Bashkimi Evropian (BE) do ta mbështesë Kosovën me 75 milionë euro, si pjesë e pakos energjetike. Lajmin e ka bërë me dije shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Szunyog përmes një postimi pas një takimi që ka pasur me përfaqësues të sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Szunyogu ka thënë se në këtë takim është konstatuar se Plani i Rritjes ofron një nxitje shtesë për reforma të përshpejtuara dhe siguron burime financiare për projekte të rëndësishme. “Duke theksuar se tranzicioni i gjelbër, integrimi dhe dekarbonizimi i sektorit të energjisë janë pjesë integrale e Agjendës së Reformës së Kosovës, diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë. U theksua se BE-ja e mbështet Kosovën me 75 milionë euro në kuadër të Pakos për Mbështetjen e Energjisë”, ka njoftuar Szunyogu.
