Në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, me 1 votë kundër dhe 14 abstenime, u miratua avancimi i statusit të Kosovës, nga një anëtare thjesht-vëzhguese në anëtare të asocuar. Ky vendim u mor të hënën gjatë mbledhjes në Sofje të Bullgarisë. Që nga viti 2014, Kuvendi i Kosovës gëzonte statusin e vëzhguesit, por tani do të ketë të drejta dhe privilegje më të larta në pjesëmarrjen në seancat e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përfshirë të drejtën për të propozuar rezoluta. Megjithatë, Kosova nuk do të ketë të drejtë vote. Me vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, nga sot, 27 maj 2024, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s.