Ahmet Qeriqi: Serbët po mundohen t`i zënë korridoret tona në relacion Pjetërshticë, Zborc e Godanc. (E premte 28 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Serbët po mundohen t`i zënë korridoret tona në relacion Pjetërshticë, Zborc e Godanc. (E premte 28 maj, 1999)

Sa herë që kthehem në Krojmir, mbase nga lodhja apo nga shqetësimet gjithnjë në rritje, nuk arrij të bëj gjumë  si duhet. Meqë ndihem tepër i lodhur dhe me qëllim që të përcjellë për së afërmi zhvillimet e ngjarjeve në Zborc, sot kam vendosur të rri në tendë.

Bashkëshortja ime, Zymrytja  më bën me dije se disa familje nga Shtimja që kanë qenë të vendosura në Godanc, kanë ardhur në Grykën e Shpëtimit në Krojmir. Në mesin e tyre është edhe, Baca Sherif, babai i Kadrie Gashit, një burrë i urtë dhe atdhetar i dalluar. Po ashtu në Krojmir kanë ardhur edhe shumë banorë të fshatrave të tjera. Gryka e Shpëtimit tanimë është rezervati më i madh i të zhvendosurve në Kosovë. Nuk kemi arritur të bëjmë regjistrim të të zhvendosurve, meqë një punë e tillë po thuajse është bërë e pamundshme. Ramadan Rizani dhe Heset Hamdiu kanë arritur të regjistrojnë  deri në afër 12.000 por kur ka filluar arritja masive e të zhvendosurve nga Podguri dhe Llapusha ata nuk kanë vazhduar tutje, meqë janë të zënë edhe me shumë punë të tjera por është e sigurt se popullata e zhvendosur është dyfishuar deri tani.

Sot jam takuar me Sylën, Elezin, mjekun Naser Bytyçi dhe me dhjetëra të tjerë. Të gjithë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mundësinë e ndonjë sulmi të koordinuar serb në drejtim të Grykës së Shpëtimit. Nga analiza që Elez Durmishi iu ka bërë lëvizjeve të forcave serbe, del se ata nuk kanë ndërmend të ndërmarrin ndonjë sulm të akorduar, mirëpo ai mendon mund të priten goditje nga distanca, sepse predhat e armës armike mund të godasin edhe brenda në Grykë. Megjithatë, shpjegon Elezi, deri tani forcat serbe nuk kanë goditur më thellë se në hyrje të Grykës, te Mulliri i Bacit Avdyl dhe një kilometër më thellë.

Rreth mesditës ka ardhur për të biseduar një ushtar nga Sankovci, i quajtur, ushtar Dulla. Ai më bën me dije se baba im Aliu 77 vjeçar, Gazmendi dhe Meleqja janë mirë dhe deri tani nuk kanë pasur vështirësi të veçanta. Dulla më tregon edhe për situatën tejet të rëndë në Zonën e Neredimës. Një pjesë e popullatës së zhvendosur atje është detyruar të ikë drejt Shqipërisë dhe nuk dihet për fatin e saj. Një pjesë tjetër ka mbetur thellë nëpër gryka malesh në mbrojtje të luftëtarëve tanë, të cilët po përpiqen me mish e shpirt për t`u mbrojtur.

Sot kam qëndruar një kohë të gjatë në tendë. Labja, Rrezja dhe Zamiri kanë bartur dru të thata, për të gatuar flija. Ato tanimë duken si malësore të kalitura. Zamiri më duket se po shndërrohet në një fëmijë i tillë sikur kam qenë unë në moshën e tij, pikërisht në këto anë duke i ndihmuar babës për të bartur drunj. Është e habitshme, por më duket se po kthehemi prapa me decenie të tëra. Në fytyrën e secilit vërej lodhje, mpirje por edhe zhvillim fenomenal të shkathtësive fizike. Te secili vërej një dinamizëm të stërshpejtuar. Frika nuk vërehet, meqë banorët e Grykës së Krojmirit ende nuk kanë parë madje as fytyra të kriminelëve. Këtu nuk dëgjohen as edhe predhat e raketave tokë-tokë. Këtu dëgjohet vetëm ndonjë detonim i fuqishëm e bombave të NATO-s.

Vetëm te Arbana vërej pak më shumë ndryshime. Ajo është bërë shumë më nervoze dhe duket sikur ka shqetësime të jashtëzakonshme. Arbana ka të njëjtën frikë të pashprehur që e kam edhe unë, lidhur me fundin e mundshëm fatal të Grykës. Sa e sa herë krejt pa dashur më kujtohet Srebrenica e Bosnjës dhe tërë trupi më rrëqethet. Në Srebrenicë, ishin trupat e huaja që e ruanin popullatën e pambrojtur, por duke parë sulmin virulent serb ata i lëshuan pozicionet dhe ikën.

Vetëm fëmijët e Grykës janë në elementin e tyre jetësor. Ata nuk dinë  as duan të dinë për Srebernicën. Ata i thërrasin me tërë shpirtin UÇK-së dhe NATO-s. Luajnë, improvizojnë, këndojnë këngën  “Jemi trima luftëtarë”, zihen, ndonjëherë edhe ngatërrohen e shahen, por asnjëherë nuk e teprojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …