Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në veprim aeroplanët e NATO-s. Krerët e luftës kanë marrë informacione për luftimet e ditës së djeshme dhe si duket sot na kanë ardhur në ndihmë. Mjafton vetëm defilimi i tyre mbi pozicionet e armikut për të pamundësuar akordimin e sulmeve. Në raste të tilla ushtarët dhe policët serbë largohen nga armët e tyre të rënda prej frikës se ato janë në shënjestër të aeroplanëve të NATO-s.
Rreth orës 12.00 forcat serbe, të provokuara nga luftëtarët tanë kanë rifilluar sulmet në Arllat, Tërpezë, Kizharekë e në pika të tjera. Vetëm pas 10 minutash serbët e kanë ndërprerë sulmin meqë ka filluar fluturimi i aeroplanëve të Aleancës Veriatlantike. Pas disa kontrollimesh të terrenit aeroplanë bombardues të NATO-s kanë goditur forcat serbe në Llapushnik, në Arllat dhe në Terpezë. Goditjet kanë qenë në caqet e planifikuara. Në të njëjtën kohë kanë goditur në drejtim të tyre dhe luftëtarët tanë. Sot është zhvilluar një luftë e vërtetë. Nga ajri NATO-ja ndërsa nga pozicionet në tokë UÇK-ja. Kjo iu ka dhënë zemër luftëtarëve tanë, të cilët nuk kanë as armë të mjaftueshme, as municion rezervë. Pikërisht ashtu sikurse ka thënë zëdhënësi I NATO-s, Xhejmi Shia, se UÇK-ja po i nxjerrë forcat ushtarake e policore serbe në sipërfaqe, për të intervenuar pastaj aeroplanët e NATO-s. Ky akordim i sulmeve NATO-UÇK do t`i çmend fare forcat kriminale serbe
Sot kemi marrë shënime të sakta për zhvillimet e luftimeve në Gradinë dhe anë pikat e tjera luftarake. Pas betejës 12-orë kanë rënë në altarin e atdheut, mitralisti i mirënjohur nga Kishareka, djaloshi shtathedhur Islam Kastrati, luftëtar i përkushtuar. Ismali ka rënë në bjeshkët e Berishës, në pikën strategjike, në mbrojtje anësore të Gradinës. Së bashku me Islamin ka rënë edhe Mentor Gashi, një luftëtar i ri 17 vjeçar, djalë i mikut të Rizah Berishës. Në pozicionet fyt për fyt me bandat serbe, që janë përpjekur të depërtojnë me këmbësori, në Grandinë, kanë rënë: luftëtari Halim Bajraktari-Hoxha, pastaj Mentor Nazmi Morina nga Arllati dhe Ramadan Bytyçi.
Ushtarët tanë që kanë luftuar tërë ditën në Gradinë bëjnë të ditur se serbët kanë lënë shumë të vrarë dhe të plagosur. Në radhët e tyre ka rënë edhe kryekrimineli Gjurë nga Kieva i cili i ka prirë ekspeditës së këmbësorisë. Trupin e tij nuk kanë arritur ta tërheqin kriminelët serbë.
Epilogu i luftimeve të ditës së djeshme në zonat e luftës çlirimtare nuk dihet por druhet se është shumë i përgjakshëm.
Jemi nisur në luftë për liri dhe kthim prapa nuk ka.
Heroizmi që është dëshmuar dje te Shkëmbi i Gradinës, Te Lagja e Bytyçve në Arllat, në Tërpezë dhe në vendluftime të tjera është i pashembullt. Lufta Çlirimtare po merr hov sidomos tani kur gati askush nuk dyshon në epilogun e turpshëm të armatës vrastare okupatore serbe.