Po e rimbushte karikatorin dhe me admirim po vështronte tytën e skuqur të automatikut. Për orë të tëra nga gryka tij ishin derdhur breshëri plumbash mbi armikun. As vet nuk dinte sa orë kishte tërhequr pandërprerë këmbëzën e kësaj arme, me të cilën qe bërë njësh nga momenti që e kishte kapur në dorë. Dinte për simbiozën e qenieve të gjalla, por nuk po gjente dot shpjegim si mund të lidhej emocionalisht në këto përmasa një qenie frymore, një njeri, me një pjesë metali, këtij shoku besnik që deri tani nuk e kishte tradhtuar asnjëherë.Një grumbull gëzhojash kishin zënë vend në anën majtë të tij në istikam dhe po kaq fishekë të mbushur në anën tjetër. Sikur po prisnin me padurim të zbrazeshin në drejtim të armikut përballë. Ky i fundit kishte javë që nuk po i prante sulmet ditë as natë, me të gjithë kalibrat e armëve në dispozicion.
“Mos i hidhni në erë fishekët, trima, qëlloni në trup”.
Ishte rritur me batuta filmash si kjo dhe ja, tani kishte ardhur momenti të ishte vet protagonist, jo filmi, por i luftës së vërtetë.
“Asnjëherë në histori nuk na ka munguar trimëria, komandant. Plumbat po. Prandaj jemi mësuar të qëllojmë drejt dhe ballin mos ta ulim asnjëherë”, ia ktheu me buzëqeshje Sokoli, duke u parë sy më sy me Afrimin, shokun e bashkëluftëtarin e istikamit.
Patkoi! Kishte lexuar për doktrinën ushtarake dhe për operacione luftarake nën këtë emër. Fshati Marec përbënte një vijë strategjike depërtimi për forcat serbe që synonin të zinin pikën më të lartë të Gollakut, Zllashin, bazën kryesore të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej nga ku do të kishin nën kontroll tërë Gollakun, sipërfaqe të mëdha të Llapit e të Karadakut.
Afër 400 mijë civilë shqiptarë ishin strehuar këtyre viseve, të larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga anë të ndryshme të Kosovës. Kryesisht gra, fëmijë e pleq.
Në rrethana të një ofensive të egër, Sokoli 21-vjeçar dhe qindra pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin vënë në mbrojtje të tyre, në një vijë të gjerë prej dhjetëra kilometrash. Diku në në Butofc, afër Prishtinës, disa kilometra larg Zllashit, në një pikë mbrojtjeje edhe babai i tij, veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, Mustafë Sopi.
Që nga zhvendosja e dhunshme nga vendlindja, fshati Statofc i Kosovës së vjetër verilindore, para më shumë se një shekulli, në çdo luftë me Serbinë familja Sopi kishte derdhur gjak dhe shtëpia e tyre qe bërë konak i luftëtarëve çlirimtarë.
Kur i kishte dhënë bekimin të birit, Mustafa kishte qenë i vetëdijshëm për çmimin e lirisë, por edhe për traditën e familjes.
I riu energjik fillimisht kishte milituar brenda njësiteve guerile të Prishtinës dhe nga fillimi i vitit 1999 kishte ngjeshur radhët e UÇK-së në Gollak.
Përballë misionit vetëmohues të mbrojtjes së popullatës civile, Sokoli nuk po i vinte veshin faktit se ishte vëllai i vetëm i gjashtë motrave, e as porosisë së nënës: “Ruaju bir…”.
Ofensiva e forcave serbe po bëhej më e egër dhe shkëmbimi i zjarrit po intensifikohej secilën herë. Predha tankesh, topash e minahedhësish binin si breshër gjithandej vijës së frontit. Re të mëdha tymi mbulonin të gjitha pozicionet e luftimeve.
Në mbrëmjen e 20 prillit një predhë topi nuk kurseu as trupat e njomë të Sokol Sopit e të Afrim Vitisë. Shtatë plagë, si plagët e Gjergj Elez Alisë.
Midis bombardimesh prej pozicioneve të luftimeve u tërhoqën nga shokët bashkëluftëtarë.
Në rrethana lufte të ashpër, pa kushte spitalore dhe pa medikamente të nevojshme, mjekimi i plagëve të marra, përkundër angazhimit të jashtëzakonshëm të mjekëve të frontit, ishte pothuajse i pamundur.
Bashkëluftëtari Isë Kastrati do të merrte përsipër misionin e vështirë dhe siç i kishte rezervuar historia, fatkeqësisht të pamundur, të dërgimit në spitalet e luftës, diku në fshatrat e Llapit.
Në Bullaj të Marecit, ushtarë, policë e paramilitarë serbë kishin zënë pusi… Ashtu siç tradicionalisht ata bëjnë luftën, pritave, tinëzisht.
Rreth një muaj më parë po në pritë, në fshatin Hallaq të Lipjanit ishte vrarë komandanti për logjistikë i Brigadës, luftëtari i paepur e trimi i pashoq, Ismet Asllani – Prapashtica. Rreth pesë muaj herët në Prishtinë, njëri nga udhëheqësit e luftës së kësaj zone, Hyzri Talla, emrin e të cilit tani mbante brigada. Dy vjet më herët, po në pritë vet komandanti Zahir Pajaziti…
Në Bullaj trimave po u shtoheshin plagë të reja. Një betejë epike po zhvillohej midis dhjetërave hienave të pritës në njërën anë dhe tre çlirimtarëve në anën tjetër, në rrethana të jashtëzakonshme pozicionesh luftimi.
Në agun e lirisë, toka arbërore po ujitej ende me gjak trimash.
Isë Kastrati, Sokol Sopi e Afrim Vitia ranë heroikisht, aty, në truallin galab, pas një beteje disaorëshe, duke lënë pas heroizmin e pashembullt, për t’u skalitur përjetësisht në kujtesën e brezave.
Në sytë e bashkëluftëtarëve rezistenca ndaj lotëve do të pushonte për pak çaste.
“Trimat nuk qahen, por për të tillë djemsh lotët na kanë hije”.
Një rënie heronjsh që, siç ndodhë në luftëra çlirimtare, dhimbja shumëfishon motivin e luftës për liri dhe po kaq urrejtjen për pushtuesin.
Betimi sublim i bashkëluftëtarëve të dëshmorëve do të përjetësohej nëpërmjet vargut të rapsodit: “Edhe në varr ua dimë merakun, rrafsh dhjetë herë ua nxjerrim hakun”.
Në terrenin e luftimeve u gjetën pesë helmeta ushtarake serbe. Deri në ditën e lirisë mijëra të tjera u rrokullisën shpatijeve të Kosovës.