Investimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes granteve investive dhe subvencioneve kanë ndikuar që të përmirësohen kushtet e punës dhe të prodhimit në shumë kompani prodhuese të verës në vend e bashkë më këtë është rritur edhe cilësia e verërave kosovare.
Buxheti që ka ndarë MBPZHR-ja këtë vit për të mbështetur sipërfaqet me vreshta dhe përpunimin e rrushit arrin në rreth 3.7 milionë euro. Kështu është shprehur ministri i MBPZHR-së, Memli Krasniqi, të enjten në “Forumin e Verërave 2016”, i cili është organizuar nga Shoqata e Verëtarëve të Kosovës “Enologjia” e mbështetur edhe nga MBPZHR-ja, Komuna e Rahovecit, si dhe nga GIZ-i gjerman.
Me këtë rast, ministri Krasniqi, theksoi se sektori i verëtarisë është padyshim sektor strategjik për vendin dhe mjaft i konsoliduar që nga paslufta dhe tashmë Kosova subvencionon më së shumti në rajon rrushin e verës, por edhe atë të tryezës me 1000 euro për hektar. “Këtë vit kemi vendosur që të bëjmë edhe një rritje të subvencionimit edhe për ata që kanë mbi 100 hektar, që deri tash kanë marrë nga 300 euro, ndërsa tani marrin nga 400 euro për hektar”, tha ministri Krasniqi.
Krahas kësaj, ministri tregoi se nga viti i kaluar në tregun e Bashkimit Evropian prodhuesit kosovarë të verës mund të shesin 5 milionë litra verë pa barriera tarifore, nga 2 milionë sa e kishin më herët kuoten.
“Duke parë pra mundësitë që kemi për verën këtu në vendin tonë, për eksport në rajon dhe Evropë, ne këtë vit kemi lehtësuar edhe kriteret për aplikuesit për grante në zgjerimin e sipërfaqeve me vreshta, duke zbritur sipërfaqen minimale të kërkuar për kualifikim për aplikim. Synim i yni mbetet që të rrisim sipërfaqet me vreshta, të arrijmë në së paku 6 mijë hektar, të kultivojmë varietete tradicionale dhe njëkohësisht të ju mbështesim juve prodhuesve të verës në përmirësimin e kushteve, në avancimin e teknologjisë dhe po ashtu në rritjen e kuadrit profesional për prodhimin e verës. Gjithashtu, një dimension tejet i rëndësishëm mbetet promovimi verës”, tha ministri Krasniqi.
Ministri përmendi se po punohet në projekte të reja për promovimin e verës, si dhe rritjen dhe mbrojtjen e vreshtave. Në këtë drejtim ai tha se shumë shpejt këtë vit do të ngritën stacione agrometerologjike që do të jenë një ndihmesë për vreshtarët që të parandalojnë dëmet e mundshme nga kushtet atmosferike.
Ai po ashtu tregoi se ky sektor do të gjej mbështetje edhe përmes Strategjisë së Verëtarisë dhe Vreshtarisë, e cila që do të miratohet shumë shpejt, e për të cilën kanë marrë mbështetje nga GIZ-i gjerman.
Shoqata e Verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, i ka ndarë mirënjohje ministrit Krasniqi për mbështetjen e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e sektorit të verëtarisë.