Sot, në sallën e Kulturës së Komunës së Shtimes, është shfaqur premiera e filmit dokumentar, kushtuar veprimtarit, pedagogut e mësuesit atdhetar, Mustafë Bahtiri (1925 – 2007), nga Dobraja e Madhe e Lipjanit. Filmi dokumentar është realizuar nga TV Dielli.
Pas përfundimit të dokumentarit, është përuruar monografia, “Mustafë Bahtiri – Pishtar i Arsimit”, vepër e profesor, doktor, Jusuf Osmanit. Në këtë përurim folën, redaktori i librit Rexhep Osmani, recensentët, Shefki Ukaj dhe Bajram Kosumi, të cilët e vlerësuan lartë kontributin e mësuesit Mustafë në shkollimin dhe edukimin e brezave. Autori i librit Prof. Dr. Jusuf Osmani e i falënderoi të pranishmit dhe tregoi për sfidat të cilat i ka kaluar në shkrimin e kësaj monografie, Në fund, një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve e tha djali i Mustafë Bahtiri, Isa Bahtiri.
Mustafë Bahtiri ka qenë një personalitet që ka lënë gjurmë në arsim, kulturë, shoqëri në shumë treva të Kosovës, veçmas në fshatrat e komunës së Lypjanit. Ai ishte mësimdhënës me merita të veçanta, sidomos në kohën e fillimeve të arsimit në trevat shqiptare, kur mungonin mësuesit shqiptarë, e pastaj ka punuar në arsim prej viteve dyzet të shekullit të kaluar, deri kur ëshë pensionuar. Filmi dokumentar dhe monografia për jetën dhe veprën e Mustafë Bahtirit, pasqyrojnë gjerësisht angazhimin e tij të pandalshëm në arsimimin dhe edukimin e brezave të nxënësve shqiptarë, por edhe pjesëmarrjen e tij në zhvillimet shoqërore të kohës, ku vazhdimisht rrugëtoi në anën e mbarë të historisë në shërbim të kombit e atdheut.