Të shumta janë punët dhe vështirësitë me të cilat ndeshim për çdo çast. Rendi ekzistues organizativ duhet të pësojë ndryshime, sidomos tani kur janë ndërprerë lidhjet me Shtimen dhe Lypjanin. Ambulancat dhe punktet shëndetësore, i kemi vënë nën administrim civil të UÇK-së. Pikërisht për këtë po hasim në rezistencë të disa mjekëve të cilët marrin rrogë nga Drejtoria e shëndetësisë përkatëse serbe, në Lypjan.
Tanimë në zonat tona kanë ardhur disa mjekë, të cilët kanë shprehur gatishmëri për të punuar falas, në shërbim të luftës dhe të popullatës. Nga Carraleva kanë ardhur mjekët e praktikës së përgjithshme: Jakup Ismajli dhe Avdullah Fazliu. Jakupi është caktuar të punojë në Pjetërshticë, ndërsa Avdullahu në Shalë. Në administratën shëndetësore është caktuar edhe mjeku nga Banulla: Fitim Selimi, ish i burgosur politik dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare.
Fitimi, po bën përpjekje për të siguruar sa më shumë që të jetë e mundur barna, pajisje mjekësore dhe personel adekuat. Ai mbanë lidhje ne disa organizata humanitare dhe me Këshillin e Emergjencës. Radhës së mjekëve iu ka bashkuar edhe stomatologu nga Qylaga, Naser Bytyqi dhe tekniku, Tahir Krasniqi nga Varigoci dhe Musa.
Po ashtu këtyre ekipeve, kryesisht për çështje organizative qysh në fillim iu ka bashkangjitur edhe Reshat Gashi nga Shtimja.
Në mesin e mjekëve ndodhet edhe Hilmi Olluri i Krojmirit, një mjek i praktikës së përgjithshme, i cili ka punuar dhe aktualisht punon në punktin shëndetësor të Shalës. Me veprimet e tij të pamatura dhe të pa peshuara, ai ka bërë emër të keq ndër banorët e kësaj ane. Ai po ashtu ka diplomuar dhe ka punuar nën masat e dhunshme të pushtetit okupator dhe nuk e ka besimin e as respektin, që duhet ta ketë mjeku. Për të mos e demonizuar, për ta kthyer në shërbim të popullit, i kemi dhënë shans të punojë në mesin e mjekëve të luftës, sikur i quajmë ata, që iu kanë bashkuar radhëve tona. Pavarësisht nga mirëkuptimi që kemi treguar për të, ai është kokëfortë dhe i pa përmirësueshëm.
Probleme na paraqet edhe një motër medicinale e Shalës, motra e LDK-istës, Mevlide Shamolli, si dhe Lulzim Shamolli… (8 rreshta të koduar). Ekipeve mjekësore, të cilat punojnë pandërprerë, meqë kemi shumë popullatë të zhvendosur, iu kanë bashkuar dhjetëra teknikë e motra medicinale.
Në orët e pas ditës, në Shtabin Civil ka ardhur edhe Naim Ismajli, profesor nga Carraleva. Naimi, ka shfaqë gatishmëri të krijojë një grup me ushtarë kryesisht të Carralevës, pasi që ata e njohin më mirë terrenin.
Ai ka marrë pëlqimin edhe të disa bashkëfshatarëve të tij, si Milaim Beha, Hasan Avdyli, Imer Avdyli, e të tjerë, për të vepruar, sidomos në ndërlidhje mes zonës sonë me pikat e Rancës, të Mollapolcit e të Graiçevcit.
Naimi po tregohet tejet këmbëngulës dhe jam i sigurt se do të kryejë me përgjegjësi të gjitha detyrat.
Djalëria e Carralevës, ka qenë e organizuar edhe më herët në radhët e ilegales. Sipas materialeve të cilat i mban, Elez Durmishi, del se në Carralevë edhe më herët ka vepruar grupi militant në krye me Rrahman Tafën, Ramadan Behlulin, Milaim Behën e të tjerë.
Carraleva tanimë e tëra është në UÇK. Bëjnë përjashtim dy tri familje disa anëtarë të të cilave mjerisht kanë bashkëpunuar dhe ende thuhet se po bashkë punojnë me okupatorin. Të tillët tani për tani janë të izoluar, po jo edhe të parrezikshëm meqë i dinë mirë pozicionet e ushtarëve tanë.
Duhet bërë përpjekje që Naimit sa më parë t’ i sigurohet arma dhe uniforma. Për fillim ia kam dhënë snajperin tim shkollor. Kyçja e tij në radhët tona do të mirëpritet nga popullata liridashëse, ndërsa Dega e LDK-së pacifiste, në Shtime do të marrë edhe një goditje tjetër, pasi Naimi ishte nënkryetar dhe anëtar i kryesisë.