Më shikoni?! Unë jam punëtori,
por dhe i pa punë
Skllavi i ri modern, që tashmë
nuk kam më festë
Do të ish një iluzion
që zgjedhën o shokë t’a hiqnim
Vetëm me tufa lulesh,
apo me buzëqeshje në protestë !…
Unë jam ai për liri sot a nesër
do sulmoj dhe qiejt
Atë çka në shekuj
padronët tanë, na e patën mohuar
E di që një ditë, në tërë rruzullin
ne të shtypurit proletarë
Të vjetrën botë do përmbysim
e të renë, për të ndërtuar
Dhe lufta e përbashkët
nuk ka për të na trembur kurrsesi
Vargonjtë dhe pse të rëndë
e di, që s’do na pengojnë !
Atë ditë kur ne do të vendosim
në piedestal emrin NJERI
Atëhere po..! Do kemi 1 Maj-
e të gëzuar do ta festojmë !