Bën vapë e padurueshme.
Herë pas herë dëgjohen detonime të fuqishme drejt Qyqavisë.
Shpërthime të forta dëgjohen edhe në Qafë të Duhles. Atje janë pozicionuar ushtarët e komandant Ismet Jasharit-Kumanova, një luftëtar i përkushtuar nga Orizarja e Kumanovës, i cili sa po ka filluar lufta ka lënë në perëndim gruan dhe pesë vajzat dhe së bashku me shumë dinjitarë të tjerë të lirisë është futur në Kosovë.
Edhe sot gjatë tërë ditës nuk kanë pushuar vajtje ardhjet. Njerëzia kanë halle ndër më të ndryshmet. Ata, duan të ndihmojnë por janë më të shumtë ata që duan armë, apo që duan të shkojnë vetë në Shqipëri për t u armatosur.
Në mbrëmje, më tregojnë se në odën e shtëpisë, ku zakonisht flenë ushtarët kanë ardhur: Fatmir Limaj, Isak Musliu dhe Shukri Buja.
Ata duan të bisedojnë me mua.
Në të vërtetë, nga Reshati kam mësuar se dhëndëri i tij nga Pjetërshtica, i cili ende zhvillon tregti edhe jashtë Kosovës, ka sjellë 12 armë të llojeve të ndryshme, të cilat i ka blerë vetë, me qëllim që ato t` ua japë disa të afërmve të tij të Pjetërshticës. Armët janë blerë në Bujanovc. Duke qenë se ishte fjala për t`i dhënë armë, Naim Ismajlit dhe Hasan Avdylit nga Carraleva, të cilët i kanë siguruar paratë nga Nazmi Iballi. Mua më kanë bërë të ditur, se armët janë blerë nga donatorët.
Pasi përshëndetëm me komandantët, me të cilët ende nuk njihemi si duhet dhe sa duhet, u shpjegoj se jam në dijeni të blerjes së armëve, por meqë nuk merrem me çështje ushtarake, nuk e kam parë të arsyeshme ta lajmëroj askënd.
Si duket, të tre kanë menduar se armët janë blerë me nisjativën time. Pasi u jap shpjegimin e duhur, ata vendosin që armët fillimisht të dërgohen në Shtab. Nga unë kërkojnë të dinë se a është e vërtetë që Faruku i ka dhënë Sylës dhe Elezit automatikun e tij të tipit “Thomson”, një muaj më parë. Duan vetëm të vërtetojnë, apo edhe të më tregojnë se Faruku ka folur dhe ka treguar gjëra, të cilat edhe ashtu dihen, por ata nuk i kanë ditur
Edhe me këtë rast u tregoj për Thomsonin e Farukut, pa e ditur se automatiku nuk ishte dorëzuar në Shtab. (Katër fjali të koduara)
Isak Musliu më pyet se a e njoh mirë Farukun. I them se e njoh mirë, dhe mendoj se është arrestuar gabimisht, për aq sa unë i di raportet e tij me Azem Sylën. Isaku, apo sikur e quajnë ndryshe me emrin luftarak Çerçizi, meqë e mban një mjekër ashtu sikur të Çerçiz Topullit, nuk e nget më tej bisedën, ndërsa Fatmir Limaj kërkon mendimin tim, lidhur me inkuadrimin në radhët e ushtrisë të Besim Gashit dhe të vëllezërve të tij, nga Pjetërshtica. U tregoj se nga ana ime nuk kam ndonjë rezervë të veçantë, edhe pse dihet se ata kanë bërë dhe bëjnë tregti me Serbinë. Ndërsa lidhur me armët propozoj që dy apo tri nga ato mundësisht t`iu jepen Naim Ismajlit, Hasan Avdylit dhe mësuesit Imer.
Për këta tre i siguroj se do të bëhen ushtarë të vendosur.
Më duket se Fatmiri, Shukriu dhe Isaku, e kanë kuptuar se rreth meje ofrohen shumica e banorëve të kësaj ane, duke menduar se edhe unë kam ndonjë detyrë me rëndësi në Shtab. Ata po ashtu e dinë se unë momentalisht merrem me çështje organizative civile.