Populli që ka heronj e burra si Shkëlzen Haradinaj nuk njeh vdekje
16/04/2024
Institucionet, Njoftime, Opinione
Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në 25 vjetorin e rënies e ka përkujtuar dëshmorin Shkëlzen Haradinaj, heroin e luftës dhe të lirisë e po ashtu edhe shokët e tij trima, Luan Nimanajn, Fatmir Nimanajn dhe Hasim Halilajn, të cilët, së bashku, ranë burrërisht në një betejë fyt për fyt e të përgjakshme me forcat pushtuese serbe, në mbrojtje të mijëra njerëzve të paarmatosur, më 16 prill 1999, në malet e Maznikut të Deçanit. Gjaku i heronjve, na bën të ndiejmë çdo ditë boshllëkun e dhimbjen e madhe, njëkohësisht, sot e përherë, edhe krenarinë e natyrshme. Vepra e tyre atdhetare është e pavdekshme dhe ndriçon rrugën tonë që kemi përpara vetes. Veprimtaria luftarake dhe trimëria e burrit kreshnik, Shkëlzen Haradinaj, natyrshëm ngulitet thellë në vetëdijen e luftëtarëve që bashkëvepruan e u njohën me të, por jehona e veprës madhështore të këtij heroi, pa dyshim se do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë luftëtarëve liridashës dhe të kombit tonë. Të pavdekshme mbeten veprat burrërore për atdheun dhe për kombin, të heroit të paepur të luftës për liri, Shkëlzen Haradinajt! Të përjetshme mbeten veprat atdhetare të heronjve të kombit, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj dhe Luan Nimanaj, të cilët bashkë me Shkëlzenin, u pavdekësuan më 16 prill 1999!