Nënshkruhet Agjenda e Kontratës Sociale për Ferizajn

Paraditen e sotme në Ferizaj është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të zotimeve të Agjendës Sociale për Komunën e Ferizajt. Gjatë kësaj ceremonie ka marrë pjesë Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari Lulzim Aliu, përfaqësues të USAID-it amerikan, kryetar të bashkësive lokale si dhe qytetaret tjerë. Me një fjalë rasti të pranishmëve ju është drejtuar Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili tha se me nënshkrimin e kontratës sociale ky dokument është bazë rregullatore e planifikuese e së ardhmes, duke përmbushur në plotni zotimin e qasjen e qeverisjes sonë, vendimmarrjen me qytetarët pjesë të saj e me kërkesat e tyre në qendër. “Kontrata Sociale, që pikënisjen ka besimin qytetarë, ngrihet mbi parimin e Rusos, se shoqëria dhe të zgjedhurit janë të lidhur me fije të pashkëputshme nga njëra-tjetra, në sendërtimin e shoqërisë më të mirë, më të organizuar, më të drejtë e përfaqësuese. Ky dokument, ngërthen në vete, pikërisht këtë qasje, këtë synim, që Komuna duke qenë institucioni shtetëror, më i larti në hierarkinë institucionale lokale,  krijon këtë raport formal, funksional e obligator me bashkëqytetarët e saj. Ecja deri në këtë fazë, duke prodhuar këtë dokument sot për nënshkrim, ishte e përbashkët, mes zyrtarëve komunal dhe qytetarëve. Qytetarët propozuan, prioritizuan dhe votuan çështjet që tashmë përbëjnë boshtin e Agjendës së Kontratës Sociale, për vitet në vijim. Kësaj i shtojmë edhe zotimin tonë, që në kuadër të administratës komunale, të instalojmë praktikat më të mira si dhe për të avancuar në shkallë domethënëse për vitet pasuese, buxhetimin me pjesëmarrjen e qytetarëve, duke ndarë 1% të investimeve kapitale nga buxheti ynë për projektet ekskluzivisht të zgjedhura sipas kësaj skeme, nga ana e qytetarëve”, ka thënë Aliu. Kryetari Aliu, tutje ka thënë se buxheti i Ferizajt, është buxhet i ferizajasve, i zgjedhjes së tyre të administruar nga të zgjedhurit e tyre. “Andaj ne, vazhdueshëm me qëllim të gjithë përfshirjes qytetare, rritjes së vetëdijes publike mbi planifikimin buxhetor si dhe shtimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në ngjarje konsultuese publike, kemi vënë në funksion qasje të reja, novative për të rritur këtë pjesëmarrje, duke iu ofruar në lokalitetet më të afërta banorëve të zonave rurale e urbane si dhe duke organizuar diskutime tematike buxhetore me grupe profesionale, të cilat kanë rezultuar, lartë cilësisht. Këto mekanizma, si takimet publike, dëgjimet buxhetore gjithëpërfshirëse, praktikat e informimit publik, me përmirësime të vazhdueshme e zbatim të risive organizative e logjistike, janë mundësi e drejtpërdrejt për fuqizimin e komunikimit tonë, andaj si të tilla, bashkë me kryetarët e fshatrave dhe zonave urbane, por edhe qytetarët nga grupet e interesit, aleat në këtë bindje, jemi besimplotë në suksesin e kësaj nisme. Në pikëpamje të projekteve, nismave komunitare të përzgjedhura në kuadër të Agjendës së Kontratës Sociale, vlerësojmë se janë bërë përzgjedhjet më të duhura, fushat më adekuate, arsimi dhe mirëqenia sociale, me bashkëfinancimin mes Komunës dhe USAID-it, duke begatuar kështu projeksionin tonë të së ardhmes mbi këto fusha, mbi këto nevoja, të cilat me firmën që do të vëmë sot, do të nisin rrugën drejt realizimit. Ferizaj, është renditur vazhdueshëm në mesin e komunave me suksese domethënëse në fushën e transparencës, llogaridhënies, performancës së përgjithshme, andaj këto rezultate janë dëshmi e përkushtimit institucional për të cilën, kemi dhënë provën për vite me radhë. Ky bashkëpunim me USAID-in në këtë format e fushë të veçantë është pasurim për përvojën tonë institucionale, andaj dua që në mbyllje të fjalës sime, të shpreh falënderimin më të sinqertë, për të gjithë zyrtarët e USAID-it të përfshirë në këtë aktivitet, zyrtarët komunal e qytetarët që si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi, sollën sot ditën për ta nënshkruar për Komunën e Ferizajt – Agjendën e Kontratës Sociale”, ka përfunduar Kryetari Aliu. Projekti në fjalë është bashkëpunim në mes Komunës së Ferizajt dhe USAID-it, ndërkaq ka për qëllim realizimin e dy projekteve të cilat janë propozuar nga ana e vet qytetarëve. E nga ana tjetër Visar Islami përfaqësues i grupit të qytetarëve ka thënë se ky është një projekt i një rëndësie shumë të madhe për qytetarët ferizajas, si dhe ka vlerësuar lart edhe bashkëpunimin në mes qytetarëve, komunës dhe USAID-it. Gjatë kësaj ceremonie të pranishmëve ju është drejtuar edhe Zana Shabani, me ç’rast ka bërë prezantimin e agjendës sociale, ndërsa leximin e letrës së zotimeve e lexoi Shefi i Kabinetit të Kryetarit Agim Aliu, Albion Sherifi. Nënshkrimin e Agjendës së Kontratës Sociale e bëri Kryetari Agim Aliu, bashkë me përfaqësuesit e qytetarëve. Kujtojmë se ky projekt po realizohet paralelisht edhe në 9 komuna të tjera të Kosovës.

 

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …