Moti ka filluar të përmirësohet. Gjelbërimi është shtrirë në të gjitha poret e natyrës. Dushku ka krijuar kushte për strehim dhe lëvizje të suksesshme nëpër pyje.
Aeroplanët e NATO-s nuk po ndërmarrin sulme të intensitetit të para disa ditëve. Goditja në godinën e ambasadës kineze ka shkaktuar konfuzion e mbase edhe frikë nga ndonjë kundërpërgjigje e mundshme nga Pekini apo Kremlini. Armata serbe që ndodhet në pozicione lufte në Kosovë ende nuk ka pësuar goditje serioze. Nuk dihet numri i ushtarëve të vrarë në radhët e armikut. Sipas të gjitha gjasave është fare i vogël, meqë tani për tani NATO-ja po i kursen ushtarët serbë duke iu bërë thirrje që të dorëzohen dhe të mos vriten kot, pasi që luftën e kanë të humbur. Edhe ne, sipas sugjerimeve të Komandant Çelikut dhe komandant Rexhep Selimit, kemi sajuar një thirrje drejtuar ushtarëve serbë, që të dorëzohen, duke qenë lufta e tyre okupatore është e humbur. Ushtarëve serbë iu bëjmë thirrje që të dorëzohen në pikat tona duke u zotuar se ata do të trajtohen sipas konventave ndërkombëtare për robërit e luftës.
Ky apel do t`i egërsojë edhe më keq forcat serbe që na kanë rrethuar, po ashtu kjo mund të keqinterpretohet edhe nga popullata civile, e cila ndodhet në kushte tejet të rënda ekzistenciale. Mirëpo ne jemi në luftë dhe kthim prapa nuk ka. Jemi po ashtu të bindur se me ndihmën e NATO-s do ta dëbojmë përgjithmonë armikun serb nga trojet tona.
Pasi e kemi transmetuar emisionin, në tendën tonë në Rreze të Baliqit ka ardhur Elez Durmishi, komandant i Batalionit `Ruzhdi Salihu` të Brigadës 121 Ismet Jashari-Kumanova. Elezi ka ardhur me qëllim që ta takojë Rexhep Selimin por ende nuk është takuar me te.
Rreth orës 17. të dy jemi nisur në drejtim të Krojmirit. Elezi ka ndaluar në Fshat të Ri, ndërsa unë kam bërë tutje, në drejtim të Kleçkës dhe të Krojmirit. Në rrugë kam takuar qindra të zhvendosur që kanë arritur nga Drenica Qendrore. Burra pleq të lodhur, në mesin e tyre edhe ushtarë të dërrmuar nga rruga dhe luftimet. Kam takuar edhe Muhamet Lladrovci,n babai i dëshmorit Fehmi Lladrocvi së bashku me disa të afërm të tij. Baca Muhamet e ka hallin e familjes. Ai shkon në Divjakë te një mik i tij me qëllim që të vendoset atje. Në rrugëtim e sipër Muhamet Lladrovcit i tregoj hapësirën, të cilën ende e mbajnë nën kontroll dhe ai sikur habitet në shpjegimin tim. Po ashtu iu kam bërë me dije se nëse nuk gjejnë vend në Divjakë mund të depërtojnë në Grykën e Shpëtimit në Krojmir dhe atje do t iu bëjmë vend dhe do t` iu ndihmojmë me gjithë çka kemi. Në hyrje të Divjakës jemi përshëndetur, ndërsa unë kam marrë rrugë në drejtim të Kleçkës.
Në kompleksin e Shtabit në Divjakë kam takuar Ajvaz Berishën, Idriz Hysenin, Ferat Shalën, Fatmir Maliqin e të tjerë. Aty kam pritur derisa ka ardhur Elez Durmishi. Nga Ajvazi dhe të tjerët mësoj se disa anëtarë të Shtabit janë kthyer në Divjakë. Në këtë mes është edhe shefi i Shtabit Agim Çeku, pastaj Sylejman Selimi dhe disa ushtarakë të tjerë. Shtabit në Divjakë po i kthehet nami. Sërish janë caktuar pikat e rojës…
Pas një qëndrimi të shkurtër në Divjakë, së bashku me Elez Durmishin dhe Sejdi Elezin nisemi në drejtim të Grykës së Shpëtimit…