Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva shkatërrimtare. Serbët nuk heqin dorë nga përpjekjet për të depërtuar në Rrafshnaltë. (E shtunë 5 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon ofensiva shkatërrimtare. Serbët nuk heqin dorë nga përpjekjet për të depërtuar në Rrafshnaltë. (E shtunë 5 qershor, 1999)

Jam zgjuar me të zbardhur drita. Fillimisht kam depërtuar te kodra afër majës së Pallanikut për të parë tendën e ushtarëve që vëzhgojnë, në Mys të Krojmirit. Derisa tenda është atje e di se nuk ka pasur ndërrime as rreziqe në Grykën e Shpëtimit.

Me dylbi e hetoj se tenda është e paprekur. Në moment dëgjohen shpërthime të furishme raketore nga Pishat e Shtimes në drejtim të Blinajes, në Zborc dhe në Carralevë. Si duket serbët na kanë vënë në rrethim nga të gjitha anët duke pretenduar që pikërisht në këtë zonë ta përmbyllin kapitullin e luftës. Një kohë të gjatë kam vëzhguar terrenin dhe kam përcjellë shpërthimet sidomos në skajin lindor të Blinajës, atje nga ku mund të rrezikohet Gryka e Krojmirit.

Rreth orës 9 një raketë e vetme me një detonim shumë të fuqishëm ka goditur në Lagjen e Munollve në Fshat të Ri. Pastaj ka rënë qetësi. Sipas parashikimit tonë raketa ka goditur dikun afër selisë së Agjencisë. Për të marrë ndonjë informatë për atje është nisur Gazmend Elshani. Kemi frikë mos ka qenë ndonjë raketë teledirigjuese.

Të gjithë jemi tejet të shqetësuar se mos po thyhet ndonjë pozicion i luftëtarëve tanë. Mjafton që serbët të hapin një korridor për të depërtuar në Rrafshnaltë dhe gjithçka do të rrokulliset marramendshëm.

A është e mundshme të qëndrohet në këto kushte dhe rrethana?

Koha do të tregojë…

Të zënë me zhvillimet në zonën tonë ditëve të fundit kryesisht kemi dhënë informacione nga vend-luftimet, ku aktualisht jemi pozicionaur. Nuk kemi sa duhet informacione nga terreni. Një burim i huaj i lajmeve bën të ditur se një ekip ushtarak serb ka pasur takime me gjeneralët e NATO-s, lidhur me mundësinë e ndërprerjes së luftimeve, apo të ndërprerjes së bombardimeve të NATO-s. Nuk janë dhënë hollësi rreth takimit, por shihet se diçka ka lëvizur nga vendi. Pikërisht për këtë serbët po mundohen me çdo kusht ta mposhtin përfundimisht rezistencën tonë. Kjo marrëveshje parasheh edhe tërheqjen e të gjitha trupave ushtarake dhe policore  serbe nga Kosova. Është një lajm i mirë nëse del i vërtetë.

Aeroplanët e NATO-s, vetëm kanë defiluar mbi vendin tonë dhe nuk kanë goditur. Gjatë kësaj kohe forcat serbe janë strukur nëpër vrimat e tyre. Sapo janë larguar avionët e NATO-s, serbët kanë filluar të granatojnë në drejtim të Tërpezës, të Lladrovcit dhe të Arllatit.

Luftëtarët tanë tanimë janë kthyer në shkëmbinj qëndrese. Ka të rënë në mesin e tyre ka edhe shumë të plagosur, por asnjë pozicion nuk është lëshuar, përkundrazi nga dita në ditë na vijnë përforcime sidomos nga brigadat e 113 dhe 114 të Zonës Operative të Drenicës. Është fat i madh që nuk na mungon as municioni edhe pse rezervat nuk i di askush, por si duket me kohë janë marrë të gjitha masat meqë është paraparë se një ditë do të ndodh kjo, që aktualisht po ndodh.

Të shpresojmë për një çast se sundimi gjakatar serb në Kosovë po merr fund.

Kam një parandjenjë të tillë, edhe pse në kushte dhe në rrethana aktuale duket më tepër si një ngushëllim për vetveten.

Ka më shumë se një javë që nuk kam shkuar në Krojmir. Meqë Rrafshnalta vazhdimisht gratanohet ka rrezik të depërtimit nëpër rrugë. Ndërsa rrugëtimi nga një grykë në tjetrën në rrugën tërthore zgjat tetë apo dhjetë orë dhe për këtë marshim nuk ndihem i sigurt. meqë ditëve të fundit jam lodhur dhe jam rraskapitur.

Nga vëzhgimi që i bëj me dylbi terrenit e kuptoj se forcat serbe nuk kanë avansuar në drejtim të Krojmirit. Ato janë pozicionuar në Rrafshin e Blinajes nga ku po granatojnë Pjetërshticën, Shalën dhe Krojmirin. Nga ato pika mund të godasin edhe në mesin e popullatës në gryka, por diçka e veçantë ende nuk ka ndodhur. Në rast të tillë Elezi nuk e lë pa më lajmëruar përmes ndonjë ushtari.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …