Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, me nderime ushtarake varroset trupi i dëshmorit, Milaim Mehdi Beha. Në varrim marrin pjesë edhe Gjeneral Agim Çeku, major Salih Veseli dhe eprorë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. (E hënë 14 qeshor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, me nderime ushtarake varroset trupi i dëshmorit, Milaim Mehdi Beha. Në varrim marrin pjesë edhe Gjeneral Agim Çeku, major Salih Veseli dhe eprorë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. (E hënë 14 qeshor, 1999)

Para dite kemi përgatitur një informatë të cilën e ka kërkuar Ministria e Informimit, lidhur me Radion. Ishte një projekt-propozim për zgjerimin e stafit dhe për pajisje teknike. Ne kemi paraqitur kërkesat dhe kemi kërkuar që të na sigurohen kushte për emetim më cilësor.

Në orët e par aditës kemi përgatitur informatat për emisionin ditor.

Në orën 13, së bashku me Nezir Myrtajn jemi nisur në drejtim të Kleçkës. Atje do të varroset dëshmori, Milaim Beha.

Edhe sot bën vapë e padurueshme.

Në zabelin te shkolla tanimë e shkatërruar e fshatit Kleçkë, kemi arritur pas një orë rrugëtimi këmbë, në diell, pluhur dhe vapë.

E kemi ngushëlluar Mehdiun dhe anëtarët e tjerë të familjes Beha, nënën, motrat dhe vëllezërit e dëshmorit. Për të marrë pjesë në varrim kanë ardhur edhe Rrezarta, bija ime, e fejuara e Milaimit, pastaj Arbana, Labëria, Epiri dhe shumë të tjerë. Takoj edhe disa ushtarë të Caralevës, në mesin e tyre edhe eprorin Naim Ismajli të cilit i mbushën sytë me lot. Edhe vetë nuk po i ndal lotët.

Në planimetrinë e varrezave ishte hapur varri për dëshmorin. Pranë qëndronte trupi i tij i pajetë, në arkivol.

Më pas rreshtohet garda e nderit. Tutje në ballë gjeneral Agim Çeku, pastaj Salih Veseli dhe shumë eprorë dhe ushtarë. Ishte një pikëllim i veçantë Vetëm për disa ditë  Milaimi nuk e priti lirinë, aq shumë të dëshiruar dhe aq shumë kishte dhënë për të. Sot kemi varrosur ushtarin më fjalë pak që kurrë nuk foli për vetveten, por që la pas vete shumë vepra trimërie.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit një fjalë rasti e mbajti, majori, Salih Veseli.

Pastaj në emër të familjes ngushëllimet drejtuar gjeneralit dhe bashkëluftëtarëve i bën babai i dëshmorit, Mehdi Beha. I ngurtësuar nga dhembja por shumë i përmbajtur, ai mundohet të tregohet i pathyeshëm, ashtu sikurse edhe mijëra baballarë të tjerë, bijtë e të cilëve u flijuan për lirinë e Kosovës.

Pas ceremonisë së varrimit qëndrojmë edhe pak me bashkëluftëtarë dhe me anëtarët e familjes së dëshmorit. Në sytë e secilit  vërej lot, dhembje..

Rreth orës 15, me Nezirin nisemi drejt Berishës.

Sërish do të kthehemi në tendë, këmbë, në vapë e pluhur. Askush nuk e ndalon veturën për të na marrë edhe pse shumica na njohin.

Duket sikur tani e tutje secili do të interesohet vetëm për vetveten.

Lufta mbaroi. Të paktën armët si duken kanë pushuar.

Te Pallati i Qeverisë plot njerëz. Ushtarë, eprorë, civilë, anëtarë të delegacioneve të huaja.

Pasi kemi arritur në tendë nga lodhja, sëmundja dhe dhembja kam rënë për të pushuar në krevatin tim të metaltë, në tendë. Mbaroi edhe një ditë me pikëllim të thellë…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …