leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: Kastriot Myftaraj kërkon nga gjykata ta ndalojë Kur’anin!

Kohë më parë, saktësisht më 26 maj të këtij viti, Kastriot Myftaraj i paraqiti Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës kallzim penal, me kërkesë  “që gjykata ta hetojë dhe ta ndalojë Kur’anin, si libër që përmban një plan gjenocidi kundër njerëzimit, që nxitë urrejtje ndërmjet feve, etnive, racave dhe që fyen e poshtëron pjesë të popullsisë”! Sipas kërkesës së Myftarajt, gjykata duhet ta ndalojë leximin dhe praktikimin e Kur’anit në ritet fetare të myslimanëve në Shqipëri.  Një kërkesë të tillë nuk e ka bërë askush tjetër në botë deri më tash, qe sa kohë ekziston ky libër i shenjtë, më tepër se 14 shekuj. Në kohën e diktaturës komuniste, për arsye tjera në Shqipëri ishte ndaluar praktikimin e fesë (1967), por askujt nuk i kishte shkuar ndërmend të ngritë procedurë gjyqësore dhe ta akuzojë Kur’anin si libër-plan gjenocidi kundër njerëzimit!

Në arsyetimin e kallzimit penal, autori ka cituar pjesë nga sure (kaptina) dhe fjali (ajete) të Kur’anit, për të “argumentuar” tezën e tij, gjoja se Kur’ani përmbaka plan gjenocidi kundër njerëzimit, dhe bla-bla-bla tjera që nxitin dhunë. Si studjues i “devotshëm” anti-Kur’anor, Myftaraj citon edhe dispozita të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, me te cilat Kur’ani qenka në kundërshtim të ashpër. Sipas Myftarajt, librat e shenjta të feve (besimeve) tjera nuk përmbajnë fyerje dhe thirrje të tilla, për dhunë ndaj feve tjera dhe besimeve tjera, siç paska (sic) Kur’ani! Dhe menjëherë po ia them zotëri Myftarajt, se sipas një analize që ka bërë inxh.Tom Anderson, për fjalët e dhunës që përmbajnë librat e shenjtë, ai kishte konstatuar se Dhjata e Vjetër është dy herë më e dhunshme se Kur’ani. Sipas asaj analize, vrasjet dhe shkatërrimet janë përmendur 5,3% në Dhjatën e Vjetër, 2,8% në Dhjatën e Re dhe 2,1% në Kur’an (shih: “Tirana Observer”, Tg.12.02.2016).

Autori i kallzimit penal, duke mos e ditur dhe kuptuar drejtë gjuhën dhe filozofinë e Kur’anit, apo me qëllim të caktuar, ka nxjerrë nga konteksti citate, të cilat i quan “plan gjenocidi” kundër njerëzimit, gjë që nuk e ka thënë askush deri më sot. Përkundrazi, shumë shkencëtarë eminentë botëror, të besimit joislam, të fushave të ndryshme shkencore: të anatomisë, fizikës, gjeologjisë, astronomisë, hidrologjisë e oqeanisë, janë impresionuar dhe mrekulluar me përmbajtjen e Kur’anit, precizitetin dhe  saktësinë e tezave që përmbajnë ajetet kuranore, të cilat shkenca i ka vërtetuar shumë shekuj më vonë, me anën të mjeteve sofistikuara, duke ardhur në përfundim se ato i ka ditur vetëm All-llahu i gjithëdijshëm e fuqiplotë, të cilat i ka shpallur si udhëzime njerëzimit, përmes të dërguarit të Tij, Muhammedit.a.s., në Kur’anin famëlartë. Dhe tash, pas ma se katërmbëdhjetë shekujve të ekzistimit të pandryshuar, gjendet një guardian islamofob dhe kërkon ndalimin e librit më të njohur, më të përhapur, më të përkthyer e më të lavdëruar të botës!

 Falja e namazit të Bajramit nga një imam arab, rrënueka laicitetin e shtetit të Shqipërisë!

Kastriot Myftaraj mori shkas, nga falja e namazit të Fiter-Bajramit në Bulevardin e Tiranës, që të gjuajë edhe njëherë me shigjetat e tij të helmatisura islamofobike. Për shkak se faljen e namazit të Bajramit e udhëhoqi, sheiku Saleh bin Muhamed bin Ibrahim al Talib, që është imam i Xhamisë së Qabes (në Mekë të Arabisë Saudite), e që ishte mysafir i ftuar i Bashkësisë Islame të Shqipërisë, zotëri Myftaraj këtë e quajti: “Atentat islamik ndaj rendit kushtetues laik shqiptar”. Një shkrim të gjatë në këtë temë e botoi në disa media shqiptare e të jashtme. Myftaraj “vërteton” se “ftesa e imamit nga Arabia Saudite (i cili në vendin e tij është edhe gjykatës i Gjykatës së Lartë), bie ndesh me rendin e brendshëm kushetues laik shqiptar”, por nuk mund ta gjejë asnjë dispozitë të kushtetutës për ta ilustruar konstatimin e tij. Edhe masat e sigurisë që ka zbatuar policia e shtetit, për sigurinë e mysafirit gjatë qëndrimit në Shqipëri, Kastrioti e quan veprimtari antikushtetuese. Përkundrazi, në dispozitën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (neni 10 par.4) është përcaktuar se “Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëra-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve”.

Drejtimi i faljes së namazit të Bajramit, nga një mysafir i lartë i fesë myslimane, imam i Xhamisë më të njohur në botë, të cilën çdo vit e vizitojnë 3-4 milionë pelegrinë dhe falen pas atij imami, është nderë dhe privilegj i myslimanëve për cilindo vend. Ndoshta do të jetë kjo njëherë, një rast, në jetën e tij, dhe kurrësesi nuk e shkelë kushtetutën, nuk e prishë as rrënon laicitetin e shtetit shqiptar, as nuk paraqet kurrëfar rreziku as atentati kundër laicitetit të shtetit, siç e cilëson Myftaraj, si vepër penale dhe si strategji për goditjen dhe zhdukjen e laicizmit në Shqipëri.

Dhe, Myftaraj e ka manualin me reçetat e tij efikase, se kush e si duhet të veprojë kundër Kur’anit dhe islamit. “Poqese nuk veprojnë organet e shtetit, atëherë duhet të veprojnë forca tjera, dhe kjo është shumë më e lehtë të bëhet se ç’mund të imagjinojnë shumëkush”. Këtë kërcënim e pat publikuar në Facebook, nga rasti i vizitës dhe fjalimit të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan në Prezë.

Po, Myftarajn nuk e brengosë as e pengon udhëheqja e Kishës Ortodokse Shqiptare nga një agjent i Asfalisë greke, Janullatos, i cili qe plot 25 vjet zhvillon aktivitet agresiv propagandistik në frymën e “Megalidesë” dhe pretendimeve greke për “Vorioepirin grek”. Asaj kishe qe gjatë gjithë kohës e ka mallkuar gjuhën shqipe, nuk ka lejuar shkolla shqipe dhe shqiptarët e besimit ortodoks, qofshin ata ne Greqi apo ne Shqipëri, i quan grekë. Ai nuk e ka vërejtur as është i brengosur se udhëheqja e KOSh nga një klerik i një shteti tjetër, është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Nuk e brengosë as ardhja në Kosovë, sa herë gjatë vitit e patrikut të Kishës Ortodokse Serbe (Irinej), i cili haptas perhapë propagandë politike të shtetit të tij, për Kosovën si tokë serbe, që me çdo kusht e në çdo mënyrë duhet t’i kthehet Serbisë. Shkrimet e tilla iracionale të Kastriot Myftarajt, shkaktojnë indinjatë te një pjesë e popullsisë, dhe nxisin përçarje dhe urrejtje në baza fetare, gjë që paraqet rrezik të madh për kombin tonë të njohur dhe botërisht të lavdëruar për tolerancë fetare. Unë e thash mendimin tim, për dy shkrimet e përmendura, jo si avokat as gardian i Kur’anit apo islamit, sepse për to nuk kam autorizim zyrtar as kompetencë profesionale, por si qytetar që respekton secilën fe dhe besimtarët e saj,  dhe kurrëfar reagimi i askujt nuk do të mund të më provokojë të hy e të bëj polemikë të mëtutjeshme, të nivelit jodinjitoz, në këtë apo në ndonjë temë tjetër të kësaj fushe.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …