PËRVJETOR
Në (ri)kujtim të 25 – vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, DANUSH KURTAJ (në Masakrën e Burgut të Dubravës, më 22 maj 1999)
Më 5 mars 1961, në fshatin tashmë emblematik Gabrricë e Kaçanikut, u lind Danush Miftar Kurtaj. Danushi, ai pinjoll i Familjes Kurtaj, shkollën fillore e kreu në Elezaj dhe Doganaj, ndërsa të mesmen në Kaçanik. Aty, ku u lind, u rrit dhe u edukua Danushi, familja Kurtaj denbabaden, u shqua për traditë patriotike. Kjo traditë e atdhedashurisë: besës, burrërisë, dinjitetit dhe nderit, si vlera sublime të njerëzisë, të moralit të lartë, tek Danushi jo vetëm që zgjonte e akumulonte energji, por tek ai çdo ditë e më shumë në mendjen dhe zemrën e tij, po shtohej dashuria ndaj atdheut, meqë në odën e miqve të familjes Kurtaj dëgjonte pareshtur fjalët e mençura të pleqve të urtë, gjë që porositë e tyre Danushi jo vetëm që i pranonte po njëkohësisht edhe i përvetësonte me shkas dhe arsyeshëm. Megjithatë, meqë ishte fëmija i dytë, për t’u bërë krah i familjes, ai nuk hezitoi dhe u punësua qysh herët. Por, kur në Kosovë u dha KUSHTRIMI, Danushi pa asnjë mëdyshje ndërpreu punën në Gjermani dhe u kthye në Atdhe për t’i shërbyer kombit, meqë Atdheu ynë ishte në rrezik.
Fragment i një jetëshkrimi i mësuesit Shaban Fazliu për ish-nxënësin e tij Danush Kurtaj
Në kapërcyll të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, Oda e vjetër e Kurtajve, me traditë më shumë se 100 vjeçare si dhe shtëpitë e familjes së gjerë u shndërruan në bazë të UÇK-së, ku kjo odë u shndërrua edhe në Kullë Qëndrese, në këtë bazë ushtarake, Danushi ishte ushtar i radhëve të para të UÇK-së, ku edhe e tërë familja e tij: burra e gra u angazhuan në UÇK, Danushi tashmë ishte njëri nga themeluesit e njësiteve të para të UÇK-së në Kaçanik bashkë me: Agim Bajramin, Xheladin Kurtajn, Qamil Ilazin, Hajrush Kurtajn, Afrim Kurtajn, Hetem Hasajn, Razim Hasajn, Naser Hasajn, Izahir Tronin, Haki Tronin, Shefket Tronin dhe Shefket Kukën.
Me rastin e luftimeve të ashpra, të zhvilluara në mëngjesin e 10 gushtit 1998, kur nga forcat e shumta ushtarake e policore ishte rrethuar njësiti ushtarak i Agim Bajramit, në lagjen Kurtaj në Gabricë të Kaçanikut, në përpjekje për t’i larguar gratë dhe fëmijët nga shtëpitë, Danushi kapet nga policia serbe. Danushi, deri më 10 gusht 1998, ishte luftëtar shembullor dhe i palodhur, meqë gjithnjë ishte aty ku duhej, në kohë dhe në vend të duhur. Gjatë atij rrethimi të hekurt dhe luftimeve të ashpra në fshatin Gabrricë arrestohet edhe ish – i burgosuri politik Fatmir Kurtaj. Po këtë ditë, bandat ogurzeze serbe arrestojnë edhe bashkëshorten e Danushit – Bylgyzare Kurtajn dhe kunatën Havë Kurtajn (bashkëshortja e vëllait, Mustafës). Të arrestuarit, gratë dhe fëmijët, përjetojnë tmerr gjatë këtyre luftimeve të ashpra, që u zhvilluan në oborrin e tyre. Megjithatë, në këtë Odë (Kullë) Qëndrese, në Lagjen Kurtaj të Gabrricës së Kaçanikut, duke mbrojtur dinjitetshëm pragun e shtëpisë, sipas traditës kombëtare, iu përgjigjen me grykë të pushkës: Tre luftëtarët e paepur: Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca, të të përkrahur edhe nga bashkëluftëtarët e familjarët Kurtaj, të cilët ranë në Altarin e Lirisë, për t’u përjetësuar për jetë të jetëve. Po këtë ditë pati arrestime edhe të veprimtarëve të tjerë në disa vendbanime të Kaçanikut si: Mejdi Dalloshi – drejtor i Drejtoratit të Arsimit në Kaçanik, Tefik Raka – inspektor komunal i arsimit, Avdylgafurr Luma – ish – i burgosur politik, si dhe Hasan Dalloshi – arsimtar. Dhe, pas torturave psikike, dy gratë e familjes Kurtaj i lirojnë, kurse të tjerëve ua caktojnë masën e paraburgimit, ndaj të cilëve edhe ngritën aktakuzë.
Faqja 1&2 e aktakuzës, ndaj Danush Kurtajt dhe të tjerëve
Në dhjetor të vitit 1998, organizohet procesi gjyqësor nga shteti inkuizitor serb dhe të akuzuarit i dënojnë për shkak të rezistencës së armatosur, ku me këtë rast Danush Kurtaj dënohet me 5 vite burg për vepër të kualifikuar “terroriste”. Po në atë grup ishin dënuar edhe Fatmir Kurtaj me 5 vite burg, Abdylgafurr Luma me 6 vite, Hasan Dalloshi me 5 vite, Tefik Raka me 3 vite, Mejdi Dalloshi me 3 vite si dhe Xhevat Haziri nga komuna e Vitisë me 7 vite burg. Ndërkaq, po kjo gjykatë serbo-sllave, në mungesë dënonte edhe këta veprimtarë: Hajrush Kurtajn me 9 vite burg, Berat Luzhën me 9 vite, Qamil Ilazin me 7 vite, Bexhet Imishtin me 5 vite, Naser Kukën me 8 vite, Reshat Salihajn me 5 vite, Remzi Elezin me 8 vite dhe Naim Bekën me 8 vite burgim.
Të dënuarit burgun e vuajtën në Gjilan, deri më 30 prill 1999, ku pastaj me qëllim të caktuar i transfeojnë në Burgun e Dubravës, të komunës së Istogut. Në këtë burg famëkeq i kishin grumbulluar të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë nga të gjitha burgjet e Kosovës dhe të Serbisë. Pas intervenimit të forcave të Aleancës Veriatlantike NATO, kundër Jugosllavisë së mbetur (Federatës serbo – malazeze), më 24 mars të vitit 1999, Danush Kurtajn dhe shumë të burgosur të tjerë shqiptarë, forcat serbe i tubojnë në Burgun famëkeq të Dubravës, në Burim (ish – Istog). Atje, me qëllim të caktuar, kriminelët serbë kishin grumbulluar 950 të burgosur shqiptarë. Më 19 maj të vitit 1999, aeroplanët e NATO-s, godasin dy pavijone të burgut, ku ishin koncentruar forca të shumta policore, ushtarake, paramilitare dhe administrata serbe e burgut.
Sipas dëshmive të atyre që shpëtuan e që tashmë janë gjallë, bombardimi tjetër i radhës ndodhi, më 21 maj, me ç‘rast pësuan edhe disa të burgosur shqiptarë. Të nesërmen, më 22 maj, forcat policore dhe ushtarake serbe në shenjë hakmarrjeje fillojnë ta realizojnë masakrën e ogurzezë kundër të burgosurve shqiptarë, me qëllim që për të gjitha këto krime të fajësoheshin forcat e NATO-s.
Edhe pse ata katraligë e realizuan krimin, por gjurmët nuk patën mundësi t’i zhduknin dhe krimin nuk patën mundësi t’ua mëvishnin tjetërkujt (NATO-s) dhe gjithçka doli në shesh, duke e nënkuptuar se ata vetë e kishin bërë skenarin dhe vetë e kishin kryer krimin.
Danush Miftar Kurtaj, më 22 maj ishte plagosur rëndë. Siç dëshmon Hasan Dalloshi, në mesin e atyre që e kanë mbijetuar Masakrën e Dubravës, rrëfyen fill e mbarim për ngjarjet tronditëse të 21 dhe 22 majit në pavijonet e Burgut të Dubravës:
“Natën, në mes të 21 dhe 22 majit, policët serbë, në bashkëpunim me gardianët e burgut, kishin vendosur armët në vendet kyçe, në gjendje gatishmërie.
Shumica e të burgosurve kishin kaluar natën pranë fushës së sportit, në afërsi të karakollit. Një gardian kishte urdhëruar të burgosurit që të rreshtoheshin, meqë pritej gjoja evakuimi i tyre. Ai iu thoshte të burgosurve, se autobusët ishin nisur drejt Dubravës dhe ndërkohë ata do të largoheshin nga burgu. Në kohën kur të gjithë të burgosurit ishin rreshtuar dendur, ashtu sipas skenarit, kishte filluar ploja gjakatare e serbëve, të cilët kishin goditur me të gjitha armët e zjarrit mbi të burgosurit.
Ploja gjakatare nuk ishte ndalur as për një çast. Një numër afër 180 ishin vrarë, ndërkaq të burgosurit tjerë kishin ikur nga kishin mundur. Në atë burbujë a gargule të tmerrshme, me atë zallahi të shpërfaqur në mes të të burgosurve pasi kishte shtrirë krahët “Nata e Barolomeut”mbi çatinë e Burgut të Dubravës, forcat gjakatare serbe, policë, ushtarë, militarë, paramilitarë dhe mercenarë ishin gatitur të realizonin skenarin e tyre barbar mbi të burgosurit shqiptarë, që ishin zënë dhe tashmë po ekzekutoheshin, duke u munduar që edhe t’ua humbnin gjurmët, për t’i fajësuar të tjerët e veten për ta cilësuar si njerëz paqedashës, edhe pse ata ishin vetë djalli!
Siç dëshmon Hasan Dalloshi: – Në mesin e të plagosurve ishte edhe Danush Kurtaj. Ai kishte mbetur i shtrirë, në pamundësi për t’u tërhequr nga plaga e rëndë. Shoku i tij i burgut, Fatmir Kurtaj, kishte bërë përpjekje për t’i shkuar në ndihmë, por edhe ky, për shkak të plagës që kishte marrë, nuk kishte mundur ta tërhiqte. Prandaj, trupin e plagosur rëndë të Danushit e tërhoqa unë – rrëfen Hasan Dalloshi. Pastaj, mjeku Frashër Shabani me përpjekjet e pareshtura që kishte bërë, më kot ishte munduar ta ndihmonte, meqë plaga ishte e rëndë dhe nuk kishte kushte të duhura për intervenim mjekësor – rrëfen Hasan Dalloshi.
Danushi, ndonëse ishte i plagosur rëndë dhe assesi nuk po jepej, duke qenë si gjithnjë i paepur, ai ka ndërruar jetë në prehër të Fatmir Kurtajt, i cili ishte munduar ta ndihmojë dhe inkurajojë se shpejt do të arrinin ekipet mjekësore me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, por në momentet e fundit, kur po i numëronte sekondat e fundit të jetës, Danushi kishte thënë: “Uroj që t’u vijnë ndihmat mjekësore juve, se unë po ju lë lamtumirën … uroj që ju sa më parë ta fitoni Lirinë e Kombit të Atdheut tonë!”, – këto ishin fjalët e fundit të tij, sipas dëshmitarit Fatmir Kurtaj.
Vlen të theksohet dhe të vihet në spikamë se në Burgun e Dubravës së Istogut (Burim), gjatë ditëve dhe netëve, nga 19-23 maj 1999, pushkatohen dhe masakrohen, 180 të burgosur shqiptarë (edhe pse dihej që me Konventa Ndërkombëtare të burgosurit do të duhej të ishin të mbrojtur, por këto ligje për shtetin okupues të Serbisë gjakatare nuk vlenin fare. Megjithatë, edhe sot pas 25 viteve, pas kësaj masakre, ende nuk kanë dalë autorët e krimit para drejtësisë, për t’u dënuar për krimet e bëra as nga gjykatat vendore dhe as nga ato ndërkombëtare)?! Dhe, për këso veprimesh të tilla, logjika e njeriut thërret, për një vetëdijesim po se po, por edhe për një përgjegjësi sa më të dinjitetshme dhe sa më profesionale!
Megjithatë, në mbrëmjen e 22 majit 1999, nga plagët e rënda, hyri në përjetësi Danush Miftar Kurtaj, ku trupi i tij i pajetë mbeti dëshmi së bashku me të martirizuarit e tjerë në Burgun e Dubravës, edhe pse forcat serbe tentuan për t’i fshehur krimet, duke i varrosur të vrarët në një varrezë masive në fshatin Rakosh të Istogut. Pra, edhe pse kriminelët e kryen krimin e organizuar, sipas skenarit të tyre famëkeq, ata nuk mundën t’i fshehnin dhe as t’i zhduknin gjurmët e veta të krimit.
Dhe, pas përfundimit të luftës, kur Kosova u çlirua nga fallanga serbosllave, në mesin qindra e mijëra të të vrarëve dhe të të zhdukurve është gjetur dhe është identifikuar edhe trupi i pajetë i Danush Kurtajt nga ekspertët e mjekësisë ndërkombëtare në bashkëpunim me familjen Kurtaj. Pastaj është marrë trupi i pajetë i Danushit nga familja dhe nga komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, dhe është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.
Nderim nga Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, të nënshkruar nga ministri i Mbrojtjes, Azem Syla, për dëshmorin dhe familjen e dëshmorit Danush Kurtaj si dhe Mirënjohje, me rastin e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit – Flaka e Lirisë”, për dëshmorin Danush M. Kurtaj nga Këshilli Organizativ në Gjilan
Njohja e statusit të dëshmorit nga Komisioni Qeveritar, nënshkruar nga kryetari i komisionit, Gjenerallejtnant Agim Çeku
Shëmbëlltyra e një atdhetari të devotshëm, siç ishte Danush Miftar Kurtaj: personalitet i shquar, burrë i fjalës dhe besës, ai mbetet i përjetshëm për t’u rikujtuar brez pas brezi, meqë la gjurmë të pashlyeshme në altarin e lirisë me emblemën famëmadhe UÇK. Ai, gjatë gjithë jetës, veten ia kushtoi: Familjes, Kombit dhe Atdheut. Ai pas vetes la nënën Emine, e cila së bashku me të rejën e saj, gruan e Danushit, nën masa të rrepta të aparatit shtetëror okupues serb, edhe pse në moshë të shtyrë e vizitonin më të dashurin e tyre – Danushin disa herë nëpër burgje. Dhe, Nënë Eminja, (megjithëse ndërroi jetë, më 20. 10. 2017), vëllezërit, motrat, fëmijët dhe bashkëshortja – Bylgyzare Bela – Kurtaj, sakrifikoi çdo gjë dhe me vendosmëri e përkushtim të lartë kombëtar për tre fëmijët e tyre, që tashmë u rritën dhe u shkolluan: djali Azemi u rreshtua në radhët e Ushtrisë sonë – Forca e Sigurisë së Kosovës, vajza Teuta pasi e kreu fakultetin shërben si mësimdhënëse në edukimin dhe arsimimin shqip, që mbijetoi gjatë okupimit, falë sakrificës së madhe të arsimtarëve dhe gjithë administratës së arsimit, si dhe Besjana, e cila atëherë (1999) ishte vetëm dy vjeçe e dy muaj, por tashmë ka kryer Fakultetin e Edukimit, për mësimdhënie për parashkollorë.
Dhe, tashmë tre fëmijët e Heroit të Kombit – Danush Kurtaj, krijuan familjet e tyre, ku ata gjallërojnë të lirë në Liri, ndërsa ai përjetësisht është në mesin tonë edhe pse pushon i qetë në tokën e ujitur me gjakun e tij, si dhe të vëllait hero – Xheladinit, tok me mijëra heronj e dëshmorë të tjerë të kombit.
Ndërkaq, nipat e mbesat: Ensari, Danushi, Noari, Stina, Drini, Majdi dhe Dua, po rriten me prindërit e tyre dhe gjyshen, me krenarinë e gjyshit të tyre Hero i Kombit – Danush Kurtaj.
Dëshira dhe përkushtimi i Heroit të Kombit Danush Kurtaj ishin: Kombi, Familja, Atdheu, Liria, Shkolla dhe Ushtria, virtyte të tij emblematike. Pas qëndresës dhe sakrificës kombëtare, këtë dëshirë të tij e plotësuan pasardhësit, trashëgimtarët e tij.
Urojmë që pinjojtë e tij (nipat e mbesat) të vazhdojnë të shtegtojnë në rrugën e krenarisë kombëtare, ashtu siç bëri prijësi a korifeu – famëmadhi Danush Kurtaj.
Ky ishte ideali i Heroit të Kombit Danush Miftar Kurtaj, synim i tij që arriti majën e pirgut, duke u formësuar në lapidar.
Për kontributin e jashtëzakonshëm dhe rënien e tij heroike, ish -Presidenti i Republikës, z. Hashim Thaçi, bazuar në trimërinë dhe sakrificën për Luftën Çlirimtare të Kosovës, Danush Miftar Kurtajn e shpalli Hero të Kosovës, më 17 qershor 2020.
Qoftë i përjetshëm kujtimi ynë për Atë Njeri, i cili iu bëri ballë sfidave të shumta, por që asnjëherë nuk u gjunjëzua, derisa ra fli për të marrë atributin e Heroit të Kombit, nder ky jo vetëm për atë por edhe për: familjen, farefisin, Gabrricën Qëndrestare, Kaçanikun Legjendar, Kosovën Inkondeshente dhe Shqiptarinë e Shenjtë dhe të Shtrenjtë!
Dëshmia e shpalljes së Danush Kurtajt – Hero i Kosovës
Vëllezërit: Mustafa, Arifi, Hajrushi, Afrimi, Raifi si dhe motrat: Jalldyzja e Fatimja, për vëllanë e tyre – Danushin, tani Hero i Kosovës, të gjithë i janë mirënjohës, bashkëshortes së vëllait – kunatës së tyre Bylgyzares, për angazhimin e jashtëzakonshëm, për përkujdesjen ndaj fëmijëve të saj dhe për përkrahje të jashtëzakonshme të nënës Emine, kurse vëllain e tyre Hero do ta kujtojnë me mall por edhe me krenari të lartë kombëtare!
Me këtë krenari do ta kujtojnë edhe të gjithë bashkëluftëtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe gjithë qytetarët e Kaçanikut dhe Kosovës!
Danush M. Kurtaj, Ti tashmë Hero i Kosovës, të kujton jo vetëm familja Kurtaj, Gabrrica, Kaçaniku, Kosova por e gjithë Shqiptaria!
Prandaj, ne kurdoherë, do të jemi krenarë me veprën Tënde Heroike!
Lavdi e përjetshme për Ty!
Për jetën dhe veprën e Dëshmorit – Hero i Kosovës – Danush Kurtaj janë mbajtur akademi përkujtimore si dhe janë botuar shkrime në gazeta dhe revista të ndryshme si dhe këto botime:
- Hajrush Kurtaj: “Shungullon Gryka e Kaçanikut – Dëshmorët e kombit”,Kaçanik, 2000;
- Hajrush Kurtaj: Ditar i luftës – Në rrugën e lirisë – fakte dhe kujtime, Prishtinë, 2012;
- Hajrush Kurtaj: Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Prishtinë, 2012;
- Hajrush Kurtaj: Flakë e pashuar, Prishtinë, 2017;
- Marenglen Verli: Kosova në fokusin e historisë, vëllimi I, Tiranë, 2003;
- Grup autorësh: Feniksët e Lirisë 3 – Dëshmorët e UÇK-së, botoi SHVLUÇK, Prishtinë
Kaçanik,
22 maj 2024