Nga bodrumi i selisë jemi larguar me të aguar drita. Me shpejtësi kemi marrë të gjitha rrobat dhe pajisjet e nevojshme dhe jemi nisur në drejtim të xhipit. Pas disa minutave jemi vendosur në rrafshin afër vendit të quajtur Kodra e Baliqit, apo Zabeli i Baliqit.
Neziri me Valdet Hotin kanë mbetur te Kodra, ndërsa unë dhe Nusreti me propozim të Martin Çunit jemi nisur në drejtim të Selisë së Agjencisë, me qëllim që të bisedojmë me Berat Luzhën dhe Isë Krasniqin për të na dhënë njërin prej dy telefonave satelitorë. Me ne ka ardhur edhe Fatmir Dugolli, me të cilin mendojmë të shkojmë në Grykën e Shpëtimit.
Biseda që kemi bërë në seli me shokët dhe bashkëluftëtarët tanë ka qenë e kotë. Asnjëri prej tyre nuk lëshon pe dhe për më keq mundohen të na bindin se njëri telefon nuk bën pa tjetrin. Ç`është e vërteta Isa e di se ne nuk e njohim sa duhet punën e këtyre telefonave. Mirëpo të pretendosh ta bindësh tjetrin se telefonat satelitor nuk aktivizohen njëri pa tjetrin, është një konstatim tejet naiv dhe i paqëndrueshëm.
Kemi ndërruar pak fjalë të papëlqyeshme sidomos me Qemal Aliun dhe me Besnik Berishën, të cilët shprehin njëfarë mllefi të papërmbajtur sidomos ndaj meje duke më konsideruar fajtor përse nuk iu është dhënë mundësia të ikin nga kjo anë.
Ata e dinë mirë se kush dhe me urdhër të kujt janë kthyer, por si duket mendojnë se unë jam përzier në këtë çështje. Po të mos ishte luftë, këta farë tipash nuk do t i kisha njohur kurrë, por ja që tani, për hir të luftës dhe unitetit duhet të kapërdijmë edhe situata të tilla.
Vetëm Ismet Sopi dhe Metë Bytyçi tregohen të përmbajtur.
Nga frika se mund të vie deri te ndonjë konflikt i padëshirueshëm, largohemi nga agjencia. Unë për vetën time kam vendosur që të shkëpus të gjitha lidhjet me këta njerëz të papërgjegjshëm dhe jo meritor për luftën.
Pasi kemi dalë pa u përshëndetur nga selia e agjencisë, unë dhe Fatmir Dugolli jemi nisur në drejtim të Kleçkës, ndërsa Martini dhe Nusreti janë nisur në drejtim të fshatit Berishë.
Gjatë rrugës në relacion Fshati i Ri, Divjakë, Kleçkë, Javur, kemi vërejtur disa aeroplanë të NATO-s që kanë sulmuar mbi pozicionet serbe në Dukagjin dhe në rajonin e Anadrinit. Rreth orës 11,00 NATO-ja ka sulmuar një njësi të motorizuar serbe në dalje të Malishevës.
Pas tri orë rrugëtimi kemi depërtuar në Grykën e Shpëtimit. Nga Shullani mbi Grykë, në anën e Javurit shihet masa gjigante e tendave të grumbulluara kudo prej Mrizeve te Gurra e Gjatë e deri në Lezhë, ish Leshkë. Edhe pse në largësi vërehet gjallëria dhe lëvizja e pandërprerë e njerëzve. Përreth lumit flakërojnë rrobat e bardha, batanijet shtrojat mbulojat të cilat pasi janë larë i kanë vendosur për t i tharë. Dëgjohen edhe zëra gazmorë të fëmijëve, këngë për Adem Jasharin dhe UÇK-së, kënga Jemi trima luftëtarë e të tjera.
Në orën 16,oo shpërndahen valët e Radios Kosova e Lirë të cilën e dëgjojnë të gjithë pa përjashtim.
Në grykë afër tendës ku janë vendosur familje ime, familja e Isë Qeriqit, e mjekut, stomatolog, Naser Bytyqi e Hasan dhe Mehdi Qeriqit, takoj Shyqri Iballin dhe Besim Gashin. Ata më bëjnë me dije se kanali i furnizimeve nëpër Zborc është duke funkcionuar. Shyqri Iballi dhe Besim Gashi kanë siguruar pak karburante, margarinë, marmelatë dhe artikuj të tjerë ushqimorë. Besimi më ka siguruar një shator të vogël, disa pako margarinë dhe marmelatë për punëtorët e Radios.
Pak më vonë e takoj edhe Faruk Gashin, i cili më tregon se Kadrie Gashi bashkëshortja e Nezirit së bashku me djalin Endritin dhe Nedimin, vëlla i Farukut janë vendosur në Kumanovë në një famijle, me të cilën janë njohur edhe më parë. Ai më porositë që t`i tregoj Nezirit se ata janë mirë dhe gjatë rrugës kanë kaluar pa pasoja.
Brenda në tendë e takoj bashkëshorten time Zymryten, Labërien dhe Rrezartën. Arbana ndodhet në punë në spitalin tendë. Zamiri ka dalë me grupin e tij, ndërsa Epiri së bashku me Elhamiun kanë shkuar në fshat. Epiri dhe Elhami bëjnë roje gjatë natës në hyrje të Krojmirit së bashku me disa ushtarë të tjerë.
Kam ngrënë bukë dhe kam pushuar…