leoni

Shefqet Dibrani: SREBRENICA

Të erdhën serbët dhe t’u hodhën përsipër
siç bie rrufeja mbi çati
bajonetat u vërsulën mbi duar të pambrojtura
tashmë s’kalohej asnjë prag shtëpie
dhe pranvera nuk çelte asnjë derë

Kishte kohë që në Srebrenicë nga oxhaku tym nuk dilte
ai tym që dikur shkonte thik’ përpjetë
e vetmja thikë që dëshmonte këtu jetën

Srebrenicë t’i masakruan pabesisht
burrat burrërorë dhe zonjat e zonja, njerëzit e tu
tmerrësisht fëmijët në gji të qumështit t’i ngulfatën

Srebrenicë mbi ty ra ploja e krimit modern
përpara marshit të OKB-së
mbi ty qytet ra mallkimi siç bien mortët nga qielli
në zymtësinë e një nate plot ankth

Srebrenicë në ty dita shënjoi kumtin e zi
e nesërmja gdhiu e qetë, s’kishte më kush të bënte of e uf
të nesërmen askush nuk doli në derë
as dhembje s’kishte më
ishte mesjeta e errët apo fundi i turpshëm
i Shekullit Modern
kjo gjë nuk thuhet në kronikat që dimë
as nuk shkruhet mbi letrat e ngrëna nga dhëmbët e territ

Srebrenicë të ranë në pikë të diellit
para syrit optik të kamerave
kurse OKB-ja bënte sehir kasaphanën
e cila turpëroi vetë Evropën dhe njerëzimin
gjithë Shekullin që i mbylli sytë e në ëndërr
pa Makbethin

Mbi ty Srebrenicë qëlloi jo vetëm serbi
po tërë 100 vjeçari modern dhe vjetran
tash ti je një qytet i pushkatuar
dhe me statujat e vrara, me ujin e vrarë, zogjtë
ajrin dhe lulet, edhe ndërgjegjen e vrarë

Srebrenicë ti je qyteti i varreve dhe i tragjedisë
së filmuar në celuloid nga syri optik, shih si krenoheshin
ushtarë në anën tjetër për krimin bizar
tetëmijë njerëz të vrarë
tetë mijë njerëz në të njëjtin varr

Ky është bilanci i turpit ballkanik e më përtej
prandaj dhe kortezhi mortar zgjatet në pakufi
si në romanin e mikut tim Visar Zhitit me të vetmin faj
që serbin e patën fqinjë

Në fund të fundit në Srebrenicë ra kambana që theu
bronzin e heshtjes dhe njerëzit dolën nga varret e tyre.

 

* Srebrenica gjendet në Lindje të Bosnjës. Në korrik të vitit 1995 mbi 8 000 burra,
gra, djem dhe fëmijë myslimanë u zhdukën, pasi forcat serbe pushtuan Srebrenicën,
një zonë që Kombet e Bashkuara e kishin deklaruar ”vend të sigurt”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …