Institucionet e Kosovës së pavarur duhet ta nxjerrin në dritë monografinë e historisë së rezistencës kundër pushtimit serb

Duke qenë se institucionet tona të sotme shkencore, nuk merren ( ose merren fare pak) me trajtimin e periudhave të luftës së organizuar ilegale dhe legale kundër pushtuesit, duke qenë se shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve ishin në të kaluarën dhe ende kanë mbetur nëpër verigat e ideologjive dhe politikave të caktuara, kanë mbetur anash edhe temat më të rëndësishme të së kaluarës, të cilat do ta afirmonin qëndresën shekullore të shqiptarëve kundër robërisë serbe prej vitit 1912 deri në qershor të vitit 1999.
Institucionet e mirëfillta shkencore të së ardhmes, duhet të rivlerësojnë gabimet ideologjike që janë bërë sidomos në trajtimin e Lëvizjes së Rezistencë së Azem Galicës dhe të luftëtarëve të tjerë të Kosovës kundër robërisë serbe, lëvizje e cila është cilësuar si Lëvizje Kaçake, do të thotë si lëvizje e banditëve dhe e hajdutëve shqiptarë kundër regjimit serb.
Duke i mbetur besnikë frazeologjisë pushtuese, duke mos e trajtuar atë në mënyrë kritike dhe shkencore, disa historianë, apo thënë më mirë shumica dërrmuese e historianëve në Kosovë, Shqipëri dhe në ish RJ të Maqedonisë, luftëtarët e lirisë, të periudhës së pushtimit turk dhe serbë i kanë quajtur kaçakë, komitë, banditë, vrastarë, hajna e të tjerë.

Ja si përshkruhen kaçakët shqiptarë nga historianët serbë

”Dokumentet na flasin për zullumin individual dhe masiv mbi serbë, për plaçkitjen dhe dëbimin. Kjo është fotografia e errët e gjendjes së atëhershme, e cila do të mbartet në shekujt 18,19,20 dhe 21. Zullumi dhe krimet e turqve kundër serbëve ishin të egra, por ajo që bënë shqiptarët kundër serbëve, tejkalon të gjitha krimet, të cilat janë shënuar nëpër anale të kohës. Të këqijat më të mëdha i kanë sjellë serbëve kaçakët që kanë origjinë qysh nga koha e Turqisë, prej shekullit të 16-të. Kaçaku dhe vrastari janë njësuar në një, sepse kaçakët dhe plaçkitësit gjithnjë kanë qenë terroristë. Kaçakëria nuk pranon asnjë regjim apo shtet. Kur nuk ka shtet efikas, atëherë kaçakët orgjizojnë, zgjohet ndër ta mentaliteti kaçak, i cili përfaqësohet në marrëdhënie pasive ndaj ligjeve të pushteti, dhe kjo ndodh te shqiptarët, me qëllim të përmes rrugës së dhunshme të arrihet deri te ndërrimet, Në këtë mënyrë mentaliteti kaçak lirohet dhe sërish hedhet në vrasje e plaçkitje.” Po me këtë përmbajtje janë përkufizuar luftëtarët shqiptarë edhe nga Vladan Gjorgjeviqi, Jovan Haxhi Vasileviqi, Jovan Tomiqi, e shumë të tjerë
Përshkrimin e shënuar më lartë për kaçakët e ka sajuar historiani serb, Jovan Xheletiq në studimin e tij racist “Prejardhja e shqiptarëve”. Është me interes të vërehet se historiografia shoviniste serbe, mentalitetin luftarak shqiptar e identifikon si mentalitet tipik plaçkitës, si mentalitet tipik shqiptar. Dhe nuk është për t u habitur përse historia serbe dhe serbët e edukuar në këtë frymë i urrejnë patologjikisht shqiptarët, sepse ata tashmë i besojnë këtij përkufizimi. Po kështu i ka trajtuar “kaçakët”, edhe historia jonë e shkruar dhe e zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, e cila ishte opologjete besnike e po asaj shkolle raciste antishqiptare. Kështu ndodhi që me emërtimin “kaçakë” të identifikohen të gjithë luftëtarët çlirimtarë prej Ahmet Delisë, Azem Bejtës, Shote Galicës, Elez Isufit, vëllezërve Bajçinovci e qindra të tjerëve. U trajtua si lëvizje Kaçake tërë historia jonë e rezistencës aktive, prej vitit 1912 e deri në fillimin e luftës së Dytë Botërore. Mjerisht, ky emërtim pezhorativ, racist, antishqiptar haset kudo në shkrimet e historianëve tanë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe jo vetëm gjatë kohës së pushtimit, por edhe sot e kësaj dite, shtatë vjet pas çlirimit nga Serbia.
Shkenca historiografike shqiptare me këtë rast ka bërë, dhe vazhdon të bëjë një krim të pafalshëm, dhe do të duhej që këtë damkë të zezë të lajë sa më parë. Përndryshe dënimi moral ndaj studiuesve të tillë do të jetë i pamëshirshëm. Sepse ky interpretim nuk ndodhi vetëm nga moskujdesi gjuhësor, por nga vetë përmbajtja dhe qasja metodologjike, nga shpirti skllav e rob që në mendjen e disa historianëve shqiptarë gjallonte në të njëjtat valë me shkencën raciste serbe, në esencë antishqiptare.
Edhe lufta e UÇK-së në historiografinë serbe vazhdon të trajtohet si lëvizje terroriste, kaçake, bandite, vrastare. Pas luftës në Kosovë forcat kundërshtare të luftës, dhe ikanakët filluan të vënë në përdorim trajtat pezhorative si UÇKA, “grupet e armatosura”, “njerëzit e malit”, “Drenicakët” e formulime të tilla antishqiptare, pa çka se thuheshin nga goja e shqiptarëve, e atyre shqiptarëve, të cilëve, gjatë luftës iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e atdheut. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …