Enver Hoxhaj: Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë heronj të gjallë të Kosovës sinonim të lirisë dhe pavarësisë

Po bëhen 3 vjet e tetë muaj nga arrestimi i Jakup Krasniqit dhe i tre krerëve të tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi

Kaluan tri vite e tetë muaj të rënda si tunxhi për krerët e UÇK-së, familjarët e tyre, bashkëluftëtarët dhe çlirimtarët  e Kosovës, Ata në nëntor të vitit 2020 u arrestuan padrejtësisht nga Gjykata Speciale dhe po ashtu pa asnjë të  drejtë po mbahen në paraburgim. Sado të rënda e  të padrejta, këto vite treguan më së miri se demokracia e proklamuar në Evropë, nuk është ajo prej së vërteti, por është vetëm një fasadë e tejdukshme, është “drejtësi”, selektive, sipas kushteve dhe rrethanave politike, që kanë mbizotëruar dhe mbizotërojnë aktualisht. Kjo është një e keqe e madhe, të cilën po e shohim dhe po e përjetojmë mbi kurriz, kush më shumë e kush më pak,  në rrjedhat aktuale politike të BE-së në bisedimet e Kosovës me Serbinë.

Jakup Krasniqi, edhe pse i moshuar dhe me shëndet të rënduar, po gjen forcë shpirtërore e morale për t’ u përballur me padrejtësinë e shekullit, edhe pse kjo padrejtësi ende është në proces dhe nuk mund të jemi qind për qind të sigurt se si do të përfundojë procesi gjyqësor. Por nga ajo që kemi parë deri tani, jemi mjaft skeptikë, sepse kjo gjykatë që arreston vetëm pjesëtarë të UÇK-së, për krime të pretenduara të luftës, duke u bazuar kryesisht në deklarata të dëshmitarëve pa identitet publik, duke u bazuar madje edhe  akuzat zyrtare të  kohës së regjimit të Millosheviqit, nuk ka bazë të mirëfilltë juridike, madje as kredibilitet për ta përmbyllur me drejtësi këtë proces. Si e tillë, ajo përballë krejt opinionit po tregohet e njëanshme me qëllime e tendenca të njëjta nga ato të Beogradit zyrtar, me të cilin bashkëpunon në të gjitha drejtimet, ndërsa nuk bashkëpunon me institucionet e Kosovës edhe pse de iure ajo është gjykatë, pra dhomë e specializuar e Kosovës. Vetëm shkelja e këtij rregulli, e këtij protokolli obligativ zyrtar vë në pikëpyetje këtë gjykatë e cila selinë e ka në Hagë, por kokën në Beograd.

Jakup Krasniqi, me jetën dhe veprën e tij të deritanishme ka ndërtuar personalitetin e mirëfilltë, lapidar, të intelektualit bashkëkohor shqiptar, që është prodhim i rrethanave historike, nëpër të cilat ka kaluar ky popull gjatë historisë të tij të mundimshme, të përgjakshme por edhe të dinjitetshme kombëtarisht e njerëzisht…  Ai është i radhitur në mesin e personaliteteve më të shquara të kombit, jo vetëm në politikë e në aktivitetin e tij atdhetar, por edhe në perceptimin dhe studimin me realizëm të të gjitha zhvillimeve e rrjedhave tona kombëtare, sidomos prej viti 1981 e deri në ditët  tona, në të cilat ka qenë edhe subjekt me shumë rëndësi, veçmas në kohën e luftës, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, në shkurt mars të vitit 1999, ndërsa pas luftës  pjesë e organizimit  institucional të vendit, ministër, Kryetar i Kuvendit të Kosovës,  në dy mandate madje në kohën e Shpalljes  së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të viti 2008, kryetari i Kosovës në detyrë për  disa muaj sipas funksionit në krye të Kuvendit dhe së fundmi kryetar i Këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës. Përveç detyrave me rëndësi në institucionet e vendit, Jakup Krasniqi është marrë edhe me  studime shkencore, krijimtari publicistike, ndërsa  në vitet e pas luftës ka arritur të botojë një varg veprash me interes për shkencën,  politikën, publicistikën, ku ka lënë gjurmë me origjinalitet dhe pikëpamje të përparuara, të cilat e karakterizojnë tërë krijimtarinë e tij të begatshme studimore dhe publicistike.

Duke qenë për jetë i lidhur me fatin e kombit e Atdheut, një idealist i shkollës politike të Adem Demaçit dhe Lëvizjes Atdhetare të kohës e më vonë  i shkollës ushtarake të Adem Jasharit,  Jakup Krasniqi me jetën dhe veprën e tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avansimin e zgjerimin e idesë së çlirimit dhe bashkimit të kombit, gjithnjë i organizuar në segmente të caktuara të veprimtarisë atdhetare.

Për këtë periudhë  të arrestimit, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, në radhë të parë iu urojmë shëndet, urojmë të qëndrojnë  edhe më tej,  sikur kanë qëndruar tërë dinjitet deri tani, urojmë të ngadhënjejë e drejta dhe e vërteta, edhe pse për një ngadhënjim të tillë nuk jemi unikë dhe nuk po  bëjmë atë që duhet bërë, përkundrazi jemi dëshmitarë të vazhdimit të një segmenti të  luftës kundër tyre, madje edhe të qarqeve të caktuara qeveritare, në radhë të  për përfitime politike mbi kurriz të tyre.  Kjo është një zezonë  e cila do të jetë një damkë më shumë në ndërgjegjen e tyre të rënduar, të deformuar kombëtarisht e politikisht…

Të gjithë ata që e drejtojnë gishtin e tyre hakmarrës kundër çlirimtarëve, të gjithë ata i vënë në dyshim vlerat e luftës, gjakun e derdhur rrëke për liri,  të gjithë ata që pretendojnë të përfitojnë politikisht mbi fatkeqësinë e tyre, i pret zezona, i pret mallkimi i pamëshirshëm i historisë ata dhe pasardhësit e tyre…

 

 

 

Ahmet Qeriqi

Përditësuar

30, 6. 2024

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …