leoni

Në komunën e Ferizaj u shënua 16 Prilli-Dita e të Zhdukurve me Dhunë

Me rastin e 16 Prillit – Ditës të të Zhdukurve me Dhunë në Komunën e Ferizajt, Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Shoqatën e Familjarëve të Personave të Zhdukur “Yjet e Zemrave” në Ferizaj, ka mbajtur një mbledhje përkujtimore. Në këtë mbledhje përkujtimore të pranishmëve me një fjalë rasti në emër të Komunës së Ferizajt, u është drejtuar Albion Sherifi  – Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ai ka thënë se sot janë mbledhur për të shënuar një datë përkujtimore, për të shënuar një ditë të dhembjes për të gjithë. “Është e rëndë, pesha e mallit, loti i dhembjes që përshkon shpirtin e çdo familjari, për të shtrenjtët e tyre, fati i të cilëve tash e mbi dy dekada nuk është zbardhur ende. Lufta jonë për çlirim, u kurorëzua me lirinë. Përpjekjet, sakrificat e brezave ndër shekuj për Kosovën, për lirinë, për shtetin tonë, nga ëndrra u shndërruan në realitet, tash e 25 vite më parë. Por ama, trupi i Kosovës së lirë, u plagos rëndë, mbeti me plagë të thella, me vuajtje  të pambarim gjer më sot, sikurse është fati i të pagjeturve. Rruga jonë për liri, la gjurmë të thella plage në trupin e Kosovës. Janë dëshmorët, janë heronjtë, janë martirët, luftëtarët e lirisë, ata që me sakrificën e tyre, i vënë vulën lirisë së Kosovës. Të pagjeturit janë dhembja e kësaj shoqërie, janë dhembje që tejkalon familjet, janë dhembje e detyrim edhe për institucionet që të bëjnë të gjithë përpjekjet, që të vënë çdo kusht, në rrugën për të ecur përpara, për të gjetur e zbardhur fatin e të pagjeturve” tha mes tjerash Sherifi. Ndërkaq, Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve në Kosovë, ka falënderuar Kryetarin Aliu, por edhe Komunën e Ferizajt, që kanë ndihmuar që qyteti ynë të ketë një datë ku të kujtojnë të zhdukurit. Ai në fjalën e tij,  ishte i  bindur se shteti serb vazhdon të mbyll sytë ndaj kësaj çështjeje dhe do të ketë nevojë për një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për të arritur ndonjë progres në këtë drejtim. Në këtë mbledhje përkujtimore ka marrë pjesë edhe Kushtrim Gara nga Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur i cili me një fjalë rasti iu drejtua të pranishmëve ku mes tjerash theksoi përpjekjet institucionale në drejtim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë. Me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe  Adelina Bekteshi nga Komiteti Ndërkombëtar “Kryqi i Kuq” gjersa në fund të kësaj mbledhje Sali Muhaxheri nga Shoqata e Familjarëve të të Zhdukurve “Yjet e Zemrave” në Ferizaj, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë mbledhje përkujtimore, duke thënë se të gjithë bashkë duhet të bëjnë presion edhe të bashkësia ndërkombëtare që të bëhet diçka konkrete rreth fatit të të pagjeturave. Me homazhe e vendosjen e luleve tek Obelisku kushtuar personave të zhdukur me dhunë nga Komuna e Ferizajt u mbyll ky organizim në këtë ditë përkujtimore. Në Komunën e Ferizajt, janë 16 persona të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …