U  nënshkrua Agjenda e Kontratës Sociale për Vitinë në mes të komunës dhe qytetarëve

Në hollin e Shtëpisë së Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti,  është mbajtur të mërkurën ceremonia e nënshkrimit të zotimeve të Agjendës së Kontratës Sociale për komunën e Vitisë. Gjatë kësaj ceremonie ka marrë pjesë kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje, në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar-USAID Noel Bauer,  Silvia Šusnjić, drejtoresh e aktivitetet të USAID, kryetar të bashkësive lokale si dhe qytetarë tjerë. Me një fjalë rasti të pranishmëve ju është drejtuar kryetari Haliti, cili foli për rëndësinë që ka kontrata sociale për këtë komunë. “Sot, ndihem shumë i nderuar që jemi mbledhur bashkërisht,  në këtë ceremoni për të nënshkruar Agjendën e Kontratës Sociale për Vitinë, si dhe për të dhënë zotimin tonë të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve. Me këtë kontratë sociale synojmë edhe më shumë të përmirësojmë komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive”, u shpreh kryetari Haliti. Ai tha se procesi i draftimit të kësaj agjende ka qenë një përpjekje e përbashkët mes komunës dhe qytetarëve, që sipas tij ka kaluar nëpër takime të përbashkëta validuese dhe përmes një procesi të propozimit dhe votimit nga vetë qytetarët. I pari i Vitisë bëri me dije  se gjatë këtij procesi janë identifikuar tri çështje kryesore nga komuniteti për të përfaqësuar Komunën e Vitisë në zbatimin e Agjendës së Kontratës Sociale e ato janë: funksionalizimi i kabineteve për mësim dual në Shkollën e Mesme të Lartë Mikse “Kongresi i Manastirit” Pozharan, aftësimi profesional dhe krijimi i mundësive për vetëpunësimin e grave me aftësi të kufizuara si dhe shenjëzimi i shtegut në parkun e pishave në Tërpezë. Ndërkaq drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje, në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar-USAID Noel Bauer, tha se Programi i USAID-it “Kontrata Sociale, synon të ndihmoj qytetarët që të sigurojnë një qeverisje të përgjegjshme, gjithnjë në funksion të përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve. “Një ndërlidhje e fuqishme ndërmjet qytetarëve dhe qeverisjes lokale krijon komunitete aktive. Qasja bashkëpunuese jep sensin e pronësisë dhe përgjegjësisë edhe qytetareve, por edhe zyrtareve komunal për të qenë të përfshirë në çështjen me rëndësi për komunitetin”, tha Bauer. Ndërkaq në emër të grupit të qytetarëve një fjalë rasti ka mbajtur doktoresha Gentiana Ferati e cila u fokusua në komunikimin në fushën e shëndetësisë, kurse prezantimi i agjendës së Kontratës Sociale për Vitinë u bë nga Shkurte Bardhi po ashtu përfaqësuese e grupit të qytetarëve. Agjenda e Kontratës Sociale e lehtësuar nga USAID, ka për qëllim avancimin e praktikave të qëndrueshme për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e vendimmarrjes dhe forcimin e bashkëpunimit midis qeverisë lokale dhe grupeve të qytetarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …