Miftar Mehani: Krenar me ty Ferid Curri (10.10.1974-15.4.1999)

Zymer Mehani: Ata janë vetë liria jonë

(Ferid Currit  dhe shokëve të tij, me rastin e përvjetorit të rënies)

Në vargun e dëshmorëve të kombit tonë, rri i rreshtuar edhe Djali i Kosovës, (siç e cilëson miku im i nderuar, poeti Fadil Curri), edhe dëshmori i lirisë, Ferid Curri.
Kalojnë ditët, javët, muajt, vitet e do të kalojnë edhe shekujt, por kujtimi për Feridin dhe për dëshmorët e kombit tonë do të mbetet prore i freskët në mendjet tona, në zemrat tona dhe në kujtesën tonë historike.
Do të mbetet prore i freskët dhe nuk do të  tretet kurrë as malli për Feridin trim, sypatrembur e atdhedashës. Ashtu si edhe ne, edhe brezat që vijnë, do t‘i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë flamuj në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë. Liria bashkohet me Atdheun. Gëzim e hare në çdo anë. Dritësim diellor, rrezegjak.
Liria ndërtohet me sakrifica, me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kështu pat thënë dikur Feridi. Kurse ne sot duhet ta dimë se dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir.Të këtij populli që luftoi parreshtur për liri shekuj me radhë.
Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija
e ngritur lart, deri në piedestalin e vetëflijimit. Ata jetuan për ne.I kemi prore gjithkund e gjithherë.Të tillë e kemi edhe Feridin syshqiponjë.Të gjallë përherë në kujtesën tonë. Me flamuj kuq e zi në duar, me një diell në gji, me një rreze në ballë, lundrojnë dëshmorët, bashkë me Feridin mbi detin e gjakut të flijuar për liri. Në paqe e në luftë, në fushë e në mal. Rendin dëshmorët për lirinë. I ke atje, këtu… Një varr, një gur, një lapidar, një përmendore. Lapidarë të lirisë ishin vetë ata, që u bënë flakadanë të përjetësuar.
Lapidar lirie është dhe Feridi ynë, për të cilin kemi mall, por edhe jemi krenarë. Atë sot dhe gjithmonë Familja Curri, Kastrioti, Kosova dhe tërë Kombi Shqiptar e kanë dhe do ta kenë Diell Lirie me rreze të dëlira, me dritë lirie. Feridi me shokët na e sollën lirinë. Ata janë vetë liria jonë.
Lavdi dëshmorit, Ferid Curri!

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …