Ahmet Qeriqi: Nuk dimë se si do të definohet statusi i ardhshëm i Radios-Kosova e Lirë (E enjte 17 qershor, 1999)

Ahmet Qeriqi: Nuk dimë se si do të definohet statusi i ardhshëm i Radios-Kosova e Lirë (E enjte 17 qershor, 1999)

Qysh në mëngjes iu kam rrekur punëve në sajimin e informatave. Fillimisht i kam sajuar lajmet ndërkombëtare e pastaj Martin Çuni solli disa informata të tjera nga terreni. Meqë Neza dhe Nusreti nuk janë kthyer dhe unë nuk kam fare kondicion, as zë për t`i lexuar lajmet, jemi marrë vesh që lajmet t`i lexojnë Martin Çuni dhe Habib Zogaj. Valdet Hoti i ka incizuar ato, si preventivë të mos ndodhin gabime gjatë leximit.

Martin Çuni na njofton se në Shtab është mbajtur një mbledhje me komandantët e zonave. Ai tregon se në mbledhje nuk ka marrë pjesë Sami Lushtaku, edhe pse nuk e di arsyen.

Martini po ashtu na njofton se krejt në fund kemi siguruar një kartelë për telefonin satelitor. Tani kur më nuk kemi nevojë për informata nga zonat dhe kur po bëhemi gati të shkojmë në Prishtinë, në mbarim të luftës, pas gjashtë muaj transmetimi, siguruam një kartelë për telefon. Edhe kjo duhet shënuar në këtë kronikë, sepse në raste të tilla neglizhenca dhe mospërfillja duhet të paktën të shënohen diku, sepse nuk duhet harruar sa e sa vështirësi dhe rreziqe nëpër të cilat kemi kaluar deri tani, në mungesë të një kartele të telefonit.

Sot në tendë na ka vizituar edhe Bajram Kosumi, ministri i Informimit Publik. Bajrami, gjatë kohës së luftës nga Zona Operative e Llapit me disa veprimtarë të tjerë, kanë depërtuar fillimisht në ish RJ të Maqedonisë e prej andej në Shqipëri. Tash është kthyer në Kosovë dhe Qeveria e Përkohshme e ka caktuar ministër të informimit. Ne të tjerët kemi kryer misionin tonë të shenjtë historik dhe tani e tutje mund të kthehemi atje ku kemi qenë. Kjo është logjika e gjërave.

Bajrami ka shfaqur interesim të shkojmë për ta parë bunkerin nga ku kemi transmetuar dhe aktualisht transmetojmë program. Ndërkohë nga Prishtina janë kthyer Nusret Pllana dhe Nezir Myrtaj. Së bashku me ta kanë ardhur edhe do kalimtarë rasti nga Gjakova, të cilët me veturën e tyre e kanë sjellë Nusretin e Nezirin meqë xhipi i Radios ka pësuar defekt dhe e kanë lënë te ushtarët tanë, në Carralevë.

Me Bajram Kosumin kemi biseduar lidhur me punën e mëtutjeshme në Radio. Ai, edhe pse është caktuar ministër, nuk ka ndonjë ide se si do të definohet çështja e statusit të Radios, meqë sipas  tij ende nuk dihet as statusi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas një bisede të gjatë mbeti që për radion dhe angazhimin tonë të mëtejmë t` i drejtohemi Shtabit…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …