Ahmet Qeriqi: Kosova digjet në flakë e barot. Ibrahim Rugova me familjen e tij në përcjellje të regjimit të Milosheviqit vendoset në Itali (E enjte 6 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Kosova digjet në flakë e barot. Ibrahim Rugova me familjen e tij në përcjellje të regjimit të Milosheviqit vendoset në Itali (E enjte 6 maj, 1999)

Sërish ka ndërruar moti. Në orët e para ditës ka rënë shi, ndërsa më vonë na ka kapluar mjegulla aq e dendur sa nuk shihet më larg se 20 metra. Në raste të tilla ndihemi keq, meqë nuk mund të përcjellim zhvillimet në terren.

Nga moti i lig janë ndërprerë edhe sulmet e aeroplanëve të NATO-s.

Burimet nga terreni na bëjnë të ditur se në shumë fshatra të Drenicës, sidomos rreth Kozmaqit, Skënderajt dhe Qyqavisë serbët kanë kryer masakra të çmeritura. Druhet se shumë  civilë shqiptarë janë rrëmbyer dhe po mbahen peng në ndonjë fabrikë me qëllim që në rast të bombardimit të NATO-s të vriten civilët shqiptarë.

Masakra të tmerrshme serbët kanë kryer edhe në zonën e Llapit e sidomos në Malësinë e Marecit.

Luftime të ashpra po zhvillohen në Koshare. Atje forcat tonë po bëjnë përpjekje për ta krijuar një korridor të sigurt të armatimit për luftëtarët tanë të cilët janë të armatosur keq dhe nuk kanë municion.

Agjencitë e huaja të lajmeve kanë bërë të ditur se lideri pacifist Ibrahim Rugova me përcjellësin e tij, Adnan Merovci dhe me familjet e tyre, pas qëndrimit në Beograd kanë udhëtuar për në Itali nën përkujdesjen e Regjimit krininal të Jugosllavisë dhe të qeverisë italiane. Një ditë më parë Rugova ka kërkuar nga NATO-ja që të ndërpriten bombardimet në territorin e Jugosllavisë.

Pas transmetimit të emisionit, Nezir Myrtaj dhe unë jemi nisur në drejtim të Grykës së Shpëtimit në Krojmir.

Rrugës kemi hetuar një duhmë të padurueshme të ajrit që vjen nga djegia e karburanteve, lirimi i gazrave e ndoshta edhe i helmeve të ndryshme. Një re e dendur mjegullnaje e zezë e ka mbuluar krejt Drenicën dhe Rrafshin e Kosovës.

Pas tri orë rrugëtimi të pandalshëm kemi arritur në Grykën e Shpëtimit, e cila ende po gjallon dhe nuk po jepet.

Në tendë takoj edhe nënën time, Xhevahiren,  e cila ka ikur nga Shtimja dhe dy net ka qëndruar te Salihu në Godanc e prej andej disa ushtarë e kanë ndihmuar për të depërtuar deri te ne. Nëna më tregon se baba, Gazmendi, Shpendi, Shpresa dhe Meleqja janë duke qëndruar në Mollopolc të Shtimes, apo në mesin e popullatës së zhvendosur në male. Jam i sigurt se ata do të ndihmohen nga ushtarët e asaj ane e sidomos nga Ruzhdi Jashari, Fehmi Mujota dhe nga nipat e Sylë Qeriqit.

Më vonë ka ardhur dhe Elez Durmishi dhe më ka njoftuar me zhvillimet e fundit. Elezi është fare i sigurt se ka zbuluar shumë gjëra lidhur me  arrestimin e Sylës dhe të tre luftëtarëve tanë ditë më parë. Ai ka biseduar gjerë e gjatë edhe me Rexhep Selimin dhe me Sylejman Selimin. Tani për tani gjendja është normalizuar. Ajvaz Karpuzin dhe  Dalip Durmishin i kanë caktuar në vijen e parë të fronitit, mirëpo ata qysh prej fillimit të luftimeve kanë qenë gjithnjë në vijën e parë. Po si duket dikush nga atje për shkaqe sigurie ka hequr  ndonjë të vetin, meqë në Tërpezë vija e luftimeve është ballë për ballë me forcat serbe. Edhe kështu dinë të veprojnë mjeranët e pabesë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …