Shi dhe mjegull. Natyra megjithatë është mbushur me gjelbërim. As moti i lig, as predhat e armikut nuk na tundin nga vendi. Ne, me përgjegjësinë më të fisnikëruar dhe në anën tjetër si ushtarë besnikë të këtij populli të shumëvuajtur nëpër shekuj, po i kryejmë detyrat dhe obligimet tona.
Asnjëherë nuk jemi mëdyshur. Asnjëherë nuk jemi ankuar për kushte të vështira dhe mungesë mjetesh elementare për punë. Jemi bërë një me hallet e mëdha të kësaj popullata e cila ndodhet buzë shfarosjes.
Disa nga banorët e Drenicës Qendrore që kanë arritur të depërtojnë në Rrafshnaltë, bëjnë të ditur se pas bombardimit të NATO-s në Ferronikel të Gllogocit, kriminelët serbë kanë masakruar qindra shqiptarë. Flitet se trupat e tyre i kanë gjuajtur në shkritore, për të humbur gjurmët e krimeve.
Sot Nezir Myrtaj ka përgatitur një koment lidhur me vendosjen e Rugovës në Itali. Kemi përgatitur edhe informata nga terreni dhe nga agjencitë e huaja të lajmeve. Martini ende nuk është kthyer nga Zona e Drenicës.
Burimet serbe të informimit kanë bërë të ditur se është gjetur i vrarë trupi i profesor Fehmi Aganit. Serbët këtë krim po pretendojnë t`ia përshkruajnë luftëtarëve të UÇK-së, edhe pse nuk kanë dhënë kurrfarë hollësish rreth vrasjes. Derisa Ibrahim Rugova me aeroplan dhe në përkujdesje të Milosheviqit shkon në Itali, profesor Agani rrëmbehet në mesin e turmës, e cila ishte nisur me tren drejt kufirit me Maqedoninë dhe vritet. Kjo tregon se Agani dhe Rugova nuk kanë vepruar në të njëjtën rrugë. Ata si duket pas Marrëveshjes së Ramujesë janë larguar njëri nga tjetri.
Po sot është bërë e ditur se Aeroplanët e NATO-s me qëllim apo gabim kanë goditur godinën e ambasadës kineze në Beograd. Me këtë rast kanë pësuar shumë kinezë dhe disa gazetarë serbë.
Kundër-reagimet e Kinës dhe të Rusisë kanë qenë tejet të ashpra dhe ka rrezik të shpërthejë ndonjë konflikt në mes të mëdhnjve. Këtë do ta dëshironte sidomos kryekrimineli serb Milosheviq. Sulmin e kanë dënuar edhe kryesuesit e disa shteteve perëndimore të cilat kanë qenë kundër intervenimit të NATO-s në Jugosllavi.
Pas transmetimit të programit ditor Nezir Myrtaj ka shkuar në selinë e agjencisë me qëllim që komentin e ditës së sotme për mes faksit ta dërgojë në disa agjenci. Tani e tutje në raste të veçanta jemi të shtrënguar të veprojmë në këtë mënyrë.
Në mbrëmje si gjithnjë mbulohemi me batanije dhe shtrihemi në krevatët e metaltë. Edhe pse në natyrë, tendën e kemi izoluar mirë dhe gjatë natës nuk kemi të ftohtë…