Kadri Veseli: Kërkoj përgjegjësi nga gjykata që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe ta marrë parasysh kohëzgjatjen

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli foli në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po diskutohej lidhur me ecurinë e çështjes gjyqësore kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai foli për kohëzgjatjen e gjykimit, ndërsa kërkoi përgjegjësi që ky proces ndaj tij dhe të tjerëve të jetë i drejtë, transparent dhe të bëhet në kohë të arsyeshme. “Janë dy çështje; çështja e parë ka të bëjë me kohëzgjatjen e këtij procesi. Që nga dita e parë pothuajse kur jemi futur në këtë sallë të trupit gjykues, prokuroria ka kërkuar mjaftë në mënyrë transparente 545 orë. Prej ditës së parë faktikisht secili e kemi ditur se 545 orë me procesin të cilin do ta zhvillni në këtë sallë gjyqësore do të kalonin edhe tri vite përkatësisht edhe katër vite dhe nuk mund të përfundon prokuroria edhe në qoftë se edhe fare asnjë pyetje nuk do të bënte as mbrojtja dhe ju si trup gjykues. Nuk dua të paragjykojë askënd por ajo të cilën dua ta them është kjo; Besoj se është në interes të publikut dhe jo vetëm tonin si të akuzuar që dikush duhet të merre përgjegjësinë e vendimmarrjes që ky proces, para popullit të Kosovës jo vetëm të jetë fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektojë procedurat, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe të ruaj dhe garantojë një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”, tha Veseli.

Ish-komandanti i UÇK-së tha se frikësohet se nëse nuk respektohen këto parime, te populli i Kosovës dërgohet mesazh jo i mirë. “Unë si njëri nga të akuzuarit, frikësohem se nëse nuk respektohen këto parime, nuk ka të bëjë vetëm me fatin tonë individual, ka të bëjë me një mesazh të cilin do ta dërgojmë të populli i Kosovës i cili e ka krijuar me vetëdije të plotë dhe besim të plotë këtë gjykatë tek ju si partner të tonë ndërkombëtar dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të i cenohet ky besim që e ka në shtetin ligjor dhe drejtësinë ndërkombëtare”, tha Veseli.

Ai u ankua për komunikim jonormal me të dhe avokatin e tij, Ben Emmerson. “Kemi krijuar një përvojë bukur të gjatë, por po e shoh një komunikim i cili nuk po me duket shumë normal dhe as profesional, reagimet. Nuk po paragjykoj por si i akuzuar kam të drejtë të jep një mesazh; nuk kam pasur dëshirë që në gjerat që janë jashtë realitetit tim të ndikohen dhe të paragjykohet për arsye se ka një mospërmbajtje shpeshherë sidomos në adresimet e avokatit tim po flas, të nderuarit Ben Emmerson”, tha Veseli. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha paraprakisht avokatit Emmerson se për humbjen e orëve në sallën e gjyqit po e fajëson dhe ofendon prokurorinë.

Kontrolloni gjithashtu

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip T. Reeker do të vizitojë so Shqipërinë

Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit

Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …