Smajl Latifi: DËSHMORËT JANË NGURTËSUAR PËRJETËSISHT NË MENDJET DHE ZEMRAT TONA

DITA E DËSHMORËVE TË KOMUNËS SË RAHOVECIT * DËSHMORËT JANË NGURTËSUAR PËRJETËSISHT NË MENDJET DHE ZEMRAT TONA —- (Thekse nga fjala ime) Të respektuar familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës çlirimtare, Kryetar Ramush Haradinaj, shokë e miq, mysafir të ardhur, të nderuar të pranishëm, datat kalendarike janë vetëm shenja për ta orientuar njerëzimin në kohë dhe hapësirë, duke na dhënë mundësi të dimë e ta planifikojmë të ardhmen tonë. Kjo do të thotë se këto data mund të fitojnë në peshë e rëndësi vetëm nëse e mbushim me përmbajtje. Emrat e atyre që gdhenden në këto data tregojnë rrugëtimin historik të një populli. Ndodh shpesh që në histori të ketë ndryshime dramatike në jetën e një grupi etnik, ndonjëherë me përmasa tragjike por edhe që e ndryshojnë fatin historik. “E dimë se kur nisemi, por nuk e dimë kur kthehemi”, – thotë një fjalë e urtë popullore. Mirëpo, sa herë që nisemi në një drejtim, me ide të qarta dhe të vetëdijshëm për qëllimin, me siguri edhe fundin e asaj rruge mund ta paramendojmë. Derisa për individin ndonjëherë mund të mos ketë rrugëdalje, por, për kolektivitetin gjithmonë ekziston një zgjidhje. “Fundi stolis veprat”, thonin latinët e lashtë. Popujt përgjatë historisë kanë përjetuar rënie e ngritje – ka shumë raste kur edhe janë shuar grupe të tëra etnike, kanë humbur në vorbullën e kohës, duke u shkrirë e asgjësuar. Vetëm ata popuj që kanë pasur në krye njerëz me vullnet të fortë, me përcaktime të qarta ideore dhe të gatshëm të flijohen për synimin fisnik e njerëzor, u kanë mbijetuar furtunave e rrebesheve të kohës. Natyrisht, në momente të këtilla kthese, roli i individit është i pamohueshëm, e ndonjëherë vendimtar. Dihet se jo të gjithë njerëzit e zakonshëm e kanë një vetëdije më të konsoliduar dhe një qasje më vizionare për organizimin e ngjarjeve të mëdha, siç është lufta çlirimtare. Në kapërcyell të shekujve kombi shqiptar hyri në arenën e madhe të historisë botërore, duke organizuar luftë për çlirimin e trojeve të pushtuara nga sllavët. Ata që u vunë në krye të kësaj ngjarjeje të madhe historike ishin të vetëdijshëm për rreziqet e dështimit e të humbjes, mirëpo e dinin se rrugë tjetër për arritjen e lirisë nuk kishte. Këtë vetëdije e kishin edhe shumë prej atyre që ranë në fushë të nderit dhe ne sot i nderojmë e i kujtojmë me respekt. Në zonën tonë lufta për çlirim nuk ishte ndërprerë asnjëherë, që nga okupimi i kësaj pjese shqiptare nga sllavët në vitin 1912 – 13. Përpjekjet për liri nuk kanë rreshtur, ndërsa pushtuesit kanë përdorë të gjitha mjetet për ta mbajtur nën thundër këtë popull. Metodat më barbare e shkombëtarizuese janë aplikuar, por ne kemi mbijetuar. Kemi qenë të lidhur fort për tokën e të parëve, për varret e gjyshërve e stërgjyshëve, për një copë toke, për një përrua e për një krua dhe për një vend të bukur që quhet ATDHE. Të dashur pjesëmarrës, 12 maji i vitit 1998 ishte i veçantë ngase këtu jehuan krismat e lirisë dhe ndër shqiptarë u rikthye shpresa e vrarë se një ditë do të jetojmë të lirë edhe ne. Djemtë e Anadrinisë kishte kohë që po përgatiteshin për Ditën e Madhe, dhe mësymja e serbëve drejt Drenocit nuk u realizua ashtu siç ata kishin planifikuar. Lëvizja ilegale e asaj kohe kishte ndërmarrë masa operative për të krijuar pasiguri e duke krijuar vatra zjarri për armikun gjithandej. Ata, të hutuar u detyruan të tërhiqen me nxitim. Vënia nën kontroll e kësaj hapësire gjeografike kishte rëndësi të madhe për vazhdimin e luftës, ngase nëpër këtë arterie qarkullonte “gjaku i lirisë”, armët dhe municionet që silleshin të bartura në shpinë nga burrat e djemtë entuziastë nga vise të ndryshme shqiptare. Pra, Anadrinia u bë natyrshëm pjesë e rëndësishme e luftës së armatosur dhe kontribuoi fuqishëm për ecurinë e mbarë dhe fuqizimin e luftës sonë çlirimtare. Natyrisht se para kësaj dite kishte pasur një aktivitet të dendur atdhetar të burrave e grave të kësaj ane. Veprimtaria legale e ilegale ishte kombinuar dhe përgatitjet për luftë të armatosur ishin në vlugun më të madh. Për t’ia prerë udhën lirisë, okupatori serb bëri atë që kishte bërë gjithmonë karshi shqiptarëve, përdori makinerinë vrastare, policinë e ushtrinë me tërë potencialin që kishin. Mirëpo, kur ekziston vullneti dhe dëshira për liri, atëherë nuk ka forcë që ta ndalojë një popull të marshojë drejt lirisë. Të dashur pjesëmarrës, Dalja e UÇK-së dhe pozicionimi i çlirimtarëve në rripin gjeografik rrëzë bjeshkës së Zatriqit, kishte krijuar parakushte për veprimtari më aktive të pjesëtarëve të UÇK-së dhe të LKÇK-së që operonin në këtë rajon. Hapësira nga Kramoviku e deri në Gradish u bë zonë e operimit të lëvizjes sonë çlirimtare, por jo pa gjak. Në fushë të nderit ranë dëshmorët e parë të lirisë Milaim Krasniqi e Elmi Morina dhe u plagosën disa shokë, ndër të cilët Osman Zyberaj, njeriu i celulës së parë të UÇK-së në këtë rajon, Lulzim Hoti nga Ratkoci, veprimtar ndër të parët në organizimin e LKÇK-së në Ratkoc. Luli më pas do të vdesë nga plagët e marra dhe tashmë gëzon statusin e dëshmorit të kombit. Të nderuar pjesëmarrës, Rindezja e luftës për çlirim, në pranverën e vitit 1998, në këto anë ishte vetëm një episod i asaj historie të madhe, krenare e të dhimbshme. Në fushëbetejë ranë dëshmorët e parë: Milaim Krasniqi e Elmi Morina, pasuar nga shumë të tjerë më pas, ndërsa aktualisht janë regjistruar emrat e 126 dëshmorëve të kësaj ane. Pikërisht në datën e sotme të vitit 1999 do të bie në fushë të nderit edhe njëri ndër organizatorët e luftës çlirimtare në këto anë, Bedrush Avdi Gashi, i cili do ta shoqërojë të vëllanë Feimin në përjetësi. Shëmbëlltyra e Bedrushit do të shërbejë edhe për shumë breza, si simbol i organizimit, rezistencës dhe paepshmërisë për çështjen e atdheut e të lirisë. Mirëpo, dëshmorët nuk janë vetëm emra në listat tona, ata janë themeli i lirisë dhe i ardhmërisë. Këto themele i forcojmë përditë duke mos harruar se dikush dha gjënë më të shtrenjtë për këto ditë në liri, prandaj, duhet t’ju jemi mirënjohës për jetë të jetëve. Edhe dëshmorët tanë e donin jetën, por jo jetën në robëri. Ata tashmë janë ngurtësuar, jo vetëm në pllaka mermeri, por edhe në mendjet e në zemrat tona. Të dashur pjesëmarrës, Nderimi e respekti për të rënët është detyrimi ynë njerëzor e kombëtar. Ky detyrim mund dhe duhet të shndërrohet në kryerjen e obligimeve tona ditore, në mënyrë që liria dhe identiteti ynë të qëndrojë mbi baza të forta, sepse vetëm kështu mund të konkurrojmë me popujt e qytetëruar. Duke nderuar kujtimin për ata që me gjakun e tyre ujitën rrënjët e lirisë, njëkohësisht ndjejmë përgjegjësi institucionale të japim një zotim për publik e solemn, se do të angazhohemi në vazhdimësi për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre vlerave kombëtare. Vazhdojmë të jemi aktiv në rregullimin dhe mirëmbajtjen e vendrënieve të dëshmorëve, të varrezave të tyre, të varrezave të të gjithë atyre që dhanë jetën për këtë tokë të shtrenjtë. Rregullimi i përmendoreve të dëshmorëve të brigadës 124 “Gani Paçarizi”, kudo që ata kanë rënë, është veprimtari që ka nisur para disa vitesh dhe ende po vazhdon. Tashmë është rregulluar kompleksi historik e turistik “Maja e Shkodranit”, aty ku kanë rënë katër dëshmorë në korrik të 1998-ës, vendit që dëshmori Arian Brahimi i la emrin e vendlindjes së tij, Shkodrës. Po ashtu, po bëhet një punë e madhe në kompletimin e kompleksit përkujtimor këtu në Gradish, për të gjithë dëshmorët e kësaj brigade, me synimin që të japim mesazhin se, ata edhe në përjetësi janë së bashku, ashtu siç ishin së bashku në fushëbeteja. Teksa, mirëmbajtja e varrezave të dëshmorëve e martirëve në çdo vendbanim ku ka dëshmorë po vazhdon, këtë vit e hapëm edhe muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe, si dhe po hapen e rregullohen shtëpitë – muze të dëshmorëve, siç ka ndodhur në Mrasor në shtëpinë e Skender Rexhepit, në Drenoc kemi restauruar shtëpinë – muze të vëllezërve Bedrush e Feim Gashi, në Opterushë është ndërtuar Kulla e Heronjve, aty ku kanë rënë komandantët Xhelal Hajda – Toni e Selajdin Mullabazi – Mici, jemi në përfundim të Kompleksit Muzeor “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe, institucionalizimi i vlerave të luftës përmes pllakave përkujtimore në shtëpitë dhe bazat e luftës, si dhe po bëhet mirëmbajtja e rregullt e varrezave të martirëve tanë të shumtë. Krejt këto nuk i bëjmë për t’u dukur, por është detyrim që duhet të përmbushet dhe ne po e bëjmë këtë në vazhdimësi. Nderim e respekt për dëshmorët e Komunës së Rahovecit, përkulje para madhështisë së dëshmorëve të kombit! Gradish-Rahovec, 12 maj 2024.

Mund të jetë një imazh i 2 persona, Varri i Ushtarit të Panjohur dhe turmë

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …