Fjala e Elez Durmishit, në 25-vjetorin e kryerjes së misionit informativ, historik, të Radios-Kosova e Lirë, gjatë luftës së UÇK-së

Mirë se keni ardhur, këtu në Shtëpinë-Muze, në 25-vjetorin e kryerjes së misionit informativ,  historik,  të Radios-Kosova e Lirë, gjatë luftës së UÇK-së dhe vazhdimin për 25 vjet të   transmetimit të programit të saj në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Fillimisht, në emrin tim dhe të gjithë juve, përshëndesim drejtorin e Radios, profesor Ahmet Qeriqi, i cili për shkaqe shëndetësore nuk është i pranishëm fizikisht, në mesin tonë

Me këtë rast përshëndesim edhe krerët e UÇK-së, që  padrejtësisht janë akuzuar dhe  ende po mbahen në arrest të Gjykatës Speciale, në Hagë: bashkëluftëtarët dhe eprorët tanë, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, të cilët edhe kishin krijuar kushte dhe kishin marrë  vendimin për themelimin e Radios dhe të Agjencisë, qysh në nëntor të vitit 1998. Nga ky mes, angazhimi i zëdhënësit të SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili ishe edhe ideatori i parë i themelimit të institucioneve informative të luftës, ka qenë meritor dhe i pazëvendësueshëm, andaj edhe e përshëndesim përzemërsisht…

Dua t’ iu përkujtoj se për ruajtjen e pozicioneve të luftës, nga ku transmetonte program kjo Radio, kanë rënë 13 dëshmorë, tre nga ata edhe reporterë të luftës. Të gjithëve u qoftë nder e lavdi…

Të nderuar të pjesëmarrës!

 

25 vjet më parë nga bunkeri në majën e Pallanikut, pikërisht me 21 qershor të vitit 1999, u dha lajmi i dëbimit,  tërheqjes përfundimtare dhe të përjetshme të regjimit serb nga trojet tona, ndërsa Radio-Kosova e lirë kishte kryer misionin  dhe  kishte mbajtur premtimin e paralajmëruar simbolik, me sintagmën më të aspiruar e më të dashur të kohës: Ju flet Kosova e Lirë!

Misioni 25-vjeçar i kësaj Radioje, e cila gjatë luftës i dha jehonë krismave të armëve çlirimtare të kryekomandantit të parë të UÇK-së, Adem Shaban Jashari dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë, e pas luftës u vu në mbrojtje të vlerave të saj, të ndriçimit dhe jetëshkrimit të biografive të dëshmorëve e heronjve, të ruajtjes së vlerave kombëtare përgjithësisht, në krejt programin e saj.

Sot, ndodhemi këtu  jo vetëm për të thur himne e lavdi, edhe pse ato nuk mund të anashkalohen, por për ta përkujtuar një ngjarje me rëndësi kombëtare të informimit në Kosovën e çliruar nga gjaku i dëshmorëve e martirëve dhe luftës ndihmëse  së NATO-s, kundër regjimit vrasës të Millosheviqit.

Dua t iu njoftoj me këtë rast se stafi i parë i Radios dhe Agjencisë ishte  vendosur  në fshatin Krojmir, në shtëpinë e Ali dhe Mehdi Qeriqit, ku edhe ishin bërë të gjitha përgatitjet paraprake.

Nuk do të flasim për meritat e  gjithsecilit, sepse shumë nga ato dihen, po dua të veçoj faktin se në kushte dhe rrethana të luftës, në mbrojte e siguri dhe ndihmesë konkrete fizike  të stafit, ishte Toga e Berishës, në krye me komandantin, Fadil Berisha. Vajte-ardhjet e përditshme, në relacionin: Krojmir-Berishë dhe anasjelltas, i kanë kryer luftëtarët e Batalionit, Ruzhdi Salihu, të Brigadës 121-Kumanova, ku ishte caktua për siguri dhe vozitje, Ali Gashi nga Pjetërshtica,  i njohur gjatë luftës, si Ali Mullini. Një kujdes të veçantë për stafin kanë treguar edhe luftëtari i lirisë, Sylë Qeriqi, Sejdi Elezi, komandanti i Logjistikës, Idriz Hyseni,  e jo pak të tjerë.

Sot në këtë përvjetor jubilar,  në 25-vjetorin e kryerjes së misionit informativ,  historik,  të Radios-Kosova e Lirë, pozita e këtij mediumi vazhdon të mos merret në mbrojtje institucionale, por edhe për më keq, për interesa grupore dhe me qëllime të caktuara, dy anëtarë të stafit gjatë luftës e tre bashkëpunëtorë të tyre, kanë themeluar të ashtuquajturin ‘staf të luftës’, me qëllime që janë bërë publike dhe që kanë shkaktuar  pasoja por edhe indinjatë në   Radios-Kosova e Lirë, dhe të bashkëpunëtoreve, reporterëve dhe gazetarëve të kohës të luftës dhe pa luftës si dhe mijëra dëgjuesve e simpatizuesve  të saj.

Dikush nga ky stafi i luftës, apo edhe ndonjë i painformuar sa duhet  mund të më pyes se çka kam të bëjë unë me Radion, andaj edhe po përgjigjem.

E kemi  ndihmuar stafin e kësaj Radioje gjatë dhe pas luftës  jo për hir të drejtorit, apo të ndonjë kuadri të caktuar, por në radhë të parë për vlerën informative të  saj dhe me qëllim të mos lejojmë të shuhet ky zi i lirisë dhe i fitores së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky objekt këtu, Shtëpia-Muze  u ndërtua nga UÇK-TMK-ja, nga pjesëtarë të Brigadës 313, Ismet Jashari-Kumanova dhe është modest nga pamja por i veçantë nga  vlera dhe përmbajtja e saj. Andaj edhe ndihemi të indinjuar, pak sa edhe të mllefosur kur dikush kërkon të shuhet ky Muze dhe teknika e pajisjet  të dërgohen në Muzeun e Kosovës,  duke injoruar  Drejtorinë  e Radios, madje pa asnjë  lajmërim paraprak, dhe duke e ditur se drejtori Ahmet Qeriqi, po ballafaqohet me një sëmundje të rëndë.

Për fund

Radio-Kosova e lirë ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë e mote, si vlerë e luftës dhe e paqes,  në vendin tonë. Andaj ata që pretendojnë të ndajnë, ta copëtojnë, për interesa politike apo për përfitime grupore, u bëjmë me dije se kjo Shtëpi-Muze këtu, vendi te ‘Rezja e Baliqit, ‘Te Maj E Pallanikut, pastaj selia e parë, në Krojmir, selia qendrore në Prishtinë, janë një tërësi e cila nuk mund të tjetërsohet, të ndahet  as të copëtohet, sipas tekeve të individëve të caktuar, cilët do qofshin ata.

Ju falënderoj të gjithëve…

Berishë

21 qershor 2024

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …