Më 31 maj të viti 1999 në luftimet e zhvilluara në Frontin e në Koshares ka rënë dëshmor, Xhemajl Fetahaj, atdhetar, veprimtar e revolucionar i njohur. Fetahaj ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe luftëtar i radhëve të para të UÇK-së. U lind më 27 maj të vitit 1964, në fshatin Raushiq të Pejës, në një familje bujare e njohur për tradita të larta atdhetare. Më 27 janar të vitit 1984, milicia jugosllave e arreston së bashkë me vëllanë Demën dhe bashkëveprimtarë të tjerë. E kishin dënuar 6 vjet burg. Në sallën e gjyqit, Xhemajli iu kishte drejtuar gjykatësve me fjalët: “Ju mund të më dënoni sa të dëshironi, por në veprimtarinë time patriotike nuk mund të më ndalni kurrë. Nëse kam fat të dal nga burgu veprimtarinë time për pavarësimin e Kosovës s’do ta ndali për asnjë çast!”. Këtij betimi të bërë në gjyq iu përmbajt besnikërisht deri në rënien e lavdishme me 31 maj të vitit 1999, në frontin e Koshares. Po atë ditë ka rënë dëshmor edhe Milazim Shala. Këta janë dëshmorët e parë, që u varrosën dy javë pas rënies në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Koshare. Xhemajl Fetahaj është shpallur hero i Kosovës.