leoni

Ahmet Qeriqi: Ka filluar tërheqja e barbarëve. Ndërkohë një kontingjent i forcave ruse të SFOR-it është nisur drejt Kosovës pa lejen e NATO-s. (E premte 11 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Ka filluar tërheqja e barbarëve. Ndërkohë një kontingjent i forcave ruse të SFOR-it është nisur drejt Kosovës pa lejen e NATO-s. (E premte 11 qershor, 1999)

Deri në orët e mesditës ka mbretëruar një qetësi e jashtëzakonshme. Nuk ka të shtëna. Nuk ka krisma e detonime. Nuk ka fluturime të aeroplanëve të NATO-s. Nëpër rrugët magjistrale ka lëvizje të forcave serbe.

Nga rruga e gjatë që kam bërë ditë më parë jam sëmurë. Diçka më djeg në fyt dhe mezi marr frymë. E kam porositur Martin Çunin, që nga Spitali në Divjakë apo në Shtabi të më sjellë antibiotikë.

Serbët kanë filluar të tërhiqen, duke marrë plaçkën të cilën e gjejnë përpara dhe duke djegur edhe ndonjë shtëpi që ka shpëtuar rastësisht, në ndonjë rrethanë të caktuar. Serbët po tërhiqen duke lënë shkrumb e hi pas veti, ashtu sikurse kishin bërë shkrumb e hi paraardhësit e tyre 12 shekuj më parë me rastin e pushtimit të një pjese të Ballkanit.

Po shkojnë barbarët.

Një burim i huaj i informatave bën të ditur se një kontingjent i forcave ruse të SFOR-it në Bosnje është nisur me shpejtësi në drejtim të Kosovës. Serbët po shkojnë, rusët po vijnë. Trupat tokësore të Aleancës po vonojnë. Është shumë me rëndësi se kush hyn i pari. në Kosovë.

Nga Zona Operative e Llapit bëhet e ditur se forcat tona kanë depërtuar në periferi të Prishtinës, ndërsa forcat e gueriles edhe brenda në Prishtinë.

Programin tonë ditor 50 minutësh e kemi transmetuar me kohë.

Sot kam temperaturë dhe nuk kam arritur t`i ndihmoj Nezir Myrtajt i cili i ka sajuar lajmet.

Në mbrëmje serbët kanë filluar të granatojnë lagjet e zbrazura të Nekocit dhe në drejtim të Pallanikut. Si duket ata kanë frikë nga ndonjë mësymje e përgjithshme të radhëve tona dhe janë vënë në gjendje gatishmërie.

Një detonim i fuqishëm është dëgjuar drejt Majës së Pallanikut te antena e radios.

Në orët e pas ditës kam pasur temperaturë dhe ndihem tepër keq.

Diku rreth mesnatës ka ardhur Martin Çuni. Ai nuk ka harruar dhe më ka sjellur një pako antibiotikë.

Nga terreni vijnë lajme kontradiktore. Serbët kanë filluar të tërhiqen sipas marrëveshjes teknike të nënshkruar në Kumanovë. Fillimisht fillon tërheqja e trupave serbe nga zonat kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …