Ndërmarrja Publike Posta e Kosovës dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë kanë lidhur të premten një kontratë nga e cila do të përfitojnë mijëra fermerë.
Fermerët nuk do të kenë më nevojë të shpenzojnë për udhëtim deri te zyrat e AZHB-së në Prishtinë sepse formularët për ankesa do t’i marrin, plotësojnë dhe dorëzojnë në zyrën më të afërt postare.
Fermerët kosovarë që kanë nevojë për këtë shërbim do të kursejnë edhe kohën duke marrë parasysh se Posta ka rreth 160 zyra postare, në të gjitha komunat, përfshirë edhe në vendbanime rurale.
Kontrata është nënshkruar nga kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha dhe kryeshefi ekzekutiv i AZHB-së, Elhami Hajdari.
Qëllimi i të dyja institucioneve është që të ofrojnë shërbime sa më cilësore dhe sa më afër vendbanimit të qytetarëve. Të dy kryeshefat janë zotuar se do të angazhohen që bashkëpunimi mes Postës dhe AZHB-së të zgjerohet edhe në fusha të tjera, në dobi të fermerëve të Republikës së Kosovës.
AZHB punon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe është përgjegjëse për implementimin e programeve mbështetëse për bujqësi dhe zhvillim rural.