Ejup Maqedonci: Gjashtëmbëdhjetë kadetë të rinj iu bashkuan sot rradhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u betuan që t’i shërbejnë atdheut

U zotuam se do të mbështesim ushtrinë, se do të investojmë në siguri e mbrojtje, këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi.
Gjashtëmbëdhjetë kadetë të rinj iu bashkuan sot rradhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u betuan që t’i shërbejnë atdheut. Me këtë grup të të diplomuarve pothuajse kemi dyfishuar numrin e përgjithshëm të ushtarëve që nga fillimi i mandatit, ndërsa kemi shumëfishuar investimin në armatime.
Kosova është e sigurt, sepse ushtarakët tanë janë të përgatitur profesionalisht e të pajisur me sistemet më moderne të armatimeve.
Arritëm të përmbushim 2% të BPV, e do të vazhdojmë edhe më tej.
Në vazhdim gjeni fjalën time të.plotë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve:
I nderuar Zëvendëskomandant i FSK-së Gjeneral Cikaqi,
I nderuar Drejtor i Ekipës Këshilluese dhe Ndërlidhëse të NATO-s, Gjeneral Nawrat, të nderuar gjeneral të FSK-së,
Të nderuar oficerë, të nderuar kadetë,
Të nderuar të pranishëm,
Qershorin e ngjarjeve të rëndësishme historike, luftës për liri e pavarësi, po e përmbyllim këtë vit duke i shtuar rradhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe dhjetëra oficerë të rinj.
Përvjetori i çlirimit këtë vit përtej simbolikës si vit jubilar, dallon nga vitet e tjera për shkak të stadit në cilin sot gjendet ushtria e Kosovës me objektiva të arritura në përmbushjen e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, 2% të BPV të ndarë për ushtrinë, me mbi 200 milionë euro investime këto tre vitet e fundit, mbi 1800 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar, ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale dhe multietnike.
Ëndrrën e gjithë atyre që sakrifikuan për liri sot po e jetësoni ju kadetë. Me diplomimin tuaj si oficer po ndërtoni shtylla të rëndësishme të ushtrisë, andaj nuk kam se si ta fsheh krenarinë që ndjejë për ju, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për atë që ju gra e burra përfaqësoni për mua dhe gjithë popullin e Kosovës. E kjo ndjenjë krenarie është rrjedhojë e një pune të madhe ekipore, përtej investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime, është rezultat i investimit tuaj shpirtëror, gatishmërinë tuaj për t’i përkushtuar jetën atdheut, gatishmërinë për të siguruar jetën e qytetarëve tanë dhe të ardhmen e fëmijëve, ngase armët nuk janë asgjë nëse nuk ka një shpirt e zemër të fortë, një karakter të qëndrueshëm e vetmohues që i drejton.
Të zgjohesh çdo mëngjes me këtë mision në mendje e zemër është vërtetë fisnike. Është vërtetë ndjenjë e mirë t’i përkushtohesh diçkaje më të madhe se vetja. Dhe është e vështirë, por është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni me jetën tuaj.
Si oficer të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do udhëheqni.
Ju tani keni atë që duhet për të udhëhequr dhe për të ndërtuar besimin në ekipin tuaj si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit.
Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdoj ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë!
Janë ushtarakët tanë ata të cilët krah për krah me Forcat e Armatosura Britanike dhe partnerët e tjerë, në kuadër të operacionit Interflex po trajnojnë trupat ukrainase.
Është shteti ynë Kosova, që nuk hezitoi as edhe për një çast që si anëtar i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen që udhëhiqet nga ShBA, të dërgoj dy pako të mbështetjes ushtarake popullit që po lufton për lirinë, ngase të afërta i kemi kujtimet se sa e rëndësishme është në momente të tilla mbështetja e shteteve të tjera, pozicionimi përballë një agresori që nuk njeh kufi.
Janë pjesëtarët e FSK-së që në vazhdimësi kanë treguar profesionalizëm të lartë në çdo garë e trajnim ndërkombëtar.
Bashkëpunimi i qëndrueshëm që kemi krijuar me shetet partnere është si rezultat i vlerave që përfaqësojmë, dhe reflektim i veprimeve tona. Partnerët tanë njohin qëndrimet tona. Dijnë çka besojmë dhe për çka angazhohemi. Luftojmë vetëm për paqen, ashtu siç të parët tanë, komandanti legjendar Adem Jashari, dëshmorët dhe veprimtarët e kombit bën para nesh.
Për fund dua të ju uroj diplomimin dhe dijeni se keni përkrahjen e popullit dhe gjithmonë përkrahjen time.
Në këtë rast falënderoj familjarët tuaj për mbështetjen që u kanë dhënë, e di se nuk është lehtë, mbështetja e një kadeti në zhvillimin e tij profesional nga familja është jetike dhe është instrumentale për suksesin në vazhdim”.
Kadetë, nuk është e lehtë pesha e uniformës që bartni, por pikërisht përballë vështirësive vlerësohet madhështia e njeriut. Nuk ka asgjë që vlerësoj më shumë sesa betimin tuaj për t’iu përkushtuar atdheut. Nuk ka asgjë që më bën më tepër krenar se të jem me ju këtu sot, e të shoh Ushtrinë e Republikës së Kosovës teksa rritet dhe zhvillohet.
Urime!

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …