Dita e dhjetë e qershorit sjell në vëmendje organizimin politik të parisë së katër vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, Lidhjen e Prizrenit. Ajo u themelua zyrtarisht më 10 qershor 1878, në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, ku deri një vit më parë ishte qendra e Vilajetit të Kosovës. Pas humbjes fatale të Perandorisë Osmane në frontin e Plevnës, në Bullgari, gjatë vjeshtës së vitit 1877, atdhetarët shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë edhe disa personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte edhe, Abdyl Frashëri. Hapjen e Parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë, sidomos anëtarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit”. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti, janë njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Basri Beadini, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri, Kadri Bajri e të tjerë…
Për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm.
Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, Ali Pashë Gucia e të tjerë. Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren.
Hapja më 10 qershor 1878, në Prizren
Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër personalitetet më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm ishin: Ali Pashë Gucia, Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas.
Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz Pashë Dibra.
Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës. Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës. Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Ata u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje. me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.