e shqiptarëve tani për tani të ndarë në dy shtete shqiptare, Shqipëri-Kosovë dhe pjesa e tokave shqiptare në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi.

Organizata që lidh segmentet më të rëndësishme të zhvillimeve revolucionare, prej NDSH-së  e deri te vitit 1981,  ishte “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” në vitin 1963 në krye me Adem Demaçin. Në këtë platformë kanë vepruar edhe shumë organizata të tjera si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin dhe Bashkimin e Trojeve Shqiptare, dhe “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” e Metush Krasniqit e të tjera.

Dy organizata atdhetare që patën rol dhe ndikim të madh në protestat e demonstratat e marsit, prillit e majit të vitit 1981 kanë qenë Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK) dhe Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ). Shumë nga pjesëtarët e këtyre organizatave që kishin vepruar dhe vepronin fshehtas, kishin marrë pjesë në demonstrata e protesta, madje edhe kishin shkruar, kishin bartur pankarta dhe kishin brohoritur parulla kundër padrejtësisë që iu kishte bërë dhe vazhdonte të bëhej Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht nën regjimin e RSFJ-së. Segmente të caktuara të veprimtarëve të këtyre organizatave atdhetare kanë plasuar edhe programet e tyre, me qëllim që Lëvizja të merrte hov, të zhvillohej më tej dhe të konsolidohej deri në arritje e qëllimeve për krijimin e Republikës së Kosovës, si hap i parë politik  e strategjik drejt çlirimit nga Jugosllavia dhe bashkimit me Shqipërinë.

OMLK

Në vitet 70 të shekullit 20, Lëvizja Çlirimtare veproi në platformën ideologjike të marksizëm-leninizmit, ideologji sunduese si në Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të botës. Kjo lëvizje thirrej në të “drejtën e popujve për vetëvendosje”, që ishte edhe alfa e propagandës komuniste në luftë kundër borgjezisë kapitaliste. Edhe pse e emëruar në aspektin ideologjik politik, Organizata Marksiste-Leniniste në Kosovë kishte synim çlirimin kombëtar dhe bashkimin e Kosovës e viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë.

Në mars, prill të vitit 1981, në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën u organizuan demonstrata masive me kërkesë për krijimin e Republikës së Kosovës, si njësi e barabartë shtetërore në Federatën e Jugosllavisë ( RSFJ ). Edhe pse nuk ishin nxjerrë në sipërfaqe aq sa  duhet kërkesat për bashkim kombëtar, kreu politik komunist i Jugosllavisë, në pajtim edhe me kreun komunist të Kosovës demonstratat i vlerësoi si armiqësore, të orientuara në platformë të “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Kërkesat e liridashësve shqiptarë për Republikë i përkrahu fuqishëm edhe kreu politik dhe shtetëror i Shqipërisë dhe  forcat përparimtare të botës demokratike.

Kërkesa për drejtësi, liri dhe barazi kishte bazë të fortë emancipuese, dhe thirrej në të drejtën për vetëvendosje. Në këtë platformë do të vepronin po thuajse të gjitha grupet e organizuara në vend. Kreu komunist jugosllav, në pajtim të plotë me kreun politik, pro-jugosllav të Kosovës,  mori të gjitha masat për ta shtypur kërkesën për krijimin e Republikës së Kosovës, ndërsa Serbia duke shfrytëzuar lojalitetin e neveritshëm të kësaj klase në vendin tonë, filloi diferencimin ideo-politik nën platformë të fuqizimit të bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë së shqiptarëve me serbët dhe kombet e tjera sllave.

Lëvizja revolucionare  e vitit 1981, krahas grupeve militante të studentëve,  kishte nxjerrë në sipërfaqe edhe dy liderë, të dy kaheve, apo të dy platformave, që i bashkonte interesi i njëjtë kombëtar, Hydajet Hysenin që vinte nga organizimi i fshehtë i Ilegales patriotike dhe Ukshin Hotin, i cili formalisht vinte nga Lidhja komuniste e Jugosllavisë, por  kritikonte  vijën institucionale politike të Kosovës, që nuk kishte mbështetur kërkesën për Kosovën  Republikë. Ukshin Hoti mbështeste fuqishëm kërkesat e rinisë revolucionare të vitit 1981. Këto dy figura do të jenë më vonë bartës kryesorë të dy platformave që çonin në një koncept të unifikuar, krijimin e republikës së Kosovës, si hap drejt çlirimit dhe bashkimit me Shqipërinë.

Mbrojtja para gjyqit  e Hydajet Hysenit, i cili i përkiste Grupit Marksist leninist të Kosovës, ishte burrërore dhe revolucionare, ashtu sikur edhe e shumicës së këtyre veprimtarëve të kësaj organizate, një pjesë e të cilëve edhe themelues dhe personalitete me shumë ndikim  në opinion si: Jakup Krasniqi, Azem Syla, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj, Gani Syla, e të tjerë.

Në platformë të kësaj organizate janë dënuar dhjetëra grupe veprimtarësh militantë, në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj prej vitit 1981 e deri në vitin 1989. Në vitin 1985 në platformë të Organizatës Marksiste Leniniste ishte dënuar edhe një grup i madh veprimtarësh:  Fehmi Lladrovci, Shaban Shala, Ramë Buja e të tjerë, po ashtu kuadro të lartë të luftës së UÇK-së.

PKMLSHJ

Gjatë gjysmës së dytë të viteve ’70-të të shekullit XX ka vepruar në Kosovës  edhe  organizata e quajtur, Parti Komuniste, Marksiste Leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi. Kreu i kësaj organizate, Abdullah Prapashtica ishte punëtor i sigurimit jugosllav në Prishtinë. Ai krahas veprimtarisë legale në UDB, del se kishte krijuar edhe një organizatë të fshehtë në platformë të lidhjes Komuniste, të ideuar  si Parti Komuniste, Marksiste Leniniste e shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo organizatë pas demonstratave të vitit 1981 mori përsipër edhe organizimin e një segmenti demonstratave si dhe lansimin e kërkesës për krijimin e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Pas arratisjes  nga Kosova të kreut të kësaj organizate, u zbuluan disa grupe, që kishin vepruar në këtë platformë në Prishtinë, Ferizaj, Shtime e Viti.

Gjatë gjykimit të tri grupeve të kësaj organizate  në shkurt të vitit 1983, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë,  mbrojtjes së kësaj platforme politike  i mungoi kreu dhe nuk arriti ta demonstrojë qëllimin e vërtetë të themelimit dhe veprimtarisë. Megjithatë, shumica e këtyre pjesëtarëve mbeti besnikë në përkrahje të kërkesës për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë.

Duhet theksuar me këtë rast se për shkak se platforma e kësaj organizate dukej e dyshimtë, me faktin se disa të burgosur kishin qenë edhe policë dhe disa të tjerë, për shkaqe strategjike nuk e pranuan aktivitetit,  kjo organizatë nuk gjeti shtrirje të duhur në Kosovë.  Pavarësisht kësaj,  shumica  e të burgosurve nga kjo organizatë kishin marrë pjesë në demonstrata, ishin treguar atdhetarë të pathyeshëm  dhe ishin dënuar si pjesëmarrës dhe si organizatorë të grupeve të demonstratave në Prishtinë e më gjerë.

Njëri prej themeluesve të kësaj organizate, veprimtari, Osman Osmani, shkruan se “Në demonstratat 11 dhe 26 marsit, si dhe ato  të 1,2 e 3 prillit të vitit 1981 pjesëtarët e PKMLSH morën pjesë aktive në organizimin e tyre dhe plasimin e platformës dhe kërkesave të PKMLSHJ-ës. PKMLSHJ ishte e vetmja organizatë politike që përmes programit të saj shtronte çështjen e republikës. Programi i saj partiak u përkrah nga populli dhe u shndërrua në kërkesë gjithë popullore. Me 14 prill 1981 PKMLSH i dërgon një Notë KQ të LKJ-së dhe Qeverisë jugosllave me ç‘ rast mori përsipër  përgjegjësinë për organizimin e demonstratave. Me 14 gusht 1981  PKMLSHJ i dërgoi një letër KQ LKJ-ës dhe qeverisë jugosllave duke ftuar LKJ-ën për bisedime si partner dhe parti të barabarta. Ajo publikoi shumë materiale propagandistike si „Teoria dhe praktika e revolucionit“, „Instruksione për veprim praktik“, Revistat “Revolucioni” dhe “Zëri i Atdheut”, etj.

Grupet revolucionare, jo ideologjike,  të studentëve

Një rol të veçantë në protestat e demonstratat e marsit, prillit e majit të vitit 1981, kanë luajtur qindra e mijëra studentë jo vetëm të Kosovës por edhe studentë nga Maqedonia që studionin në Kosovës, pastaj nga tri Komunat e Kosovës Lindore dhe nga Mali i Zi. Në protesta kanë marrë pjesë edhe mijëra  nxënës, kryesisht të shkollave të mesme, punëtorë e qytetarë liridashës, të cilët ose kanë vepruar paraprakisht në grupe, ose janë njohur dhe kanë mbetur shokë besnikë të idealit gjatë protestave.

Studentët protestues, shumica prej tyre, pavarësisht ndonjë lidhjeje spontane me dy Organizatat,  OMLK,  PKLMSHJ, apo edhe me organizata të tjera nuk  janë prezantuar ideologjikisht në pikëpamjet e tyre politike, gjatë demonstratave,  edhe pse nuk janë shprehur kundër, as kanë pretenduar të paraqiten si organizatorë me një platformë të caktuar ideologjike e partiake. Ata, në platformën e tyre të veprimit në fillim kishin kërkuar kushte më të mira, në mensë dhe në konvikte,  pastaj kishin shtruar edhe kërkesa të tjera sociale, si “Trepça punon Beogradi Fiton”, “Duam liri e Vetëvendosje”, Bashkim-bashkim duke i ndajshtuar  ndonjëherë edhe: “Kush nuk bashkohet është tradhtar” si dhe duke mbështetur fuqishëm e njëzëri kërkesën plebishitare: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.

Kryengritja dhe rrëmbimi i armëve në Besi nga grupet atdhetare, nxënës, studentë, punëtorë e fshatarë

Fillimin e një kryengritjeje gjithë popullore që u manifestua më  1. 2 dhe 3 prill të vitit 1981 që kulmoi në fshatin, Besi të Prishtinës me çarmatosjen e njësive rezerviste serbe nga protestuesit e organizuar, të cilët kishin bllokuar hyrjen e forcave ushtarake e policore dhe që  gjatë tërë asaj dite kishin pamundësuar qarkullimin e tyre, në drejtim të Prishtinës.

Po ashtu ata kishin çarmatosur njësitë rezerviste dhe u kishin rrëmbyer qindra armë automatike, municion dhe pajisje të tjera luftarake. Pjesëtarë të grupeve të armatosura në Besi më 3 prill kishin zbrazur rafalë kundër një helikopteri ushtarak, i cili përcillte zhvillimin e situatës, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Nga shpërthimi i tillë i kryengritjes, Federata Jugosllave kishte shpallur shtetrrethimin në tërë territorin e Kosovës prej 2 deri më 18 prill, me ç’ rast kishte dislokuar forca të shumta ushtarake e policore dhe kishte filluar represionin masiv mbi popullatën liridashëse.

Federata kishte arritur në përfundim se në Kosovë kishte ndodhur një kundërrevolucion, që do të thoshte një kryengritje popullore e shqiptarëve, të cilët kërkonin edhe ndërrimin e Kushtetutës së ish-RSFJ-së me shpalljen e Kosovës Republikë të shtatë, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë e Malit të Zi, të cilët ishin të shpërndarë në tri republika dhe një krahinë autonome.

 

Ahmet Qeriqi

Përditësuar

  1. 4. 2924

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA; Grenelli është engjëll krahasuar me Donald trumpin

Grenelli është engjëll krahasuar me……: Në Amerikë përfunduan zgjedhjet ashtu si pata shkruar në gazetën “Epoka …