leoni

Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Humanistët seleksionues

Ka kohë që është bërë modë (!) në vendin tonë, që gazetarë, analistë, intelektualë e pjesëtarë të të gjitha kategorive shoqërore të skuqin apo kaltërsojnë sfondin e tyre të adresës elektronike, facebook., në shenjë solidarizimi me viktimat e sulmeve terroriste të ndonjë vendi të caktuar. Një mavijosje të sfondit të adresave elektronike e kishim muaj më parë gjatë sulmit terrorist në Francë ndërsa javë më parë kishim një skuqje të profilit të tyre pas sulmeve terroriste në Stamboll. Nuk ke se si të mos gëzohesh kur sheh këtë solidarizim të bashkëkombësve me viktimat, pavarësisht kombit apo fesë së tyre por gëzimi shuhet sakaq kur fillon të gërmosh pak më thellë për ta kuptuar më mirë këtë dukuri dhe të vjen të qash kur mëson se ky solidarizim është bërë modë, modë, modë dhe asgjë më shumë!

Mirë shumë që këta humanistët tanë ( që janë bërë aq shumë sa kemi edhe për eksport ) reagojnë kundër sulmeve në Francë e Turqi dhe garojnë se cili po bënë më shumë humanistin se tjetri, po ku e kanë humanizmin e tyre gjatë luftës së përditshme në Siri, ku vrasjet, terrori, dhuna, vuajtjet janë shumë herë më të mëdha se në Paris e Stamboll!? Ku është humanizmi dhe solidarizimi i tyre kur vriten kurdët!? Po ku vriten palestinezët, ku është humanizmi i tyre!? Kur mendon këtë humanizmin e tyre seleksionues, nuk ka se si mos të vije në mendje Muhamedi, a.s, Darvini, Martin Luter Kingu, Frojdi, Kanti e pejgamber dhe mendjendritur të tjerë.

Muhamedi a.s në fjalimin e tij lamtumirës në Mekë në mes tjerash ka thënë: Arabi nuk ka përparësi ndaj joarabit e as joarabi ndaj arabit, as i bardhi nuk ka përparësi ndaj të ziut por as i ziu ndaj të bardhit!? A i kanë analizuar këto fjalime ndonjëherë ata që na hiqen si mysliman të devotshëm pse e kanë një mjekër apo pantallona të shkurtra! A e kanë analizuar ndonjëherë këtë fjalim mbresëlënës këta gazetarët e intelektualët që solidarizohen me francezët e turqit por jo edhe me kurdët, sirianët, palestinezët e kombe e popujt të tjerë të vegjël por që nuk kanë mundësi të japin fonde e donacione e as bursa për studime sikur mund të jep Turqia e Franca e shtete të tjera të fuqishme!? I kuptoj, nuk kanë kohë këta humanistët e shtirur të lexojnë fjalime e as shkrime të njerëzve që admirohen anembanë botës sepse janë të zënë duke mbajtur ligjërata e fushata për të treguar ( aktruar ) se sa humanist janë!

 Kur sheh dhe analizon këtë humanizëm të tyre seleksionues, nuk ka se si të mos vije në mendje Çarls Darvini. Ai këmbëngulte se mbijetojnë vetëm ato qenie që ju përshtaten kushteve dhe rrethanave të caktuara! Ai shtonte më tutje se në luftën që zhvillohet në natyrë, mbijetojnë më të fuqishmit! Mbase kjo shpjegon më së miri këtë solidarizimin selektues të humanistëve tanë. Edhe ata kanë vendosur të solidarizohen me viktima të kombeve dhe shteteve të fuqishmi, sikur është Turqia dhe Franca por jo edhe me popujt e vegjël e të pafuqishëm, sikur janë kurdët e palestinezët sepse dihet se sa e sa popuj të vegjël janë tretur!!!

 Edhe Martin Luter Kingu kishte një ëndërr se do të vije një ditë kur njerëzit do të gjykohen dhe vlerësohen në bazë të veprave dhe karakterit e jo në bazë të ngjyrës! Dhe përderisa kjo ëndërr është në përfundim të realizimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë larg realizimit në pjesët tjera të botës! Edhe këta humanistët tonë seleksionues solidarizohen me viktima varësisht nga përkatësia e tyre kombëtare!!! Sipas logjikës së tyre, ne duhet të solidarizohemi kur viktima janë pjesëtar të kombeve të fuqishme por jo edhe pjesëtar të popujve të vegjël, të pafuqishëm!!!

 Janë të shumta idetë dhe teoritë që Frojdi i ka dhënë psikologjisë dhe që kanë mundësuar njohjen e njeriut abstrakt dhe konkret por është shumë interesant nëse e analizojmë nga aspekti i mekanizmave mbrojtës këtë humanizmin seleksionues që po shfaqet në formë mode nëpër adresa eleketronike! Frojdi ngulte këmbë se nëse dikush ndjen mungesën e diçkaje, ai ose ajo merret me një veprimtari që ia plotëson këtë mungesë! Një grua që nuk ka lindur kurrë fëmijë do ta kompensoj motin amnor duke treguar kujdes të jashtëzakonshëm për fëmijët! Athua këta që po manifestojnë me të drejtë humanizëm për francezët dhe turqit, ku e kanë pasur këtë humanizëm në shumë e shumë raste të tjera!? Ku është humanizmi i tyre kur qeveritarët tonë takohen me politikan serb që kanë pasur poste qeveritare në kohën kur në Kosove janë vrarë jo disa dhjetëra fëmijë por mbi 1mijë e 300 fëmijë!? Ku u struk humanizmi i tyre kur qeveritarët tonë bëjnë foto miqësore me qeveritarët serb që kanë pasur poste qeveritare në Serbi kur në Kosovë janë vrarë jo dhjetëra qytetar por dhjetëra mijëra qytetar!? A i kanë shënuar qoftë edhe dy rreshta në fb e tyre për të kundërshtuar takime të tilla me pjesëmarrës në vrasjen e bashkëkombësve të tyre!? Apo nuk kanë pasur kohë sepse kanë qenë duke bërë ligjërata dhe fushata për humanizmin, apo duke mbajtur predikime se kush e ka vendin në ferr e kush në parajsë, thua se do të jenë pjesëtar të trupës së jurisë kur Perëndia do të ia jap secilit shpërblimin dhe ndëshkimin meritor në ditën e gjykimit!!!

Shekuj më parë, një nga filozofët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Imanuel Kanti theksonte se është në natyrën e qenies njerëzore që të anoj nga viktima! Është një nga konstatimet që gjithmonë më jep shpresë dhe që më bënë ta dua qenien njerëzore por jo secilin njeri! Sa shumë do të doja të ishte Kanti gjallë dhe ta pyesja se përse disa njerëz solidarizohen me viktima të disa popujve dhe tregojnë indiferentizëm ndaj viktimave të popujve tjerë!?

Por jo vetëm kaq! Kohë më parë, për ditë dhe javë të tëra nëpër mediet e Shqipërisë dhe adresa elektronike u manifestua humanizmi dhe solidarizimi i pashoq me vogëlushin tre vjeçar i cili kishte pësuar disa shpulla dhe kërcënime e qortime nga dhunuesja, Anjeza Shabani! Gëzohesha pa masë kur shihja gjithë këtë reagim ndaj dhunimit të fëmijëve por gëzimi dhe shpresa që jemi shoqëri humaniste u shua sakaq kur një vogëlush tjetër vdiq nga dhuna e ushtruar kundër tij! Ku ishte humanizmi i medieve dhe humanistëve tonë kur vogëlushi, Almir Aliu, 4-vjeçar përpëlitej në spital nga dhimbjet prej plagëve që kishte marrë nga dhuna e një sllavomaqedonasi!? Ku ishte humanizmi i humanistëve seleksionues kur trupi i vogëlushit, Almir Aliu nuk mundi të ju bëjë ballë plagëve dhe shpirti i vogëlushit iku nga kjo botë! Pse nuk u skuqën adresat elektronike me flamurin shqiptar!? Pse heshtën mediet e Shqipërisë?, pse nuk i bënë jehonë shuarjes së jetës që në nisje, të vogëlushit, Almir Aliu!?

 Është neveritëse kur dëgjon disa duke mbajtur ligjërata për etikën e moralin dhe duke kërkuar dënim maksimal për ndonjë rast dhe heshtje për dhjetëra mijëra raste shumëfish më të pamoralshme. Për të treguar se sa të moralshëm janë dhe se sa të pakompromis janë në luftë kundër të pamoralshmëve, duke shtrënguar dhëmbët kërkojnë gurëzim për një vajzë që ka kryer marrëdhënie seksuale jashtë martesore apo që kanë tradhtuar bashkëshortët por as edhe njëherë të vetme nuk i kam dëgjuar të kërkojnë gurëzim dhe dënim maksimal për dhunuesit e 20 mijë femrave shqiptare!!! Dhe tani natyrshëm na vije pyetja, cilët meritojnë ndëshkim më të ashpër, ata që ua kanë bërë jetën ferr 20 mijë femrave apo femra amorale që ka bërë një vepër të turpshme por që nga ajo vepër nuk pësojnë femra të tjera!?

Dhe për të mos e zgjatur më shumë, humanizmi do të duhej të shfaqej sa herë poshtërohej qenia njerëzore, pavarësisht përkatësisë kombëtare, racore apo fetare. Nuk besoj se mund të kesh respekt për Zotin nëse shfaq përbuzje dhe indiferencë ndaj poshtërimit dhe shkatërrimit të padrejtë të krijesave të tij përfshi edhe njerëzit, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, racore apo fetare. Fenë islame e kemi mësuar nga Muhamedi a.s dhe ai ka predikuar: Arabi nuk ka përparësi ndaj joarabit e as joarabi ndaj arabit, as i bardhi nuk ka përparësi ndaj të ziut por as i ziu ndaj të bardhit. Dhe për fund uroj ta mësojmë sa më parë që kur njeriu vret njeriun, ai poshtëron dy herë qenien njerëzore! Njëherë duke e trajtuar si diçka të pavlerë dhe që duhet zhdukur dhe herën tjetër duke e paraqitur atë si një qenie vrastare!!! Le të shpresojmë që të kemi dhe manifestojmë sa më shumë humanizëm por jo humanizëm seleksionues!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …