Moti është përkeqësuar. Shi, stuhi, pastaj mjegull. Kemi mbetur në tendë dhe po presin derisa të pushojë shiu. Ushqimin e kemi reduktuar. Vetëm dy herë në ditë hamë bukë. Në mëngjes buk qaj dhe margarinë, ndërsa në orët e mbrëmjes Rizah Berisha na sjellë bukë e gjellë nga tenda ku jeton me tërë familjen.
Duke qenë se është prishur moti, sot nuk kanë lëvizur nga bazat e tyre as aeroplanët e NATO-s.
Kam fituar përshtypjen se kundërzbulimi serb ka të dhëna të sakta për lëvizjen e aeroplanëve të Aleancës Veriatlantike. Sa herë që fillojnë sulmt ata tërhiqen në bunkerët e tyre. Serbët kanë filluar ta kamuflojnë armatimin. Tanket dhe autoblindat i mbulojnë me dushk, ndërsa në vendbanime edhe me kashtë.
Edhe sot ka vazhduar vala e tmerrshme e dëbimit.
Mijëra banorë prej Mitrovice janë nisur për në Shqipëri. Mijëra të tjerë janë drejtuar në kufirin e ish RJ të Maqedonisë. Kriza e luftës tanimë po kthehet në krizë humanitare dhe bota i ka drejtuar sytë kah të dëbuarit, duke u përpjekur që t`iu shkojë në ndihmë. Organizatat e ndryshme humanitare kanë marrë përsipër përkujdesjen për të dëbuarit. Ata po maltretohen sidomos në kufirin sllavomaqedon, ku autoritetet e atjeshme i lënë për të pritur me ditë të tërë në shi dhe qiell të hapur. Vendkalimi në Bllace kthyer në një golgotë të vërtetë të mundimeve, bëjnë të ditur lajmet nga atje.
Edhe sot në magjistralen Prishtinë –Pejë po parakalojnë të dëbuarit të cilët nga frika e masakrave po dyndën drejt Shqipërisë, pa menduar se ç do të behet pastaj. Serbët në kufi po iu marrin dokumentet dhe pasi i plaçkitin dhe i torturojnë duke pritur ditë të tëra i lirojnë të kalojnë kufirin.
Martin Çuni dhe Valdet Hoti janë nisur në drejtim të Fshatit të Ri. Martini ka ndërmend të vizitojë ushtarët në front, ndërsa Valdeti i merr informacionet që kanë arritur në Kosovapres. Po ato informata së bashku me Nezirin i rishkruajmë, duke i plotësuar edhe me lajme të tjera të cilat i shkëpusim nga agjencitë e huaja të lajmeve.
Emisioni ende po transmetohet drejtpërdrejt nga bunkeri meqë tani për tani nuk kemi kushte për përgatitje të ndonjë emisioni tjetër.
Sot kemi kaluar një ditë monotone dhe tejet të zymtë.
Pas dite kam depërtuar afër Pallanikut të Vogël dhe kam soditur me durbi Grapin e Fushmbifushën në Krojmir. Atje kam vë re tendën te Mysi ku është caktuar një njësit ushtarësh për vëzhgim, të cilin e udhëheq Ali Durmishi. Tenda më bën me dije se në Grykën e Shpëtimit nuk ka ndryshime…