Albin Kurti, ka vizituar Bunkerin e Pallanikut, në përkrahje të klanit shkizmat të Nusret Pllanës, Martin Qunit e tre të tjerëve, nga i ashtuquajturi “staf i luftës”, të cilët uzurpuan jashtëligjshëm Bunkerin e Radios-Kosova e Lirë të Majës së Pallanikut, pronë e Komunës së Drenasit, e cila kishte refuzuar kërkesën zyrtare të Radios-Kosova e Lirë për të dhënë në shfrytëzim 10 ari tokë gurinore, me qëllim të ndërtimi të Bunkerit, me arsyetimin se prona i takon Agjencisë së Pyjeve të Kosovës. Kërkesa drejtuar kësaj Agjencie u refuzua me “arsyetimin” absurd se vendi në Majën e Pallanikut qenka Zonë e veçantë e luftës, pikërisht sepse aty ka transmetuar program Radio-Kosova e lirë. Agjencia e pyjeve e njeh Bunkerin si Zonë të veten, dhe nuk e njeh Radion-Kosova e lirë si trashëguese legjitime. Kjo është njësoj sikur ta njohësh UÇK-në, or jo TMK-në e FSK-në si trashëgimtare të saj.
Të përkujtojmë me këtë rast se Radio-Kosova e Lirë është themeluar me vendim të SHP të UÇK-së, qysh në nëntor të vitit 1998 dhe statusi i saj nuk është vënë në dyshim as është marrë vendim për ndalim, por as është njohur zyrtarisht nga qeveritë e deritanishme, si vlerë informative gjatë luftës së UÇK-së, me një status të veçantë.
Se deri ku ka arritur përpjekja e Albin Kurtit dhe militantëve të tij në përçarjen e shqiptarëve, tregon edhe një rast shumë simptomatik, sikur është manipulimi me të vetëquajturin “staf i luftës”,( dikur në PDK, tani militantë të Kurtit dhe Mihalisit) staf i cili pa konsultim me Drejtorinë e Radios-Kosova e Lirë dhe pa lejen e saj, ka marrë përsipër ta ndajë e ta përvetësojë Bunkerin e Majës së Pallanikut, ku është transmetuar programi i Radios vetëm nga 8 prilli deri më 21 qershor të vitit 1999 dhe jo nga 4 janari, sikur pretendohet nga stafistët e kaskaderët, dikur militantë të PDK-së, tani të Albin Kurtit.
Këtë ndërhyrje të dhunshme, të ligë e të panjerëzishme, ky farë stafi e bëri në kohën kur u binden se jam sëmurë rëndë dhe nuk mund t’ i pengoj.
Ata në marrëveshje me AMMKM-në, përmes një tenderi njëburimor rregulluan Bunkerin dhe shtruan rrugën me ndihmën e komunës së Malishevës dhe donatorëve, nga të cilët kanë kërkuar dhe kanë vjelë mjete në emër të Radios-Kosova e Lirë, edhe pse drejtoria ka reaguar publikisht se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare, që mbështet këtë akt korruptiv dhe të jashtëligjshëm.
II
Radio-Kosova e Lirë, ishte, është dhe do të jetë unike me tërë trashëgiminë e saj programore me asetet e saj të luftës e të pas luftës, pavarësisht përpjekjeve të çdo grupi, apo pushteti për ta ndalur zërin e lirisë.
Prej 4 janarit të vitit 1999 e deri tani Radio-Kosova e Lirë, ka qenë dhe po mbetet në shënjestër të forcave të territ, gjatë luftës nga forcat serbe të Millosheviqit, pas luftës e deri tani nga pushtetarë të papërgjegjshëm, nga mercenarë e kameleonë politikë, që kanë ndërruar partitë nga LKJ-LDK-PDK-AAK-NISMA etj e tani në VV duke thithur favore, në emër të Radios, në cilën kanë punuar nga disa muaj e ndonjëri 1 vit e pak më shumë.
Përpjekja nga një pesëshe qe e quan veten “Staf i luftës” (Martin Çuni, Nusret Pllana, Riza Berisha e dy të tjerë, që u vënë pas) për ta rrëmbyer një pjesë të saj, Bunkerin e Majës së Pallanikut, ku Radioja ka transmetuar program nga 8 prilli e deri më 21 qershor 1999, tani me përkrahjen e Vetëvendosjes, për ta marrë edhe teknikën e pajisjet e kohës në luftës, janë përpjekje për ta tjetërsuar të kaluarën, me qëllim të përjetësimit të republikës së tretë të albin kurtit, e cila ka fiksion përçarjen e shqiptarëve kudo ku janë ata.
Kërkesa e pesë vetave, cilët i kanë dhënë vetës të drejtë të vetëquhen “staf i luftës”, duke lënë anash dhe duke injoruar, 32 anëtarë të tjerë të stafit dhe bashkëpunëtorëve të Radios-Kosova e Lirë, bashkë me drejtorin e saj qe 25 vjet gjatë dhe pas luftës, dhe përpjekja e tyre për ta boshatisur Shtëpinë-Muze duke ia marrë mjetet, pajisjet, arkivin për t i dërguar në Muzeun e Kosovës, ka ngjallur reagimin e ashpër të stafit të Radios, të shumë eprorëve të UÇK-së, veteranëve, familjeve të dëshmorëve e qytetarëve liridashës.
Mirëpo ky reagim qytetar nuk i ka bërë përshtypje fare kësaj pesësheje, e cila më fund hoqi maskën dhe tregoi se në këtë lojë të ligë dhe me siguri me shumë pasoja, e kanë bërë në pajtim me Albin Kurtin, i cili jo vetëm ka mbështetur këtë staf shkizmatik, por edhe ka asfaltuar rrugën deri te Bunkeri i Majës së Pallanikut, ku në të ardhmen stafi do të ndërtojë, villa, kampingje, dhe do ta ruajë kujtim vendin, që paska vlerën historike për zërin e spikerit, Nusret Pllana, mbajtjen në dorë të mikrofonit nga Martin Çuni, të cilët nuk kanë hartuar as edhe një lajm të vetëm, gjatë atyre 6 muajve të luftës, por kanë bërë punë të tjera sidomos kanë fotografuar, madje edhe në mënyrë selektive, duke lënë anash shumë anëtarë të stafit…
Në këtë çerek-shekulli jubilar, Radio Kosova e Lirë po përballet me vështirësi, si gjithherë, por ende funksionon, tani duke çaluar më shumë se në vitet paraprake. Ky zë i lirisë së Kosovës ka qenë dhe ka mbetur në shënjestër të forcave të territ, si në kohën e luftës, (Janar-Qershor 1999) kur sulmohej e bombardohej nga ushtria e kryekriminelit serb, Millosheviq, por edhe pas luftës nga mbetjet e ish-regjimeve dhe nga injorimi që iu bë, nga ata që do të duhej ta ndihmonin më së shumti. Megjithatë falë qytetarëve liridashës, donatorëve, firmave të ndryshme dhe një segmenti të zyrtarëve me prejardhje nga lufta e UÇK-së, zëri jehonë i armçve të Legjendarit Adem Jashari dhe i çlirimtarëve të Kosovës, vazhdon të transmetojë program ditor informativ, tematik, kulturor me përmbajtje të mirëfillta kombëtare, ashtu sikur në ditën e parë të transmetimit.
Radio-Kosova e lirë ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë e mote, si vlerë e luftës dhe e paqes, në vendin tonë. Andaj atyre që pretendojnë të ndajnë, ta copëtojnë, për interesa politike, apo për përfitime grupore, korruptive gjithsesi u bëjmë me dije se Shtëpia-Muze në Berishë, vend-qëndrimi te ‘Rezja e Baliqit, bunkeri te Maja e Pallanikut, pastaj selia e parë, në Krojmir, selia qendrore në Prishtinë, janë asete, janë një tërësi e cila nuk mund të tjetërsohet, të ndahet as të copëtohet, sipas tekeve të individëve të caktuar, cilët do qofshin ata, spikerë, reporterë, shoferë, sepse gjatë luftës nuk kanë qenë vetëm këta pesë, por ka pasur edhe të tjerë, hartues lajmesh, gazetarë, redaktorë, komentues, analistë, reporterë të zonave të luftës, shkrimtarë, teknikë të incizimit e transmetimit, furnizues…
Stafi rezident i Radios gjatë luftës: Ahmet Qeriqi, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Fatmir Dugolli, Valdet Hoti dhe Rizah Berisha
Gjatë luftës kanë raportuar për Radion e disa edhe për Agjencinë Kosovapress:
Zona Operative e Drenicës: Gani Koci, Murat Musliu, Tahir Desku, Destan Bajraktari.
Zona Operative e Pashtrikut:
Besim Baraliu, Ilaz Kadolli, Xhavit Bajraktari (dëshmor i kombit), Heset Sahiti, Selatin Qeriqi, Naim Imeri, Fadil Bajraktari, Ajete Zogaj, Arbanë Qeriqi etj.
Habib Zogaj ka raportuar disa herë nga zona e Malishevës, Rahovecit, por nuk ka qenë i pranishëm në staf, përveç në ndonjë rast…
Gazmend Eshanin e ka sjellë, në Radio, (te Rrezja e Baliqit), Martin Quni në fund të prillit 1999, si kameraman, por përnjëherë pas luftës, për mijëra euro, incizimet filmike ua ka shitur agjencive të huaja dhe paratë i ka përvetësuar së bashku me ndonjë tjetër.
Zona Operative e Dukagjinit:
Fetnete Ramosaj, Hyrie Veliu, Faton Mehmetaj, Salih Lajçi, Ali Geci, Remzie Zeqiraj.
Zona Operative e Shalës:
Sabit Gashi.
Zona Operative e Llapit:
Ismet Cakiqi, Muharrem Mahmutaj.
Zona Operative e Neredimes:
Ruzhdi Jashari, Hajrush Kurtaj, Ali Uka, Hyrë Emini (dëshmore)
Zona Operative e Karadakut:
Shemsi Syla, Ismet Sylejmani
Gjatë luftës, në Radion Kosova e Lirë, kam mbajtur kontakte dhe komunikim informimi kohë pas kohe, edhe me këta eprorë, veprimtarë e luftëtarë të lirisë, me të cilët kemi shkëmbyer informata, dhe me to janë sajuar edhe lajme të caktuara nga zonat apo territori i caktuar. Në mesin e tyre: Jakup Krasniqi, Adem Demaçi, Ramë Buja, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Tahir Sinani, Bislim Zyrapi, Sadik Halitjaha, Sokol Bashota, Ajvaz Berisha, Sokol Dobruna, Idriz Hyseni, Ferat Shala, Shaban Shala, Jetë Hasani, Elez Durmishi, Sylë Qeriqi, Musë Jashari, Sami Lushtaku, Ilaz Dërguti, Bajram Jashari, Ajvaz Karpuzi, Naim Ismajli, Shefqet Buçaj, Ajet Kastrati, Haxhi, Shala, Shaban Draga, Xhavit Sadriaj, Muharrem Sylejmani, Lahi Brahimaj Elmie Plakiqi, Teuta Hadri, Milaim Beha, Fatmir Maliqi, Sejdi Elezi, Shaip Kelmendi, Blerim Peja, Agush Gjocaj, Idriz Shala, Behxhet Krasniqi, Xhevdet Gashi, Hilmi Ramadani, Naim Ymeri, Vehbi Zeqiri, Ali Gashi-Mullini, Çaush Berisha, Nuhi Bytyçi, Nuhi Paçarizi, Abaz Zeka, Fatmir Xhelili, Reshat Gashi, Besim Gashi, Naser Bytyçi, Arsim Bajrami, Jakup Ismajli, Mustafë Gara, Zenel Kastrati, Nazmi Iballi, Fadil Berisha, Shaban Hoxha, Rauf Dhomi, Efraim Kastrati, Vijon Peja, Enver Kelmendi, Bedri Rama, Emin Olluri, Ganimete Qeriqi, Mehmet K. Berisha, Shyqri Galica, Agim Berisha, Osman Voca, Sheremet Krasniqi, Ramadan Rizani, Heset Hamdiu, Vehbi Qeriqi, e jo pak të tjerë.
AHMET QERIQI
- 6. 2024
SHTIME