Ahmet Qeriqi: Shkojmë për të ngushëlluar familjen e dëshmorit Azem Kastrati dhe të atdhetarit Adil Cena në Nekovc (E mërkurë 16 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Shkojmë për të ngushëlluar familjen e dëshmorit Azem Kastrati dhe të atdhetarit Adil Cena në Nekovc (E mërkurë 16 qershor, 1999)

Jemi zgjuar herët. Edhe sot na presin shumë punë.

Në orën 8.00 ka ardhur Ali Mullini me veturë dhe së bashku me Nezën, Sylën dhe Elezin jemi nisur në drejtim të Nekocit. Fillimisht kemi shkuar te familja e dëshmorit Azem Kastrati, për të ngushëlluar. Në shtëpitë e shkatërruara nga barbaria kemi takuar djalin e Azemit dhe nënën, një burrëneshë që mbahej e fortë dhe e pathyeshme.

-Djali e ka lënë shtëpinë plot, thotë ajo dhe shton, rrofshin ata që e çliruan Kosovën dhe gjaku i të rënëve kurrë mos u harroftë. Këso nënash kanë lindur dhe kanë rritur trima si Azem Kastrati me shokë. Azemi ka lënë pas gjashtë bija dhe dy bij, si dhe nënën e vëllezërit..

Pastaj nisemi në drejtim të Mahallës së Lugut në Nekoc. Ditë më parë ka vdekur rapsodi dhe atdhetari i mirënjohur, Adil Cena, Babai i Enver Dugollit t cili ende ndodhet i ngujuar në burgjet serbe.

Në shtëpinë e djegur e të shkatërruar në një odë takojmë Naserin, Ilirin dhe Gafurrin.

I ngushëllojmë të pranishmit.

-Edhe pse i sëmurë dhe i lodhur, baba e mori lajmin për çlirimin e Kosovës, ishte dëshira e tij më e madhe në jetë thotë Iliri, luftëtar I lirisë, i plagosur në betejën e Rahovecit.

Pasi dalim nga shtëpia e Naser Dugollit, ndahemi. Syla, Elezi dhe Aliu nisen në drejtim të Krojmirit, ndërsa unë dhe Neza sërish nëpër Grykën e Gashit e tutje drejt maleve të Berishës.

Gjatë rrugës takojmë edhe të zhvendosurit e fundit të cilët me traktorë po niseshin drejt shtëpive të tyre. Edhe pse të lodhur e të dërrmuar në sytë e secilit vërehet shpresa…

Edhe banorët e kësaj gryke e kanë mbijetuar luftën. Vuajtjet harrohen, ashtu sikurse kanë filluar të zhduken gjurmët e tendave.

Më në fund arrijmë në vendqëndrimin tonë në Berishë. Vetëm ne kemi mbetur në tendë. Pa vonuar me Nezirin fillojmë të sajojmë informacionet.

Disa informacione nga Agjencia i ka sjellur Martin Çuni.

Pasi e kemi transmetuar emisionin, Nusret Pllana dhe Nezir Myrtaj kanë marrë xhipin e Radios dhe janë nisur për në Prishtinë. Nusreti ka informata se rruga prej Duhlës në Prishtinë tanimë është e qarkullueshme dhe e sigurt.

Në vend-qëndrimin tonë në tendë ka ardhur edhe Habib Zogaj, i cili gjatë tre muajve të fundit ka qëndruar në malet e Zatriqit, së bashku me familjen dhe me luftëtarët e asaj zone. Habibi na bën me dije në familje i ka të gjithë shëndosh.

Ndihemi më të disponuar shpirtërisht. Kosova po çlirohet, barbarët po dëbohen, të dëbuarit shqiptarë po kthehen me shpejtësi, kush me traktorë e vetura e kush këmbë. Të gjithë kanë mësyrë drejt shtëpive të tyre të shkatërruara e të djegura…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi; Pasthënie e ‘Kronikës së Luftës- maj 1998-31 dhjetor 1999’

Ahmet Qeriqi: Pasthënie e “Kronikës së Luftës – maj 1998 – 31 dhjetor 1999”

Lexues të respektuar të kësaj kronike, Mbase u kam lodhur, mbase ndonjërin e kam lënduar …