leoni

Albin Kurti pajtohet pёr zvogёlimin e menjёhershёm tё policisë në veri dhe për zgjedhje parakohshme pas verës

Albin Kurti kërkon të blejë kohë për zgjedhjet, andaj propozon që projekti për Asociacionin të dërgohet në Komisionin e Venedikut

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar që projekti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i hartuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të dërgohet në Komisionin e Venedikut  për vlerësim. Ai theksoi se është e rëndësishme që drafti të shqyrtohet nga ky organ ndërkombëtar. Ai, gjithashtu deklaroi se dokumenti i tij do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për verifikim. Unë kam shprehur ofertën time, e cila duhet të pranohet fillimisht në parim. Dokumentin e tyre, Lajçak me ekipin e tij duhet ta çojnë në Komisionin e Venedikut, tha Kurti. Ai shtoi se presioni duhet të ushtrohet në Beograd dhe se Kosova është në të drejtën e saj.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur zyrtarisht  se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin nuk parasheh që projekt-statuti evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venedikut, dhe i bëri thirrje Kosovës ta dërgojë atë në Gjykatën e vet Kushtetuese. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se përfshirja e Komisionit të Venedikut nuk është e paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ky propozim i Albin Kurtit kishte vetëm një qëllim,  që të blejë kohë  për zgjedhjet, pasi e di mirëfilli se lëndët gjyqësore në Komisionin e Venedikut zgjasin me vite të tëra, nganjëherë edhe me decenie. Kjo do të shënohet edhe si përpjekja e tij e fundit para fundosjes politike, e cila e pret në të gjitha segmentet ku është angazhuar, por jo për të mirën e stabilitetin e vendit por për mbijetesë politike me çdo kusht, madje edhe me çmimin e dëmtimit të unitetit kombëtar të shqiptarëve në trojet e tyre, në pesë vende të Ballkanit. Ai deri tani ka arritur t’ i ndajë e të i përçajë jo vetëm politikisht shqiptarët që i konsideron “vetvendosistë” në Kosovën Lindore dhe në Maqedoninë e Veriut, por kurrsesi në Shqipëri deri sa të jetë kryeministër Edi Rama e kryetar Bajram Begaj.

 Kurti, si i gjithë ditur që mendon për veten dhe që paraqitet të jetë i tillë,  e   di mirë se një pjesë jo e vogël e shqiptarëve, ka në gjene ndarjen, përçarjen, skizmën, andaj aty gropos, sepse ky është morali i tij kombëtar dhe politik, të  qëndrojë në pushtet me çdo çmim, pavarësisht pasojave.  Albin Kurti  me klanin e tij të ngushtë, janë shqiptarë lindorë ashtu sikur i ka  përkufizuar filozofi i madh  shqiptar, Kristë Maloku.

 Ja cili është përkufizimi,  të cilit iu kemi referuar sa e sa herë:

 

  “Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e për vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është Lindori kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët si ata ujqit, që shkojnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës. Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është Atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi

Shqiptarë e politikanë të tillë dyfytyrësh ka edhe në partitë e tjera, por logjikisht ka më shumë aty ku edhe janë në shumicë numerike.

Një pjesë jo e vogël e shqiptarëve shumë më lehtë ndahet e përçahet, por shumë veshtirë bashkohet për mbrojtje e interesit kombëtar. E kemi përjetuar në kurriz edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku pakica 20 për qind e bëri dhe e mbështeti luftën, por pas mbarimit të saj dhe çlirimit të vendit, shumica ikanake, në mesin e saj edhe tradhtarë mercenarë të ish-regjimeve e gëzoi dhe po e gëzon, madje po e shfrytëzon pushtetin gati pa asnjë meritë në çlirimin e vendit. Andaj konsideroj se me të drejtë thirrem në konstatimet e gjeniut shqiptar, Kristë Maloku.

Manovrat politike të Albin Kurtit, propaganda mujshare e një pjese të Vetëvendosjes, përpjekja për ta mbajtur edhe me tej elektoratin me premtimet, që tashmë janë zbërdhulur dhe me premtime të reja,  ekzibicionet politike me faktorë ndërkombëtarë, në dëm të interesit të Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht, degradimi i imazhit të vendit dhe vënia e sanksioneve nga Amerika e BE-ja, përpjekja naive për të mbuluar çdo lakuriqësi të militantëve të vetë, sikur është rast i skandaleve të Mimoza  Kusarit, Donika Shvarcit, Martin Berishajt e shumë të tjerëve, ndarja e jashtëligjshme e tenderëve njëburimorë për pasurimin e klasës së militantëve të  vet, duke shkelur krejt hapur dhe pa pikë turpi ligjin, sulmet kundër sistemit të drejtësisë, shkeljen enorme të Kushtetutës,  injorimi dhe manovrat për ta degraduar opozitën nga brenda e nga jashtë, përçarja jo pa sukses e faktorit politik shqiptarë në Kosovën Lindore dhe në Maqedoninë e Veriut, e shumë veprime të tilla, janë “merita” që Albini i ka arritur me tërë makinerinë e tij të veprimit, politik e qeveritar.

Përpjekjet e Qeverisë-Kurti  për ta shtrirë sovranitetin dhe sundim e ligjit në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, pa u koordinuar me faktorin ndërkombëtar, nuk janë veprime të qëndrueshme, dhe ai e di fare mirë këtë, por e bën me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme ta përdor si argumentin kryesor për të fituar elektorat, pavarësisht se pikërisht këto veprime i shkojnë për shati në radhë të parë Serbisë, të cilën sidomos në këtë segment e mbështet dhe e arsyeton Bashkimi Evropian, Amerika, Franca, Gjermania, Italia, madje edhe Turqia, te e cila i ka varur shpresat, Albin Kurti.

Fakti se Serbia vetëm po ankohet dhe po e mban të nderë situatën me shtimin e pranisë ushtarake rreth kufirit të Kosovës, do të thotë se një ditë, kur të marrë dritë jeshile nga Rusia,  ajo do t iu thotë BE-së dhe Amerikës, nuk pres më, ose ndalojeni Kurtin ese e ndaloj unë. Për  të arsyetuar një intervenim të tillë, ajo mund të inskenojë kur të dojë trazira ne veri, pastaj Beogradi zyrtar,  nuk do të kërkojë asociacion as autonomi por bashkimin me Serbinë, pa e hapur fare mundësinë e shkëmbimi të territoreve, opsion  të cilin Kurti nuk e pranon vetëm për inat të ish kryetarit  të Kosovës, Hashim Thaçi, edhe sepse kjo ishte kauza kryesore në fushatën e tij, zgjedhore.

Me Albin Kurtin dhe ekzibicionet e tij politike do ta humbin edhe de iure Veriun por edhe tri komunat shqiptare të Kosovës Lindore.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 6. 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …