Mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të ISLAM RAMADAN GASHIT

Mbahet mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të ISLAM RAMADAN GASHIT, i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, i cili ndër të tjera tha: Islam Gashi – njeriu që nuk u lëkund nga rruga e nderit dhe e krenarisë. Të pikëlluar familjarë, shokë e miq të veprimtarit politik e shoqëror Islam Gashi, ju shpreh ngushëllimet e mia e të bashkëpunëtorëve të mi për këtë humbje të madhe për të gjithë ne. Jeta e një njeriu nuk matet me vitet e jetuara, por me trashëgiminë që lë pas. Islam Gashi, ishte nga ata njerëz që punonte pa shumë zhurmë e bujë dhe veprimtaria e tij karakterizohet nga shumë vepra e bëma që kanë pasur ndikim në jetën e njerëzve. Doli në jetën publike në moshë të re, duke qenë drejtor i kooperativës së bujqve këtu në Krushë të Madhe, për një kohë ishte edhe mësues, për të vazhduar më pas në Komunën e Rahovecit si drejtor i financave dhe buxhetit, duke dëshmuar nivel të lartë etik. Njerëzit e mbajnë në mend si njeri të përkushtuar në punë dhe me vullnet të madh për t’i shërbyer vendit të tij. Ndershmëria ishte ndër virtytet e tij më të dalluara, por edhe ishte i ekulibruar në aspektin moral e njerëzor. Cilësi që i trashëgoi nga të parët, të cilët njiheshin për burrëri e atdhedashuri. Familja Gashi mbajti qëndrim të qartë karshi interesave kombëtare, ndonëse kjo qasje e drejtë ju kushtoi shumë shtrenjtë. I dhanë djersë e gjak Kosovës, por mbetën krenar e me dinjitet. Ai ishte i përfshirë aktivisht në rrugën e lirisë, duke dhënë për luftën tonë çlirimtare kontribut të drejtpërdrejtë, për lirinë e Kosovës dha nipin e tij, djalin e vëllait të tij, të bacës Malush (PLAKUT), dëshmorin e kombit, Ismail Gashin. Vetë Islami ishte edhe deputet në një kohë tepër të trazuar dhe shumë të rëndësishme për historinë e re të  Kosovës. Si deputet i Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës, mori pjesë në aktin e shpalljes së Kosovës Republikë, ku më pas edhe përjetoi përndjekje nga regjimi kriminal i Serbisë, por nuk pranoi të bëhet asnjëherë vegël e tyre dhe të ngrejë dorë kundër interesave të vendit të tij. I edukuar në këtë frymë Islam Gashi diti t’a frenojë egon dhe lakminë, duke qëndruar vertikalisht dhe kështu e konsolidoi figurën e tij fisnike. Duke qenë i tillë ai u thirr në një mision sa atdhetar po aq edhe human. Pas përfundimit të luftës çlirimtare u vu në krye të Drejtorisë Komunale për Rindërtim e Zhvillim dhe këtu u dëshmua më së miri vlerat e tij njerëzore. Ndonëse shtëpi e katandi i qenë djegur e shkatërruar, ashtu siç edhe shumë krushjanëve e ku do në komunë e Kosovë, Islami nuk e përfshiu veten në listën e familjeve që u duhej ndërtuar shtëpia. Akti i tillë e vuri atë në spikamë si njeri me vlera të larta morale. Pra, ai punoi e veproi pa u tunduar nga të mirat materiale, ngase më shumë vlerësonte nderin e sinqeritetin. Kjo trashëgimi e pasur morale do t’ju shërbejë njerëzve të tij, familjes dhe fëmijëve të tij si mësim e ngushëllimi më i mirë. Vërtetë mund të vlerësojmë drejtë e saktë vetëm nëse hedhim sytë rreth nesh dhe shohim çfarë kanë bërë të tjerët që i kishin të njëjtat mundësi siç i pati Islam Gashi. Këto që u thanë nuk janë vetëm shprehje në një çast dhimbjeje e pikëllimi, por janë fjalë që burojnë nga zemra e shpirti. Janë të vërteta që flasin për një personalitet me vlera të larta morale e njerëzore e që duhet të shërbejë si shëmbëlltyrë të gjithë atyre që kanë pozita drejtuese dhe që janë në vendimmarrje. Të mbash qëndrim të drejtë e vertikal vërtetë që ka kosto të lartë materiale e financiare, por është një vlerë e pamohueshme që ju shërben brezave pasardhës. Familjarëve ju kërkojmë të mbahen të fortë dhe të jenë krenar me Islam Gashin, me njeriun që lakmia e përfitimi personal nuk e mënjanoi nga rruga e drejtë dhe e moralshme. Nderim e respekt një figure që la gjurmë në historinë e këtij vendi! I paharruar qoftë kujtimi për Islam Gashin! E pastë të lehtë mbi varr dheun e tokës së Kosovës!

Mund të jetë një imazh i 4 persona

 

Kontrolloni gjithashtu

Themelohet Zyra për Ndihmë Juridike Falas në Komunën e Rahoveci

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, të premtën mori pjesë në tryezën për …