Ju falënderojmë nga zemra të gjithë Juve që dje, më 21 qershor 2024, morët pjesë në shënim dhe përkujtim të 25-vjetorit të kryerjes së misionit të luftës të Radios-Kosova e Lirë.
Më 4 janar në acarin e ashpër të dimrit të vitit 1999 kishim lajmëruar publikisht se Kosova kishte hyrë thellë në rrugëtimin drejt çlirimit, me luftën e saj të armatosur dhe me gjakun e lirisë që po derdhej nga dëshmorët e dëshmoret, kudo në trojet tona.
Më 21 Qershor të atij viti kishim dhënë edhe lajmin historik, për dëbimin e të gjitha forcave okupatore serbe nga Kosova.
Ju, që dje erdhët në Shtëpinë-Muze, e dinit se po bënte një vapë e padurueshme, madje edhe e rrezikshme për shëndetin, por duke ndier në zemër e shpirt sesa kanë sakrifikuar dëshmorët e çlirimtarët, në acar dhe në vapë, nuk ndaluat, sepse në zemër mbani të pashuar idealin e lirisë, atë ideal që e mbanë gjallë frymëmarrjen e kombit, atë ideal që ka përjetësuar kryekomandantin e UÇK-së, Adem Shaban Jashari dhe të gjithë dëshmorët e martirët.
Andaj nuk u hamendët, por erdhët për ta nderuar kujtimin e një çerek shekulli të Radios-Kosova e Lirë, për të na nderuar edhe ne, që asnjëherë nuk kemi ndaluar në rrugën e lirisë, të pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, gjithnjë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë sonë më të re, pavarësisht, vështirësive, injorimeve, pengesave, ndasive, përçarjeve, ne iu kemi përmbajtur dhe i përmbahemi motos: Ecim para vëlla, kthim prapa nuk ka!
Kemi qenë dhe kemi mbetur zë i amanetit të dëshmorëve dhe i çlirimtarëve idealistë, zëri më i fisnikëruar i lirisë, zë i cili është mbrojtur me gjakun e dëshmorëve e martirëve dhe po arrin të mbijetojë me ndihmën e përkrahjen Tuaj.
Të gjithëve edhe njëherë, përshëndetje nga zemra.
Përshëndetje e veçantë për luftëtarin e lirisë, Muhamet Kuka, flamurtarin dinjitar dhe idealist të UÇK-së, i cili për një orë mbajti lart flamurin, pa i dridhur as një çast dora, pa lëvizur asnjë hap nga vendi, nën diellin përcëllues…
Përzemërsisht
Respekt, shëndet e suksese, ju dëshiron
Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë