Radio-Kosova e Lirë, në bashkëpunim me TV-Diellin dhe përkrahës e ndihmës të saj, sot shënoi 25-vjetorin e kryerjes me sukses të misionit informativ, historik, gjatë luftës së UÇK-së, dhe aktivitetin e shumanshëm të deritanishëm, gjatë këtij çerek-shekulli. 25 vjet më parë, Radio-Kosova e Lirë kishte përgatitur dhe kishte transmetuar emisionin e fundit nga Malet e Berishës, në Rrafshnaltën e Drenicës, pikërisht në ditën kur nga Kosova ishte larguar, përgjithmonë dhe me turp të përjetshëm, makineria vrastare e regjimit të Millosheviqit, e cila më 9 qershor të vitit 1999, kishte nënshkruar kapitullimin pas bombardimit për 78 ditë nga forcat e NATO-s.
Sot para të pranishmëve të shumtë pas ekspozimit të fjalës tematike nga kryeredaktorja e Radios, Arbanë Qeriqi-Gashi një fjalë rasti e mbajti ish komandanti i Zonës së Pashtrikut, gjeneral Sadik Halitjaha. Pastaj fjalën e mori koloneli në pension i UÇK-TMK-së, Elez Durmishi, i cili foli edhe për vështirësitë dhe pengesat me të cilat padrejtësisht po ballafaqohet, Radio-Kosova e Lirë, nga klane njerëzish të papërgjegjshëm.
Në shënim të këtij përvjetori gjenerali i luftës, Lahi Brahimaj i ndau një mirënjohje Radios dhe drejtorit të saj, profesor Ahmet Qeriqi, duke përgëzuar edhe tërë stafin për punën e palodhshme në prezantimin ditor të emisioneve dokumentare me biografi të dëshmorëve.
Në vazhdim të shënimit të 25-vjetorit të përfundimit me sukses të misionit informativ, historik, gjatë luftës së UÇK-së kanë folur edhe shumë veprimtarë, eprorë dhe luftëtarë të lirisë, invalidë e veteranë, zyrtarë komunash dhe të pranishëm të tjerë:
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari,
Kryetari komunës së Decanit, Bashkim Ramosaj,
Përfaqësuesi i shoqatave të luftës së Malishevës, Metush Kryeziu,
Eprori i lartë i Zonës Operative të Llapit gjatë luftës, Fatmir Sopi,
Nga Njësia e Shtabit të Përgjithshëm, Ajvaz Berisha,
Veprimtari dhe ish i burgosuri politik, Nait Hasani,
Veterani dhe invalidi i luftës, nga Brigada 121, Fatmir Shurdha,
Nga Zona Operative e Shalës së Bajgorës, Nexhat Dedia,
Në fund një fjalë përmbyllëse e mbajti edhe gazetari e shefi i marketingut, Jeton Syla, i cili foli për vetëfinancimin e Radios nga firmat reklamuese, për vështirësitë financiare por edhe për mbijetesën e deritanishme e në vazhdim të të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me qëllim që të mos lejojnë të shuhet ky zi i luftës dhe i paqes në vendin tonë. (RKL)