Në një konferencë për shtyp, deputetja Eliza Hoxha dhe asambleisti Leutrim Retkoceri, njoftuan që Dega e Partisë Demokratike në Prishtinë kërkon që Plani i Kalabrisë të revidohet, përndryshe nuk do të përkrahet nga PDK. Sipas Retkocerit, në Badoc Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u mundua që ta tjetërsoj pronën publike për të akomoduar kërkesat e disa kompanive të ndërtimit të afërta me të. “Ndërkaq, në planin e propozuar të Përparim Ramës për lagjen Kalabria, prapë mbi 15 hektarë të pronës publike po vihen në shërbim të disa kompanive të ndërtimit. Në të dyja rastet, në Badoc dje dhe në Kalabri sot, Përparim Rama po tregon që është shëndrruar në një zyre projektuese që nuk e sheh pronën publike si hapësirë për qytetarët, por veç si tokë për ndërtim”, ka thënë Retkoceri. Ndërkohë, deputetja Eliza Hoxha njoftoi që PDK-ja nuk ka votë për këtë plan të Kalabrisë, përmes së cilit po provohet të kontrabandohet prona publike në kurriz të banorëve.
Sipas saj, plani aktual që e ka propozuar Përparim Rama nuk përmban elementet e duhura ligjore, praktike dhe urbanistike. Hoxha ftoi të gjithë publikun, përfshirë arkitektët, që të shikojnë planin dhe të bëhen aktiv në mbrojtjen e interesit publik. “A nuk duhet të na vie keq që ende i referohemi lagjeve Ulpiana, Bregu i Diellit e Dardania si lagjet më të mira e më cilësore për të jetuar? A nuk na vie keq që për 40 vite nuk kemi arritur të prodhojmë një plan e një lagje të re në qytet që do të ishte shembull i mirë dhe model për tu ndjekur?” tha Eliza Hoxha.Për fund, PDK në Prishtinë iu bëri thirrje të gjithë asambleistëve, pa dallime partiake që të ndikojnë në përmirësimin e këtij plani. Kjo praktikë e ngulfatjes së Prishtinës duke u thirrur në emër të banorëve e duke maksimalizuar kërkesat e ndërtuesve duhet të ndaloj. Prishtina meriton më shumë.