Qysh herët në mëngjes forcat ushtarake dhe policore serbe kanë ndërmarrë sulme të gjithanshëm në drejtim të Budakovës, fshatrave dhe pozicioneve të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Neredimës.
Nga kodra afër Pallanikut edhe pse në një largësi afër 30 kilometra dëgjohen të shtënat dhe shihet tymi i shtëpive që po digjen. Ashtu sikurse në ofensivat paraprake edhe kësaj radhe serbët po përpiqen në depërtojnë në Rrafshnaltën e Budakocës dhe të Jecercit nga ana jugperëndimore e zonës.
Reporteri dhe luftëtari i lirisë, Ruzhdi Jashari ka bërë të ditur se Zona Operative e Neredimës është rrethuar nga të gjitha anët. Forcat serbe te Gështenjat në Shtime si dhe nga Kazerma e Ferizajt, pastaj në pikë-qëndrimet tjera si në Neredime, në Dramjak, në Koshare, Te Pishat e Shtimes, po sulmojnë nga ana veriore dhe verilindore, ndërsa nga ana jugperëndimore ka filluar depërtimi i forcave armike drejt Budakovës. Ai ka bërë me dije po ashtu se nën rreze të granatimeve të pandërprera që po ndërmerr ushtria dhe policia serbe janë fshatrat: Mollapolc, Petrovë, Reçak, Topillë, Graiçevc, Luzhak, Rancë, Budakovë, Krushec, Muhlan e fshtra të tjera. Sipas përshkrimeve që Ruzhdi Jashari iu ka bërë zhvillimit të ngjarjeve, del se kjo zonë është në rrezik permanent. Luftëtarët dhe eprorët e UÇK-së po ndërmarrin të gjitha masat për t`i mbrojtur pozicionet dhe popullatën civile e cila është zhvendosur në Grykën e Luzhakut, të Llanishtit, në Mollapolc dhe në lugina të tjera të maleve…
Pikërisht atje diku duhet të jetë edhe baba im, Aliu shtatëdhjetë e pesë vjeçar dhe familja e vëllait tim Isufit të ndjerë: Shpendi, Gazmendi, Shpresa dhe nëna e tyre Meleqja…
Nuk kemi të dhëna të sakta për numrin e popullatës së zhvendosur por mendoj se duhet të jenë me dhjetëra mijëra. Si do të vejë halli i tyre tani kur janë në rrethim fatal të forcave të tmerrit dhe të krimit?
Edhe pse aeroplanët e NATO-s kanë fluturuar mbi zonën e luftimeve në Neredime, tani për tani nuk ka të dhëna për ndonjë sulm nga ajri kundër pozicioneve të armikut.
Lajmet që shpërndahen nga dëshmitarë okularë në disa vendbanime të Drenicës bëjnë të ditur se forcat kriminale serbe e kanë grumbulluar popullatën shqiptare në Gllogoc dhe nuk di kush të shpjegojë se ç` po bëhet atje. Disa sjellin informacione tejet të pabesueshme, disa të tjerë thonë se prej atje me autobusë po i nisin në drejtim të Shkupit. Diçka e tmerrshme ka ndodhur me popullatën civile, ashtu sikurse në Izbicë e ndoshta edhe më keq, por tani për tani nuk kemi informata të hollësishme.
Edhe sot kemi bërë përpjekje të pareshtura për ta përgatitur si duhet emisionin. Vetëm tri informata i kemi marrë nga Agjencia, të tjerat i kemi sajuar duke u mbështetur në të dhënat tona nga terreni dhe në burimet e huaja të lajmeve…
Emisionin e kemi përgatitur dhe ashtu si zakonisht Nusret Pllana me Valdet Hotin dhe Fatmir Dugollin e kanë realizuar drejtpërdrejt nga bunkeri…