Në mëngjes Elhamiu dhe Epiri, së bashku me Fatmir Dugollin janë nisur për në Berishë. Ata kanë përgatitur disa ushqime për ne, të cilat duhet t`i çojnë ngarkuar në shpinë meqë nuk kemi as qerre.
Ndërkohë ka ardhur Sylë Qeriqi, i lodhur dhe i dërrmuar jo vetëm nga lufta dhe brenga por edhe nga poshtërimi që i është bërë. Syla ka një natyrë të qetë të luftëtarit popullor. Ai nuk ngutet por kur merr qëndrim nuk ka forcë që e kthen prapa. Tani po e shoh se me qëndrimin tim shumë liberal kam sjellë dëme. Lufta paska tjetër logjikë. S qenka tjetër veçse ajo e moçmja, ta vras sa s më ka vrarë, ose t`i grah unë sa s` ka filluar të më grahë ai tjetri. Po t` ishte punuar kështu me kohë, krejtësisht ndryshe do t` ishte sjellë puna.
Syla më ka treguar rrëfimin e tij dhe është fare i bindur se bëhet fjalë për një grup të caktuar të cilët veprojnë në drejtim të kundërt të luftës, ose në drejtim të kundërt të luftëtarëve të radhëve të para të UÇK-së. Syla decidivisht e kërkon mendimin tim. Unë frikësohem nga më e keqja.
I kam premtuar se pa vonuar do ta lajmëroj Shtabin e Operativës në Drenicë dhe po të jetë nevoja do të rrezikoj e do të shkoj edhe vet atje. Tani për tani duhet pasur kujdes, sepse është fare e mundshme që një klan i caktuar, ndoshta me qëllime te caktuara po mundohet të na përçarë nga brenda, pa dijeni të Shtabit apo të organit përkatës.
Nga qëndrimi i Sylës e kuptoj se ai tani e tutje do te veproje ne akord me rrethant . Ai tek e fundit e ka besimin dhe përkrahjen e dyqind e më tepër ushtarëve të Batalionit dhe të kreut të operativës në Drenicë.
Mbase kështu do të jetë shumë më mirë.
Në orët e pas ditës jam nisur për në Berishë.
Në dalje të Fshatit të Ri kam takuar Epirin dhe Elhamiun derisa po ktheheshin për në Grykë. Epiri me jep numrin e telefonit të bijës sime Antigonës që ndodhet në Gjermani si dhe numrin e vëllait të dëshmorit, nipit te Ramiz Qeriqit, Ramadan Elshani, i cili po ashtu ndodhet atje. Epiri nuk e di se unë nuk shkoj në seli të Agjencisë, as flas me Lluzhën.
Pasi përshëndetemi, ata marrin rrugë drejt Kleçkës, ndërsa unë drejt Berishës. Se si më kaplon një ndjenjë trishtimi, një ndjenjë fataliteti.
Në hyrje të Pallatit të Qeverisë në Fshat të Ri kam takuar luftëtarin, Xhelal Hajdini-Sherr i cili pret të takohet me ndonjë anëtar të Shtabit. Pasi ndahem me Xhelalin, në oborr të Pallatit shoh, Hashim Thaçin, Ramë Bujën, ushtarin që vetëquhet Nuri Beu e të tjerë.
Në tendën tonë në Berishë i takoj të gjithë. Martin Çuni dhe Valdet Hoti janë kthyer nga Zatriqi.